ZN

Rexhep Tahiri e braktisë lagjen e Zahirajve

/ 3 minuta lexim
ZN

Gjilan- Njëri nga banorët e pakët që kishte mbetur pas luftës në lagjen e Zahirajve, vend akoma i kontestuar në kontestin kufitarë Kosovë- Serbi, tashmë e ka braktisur vendin për shkak të pasigurisë dhe kushteve jo të mira për jetesë normale.

Është dorëzuar edhe Rexhep Tahiri. Kryefamiljari Tahiri kishte deklaruar më herët se për asnjë çmim nuk do ta braktiste vendlindjen e tij. Por , Tahiri tanimë ndodhet në Gjilan së bashku me familjen. “Kishim pasiguri dhe jetë jo të mirë, për shkak të mungesës së infrastrukturës” rrëfen Rexhepi.

“E kam dashur atë vend, e dua edhe sot. Dhe vetëm pak po të rregullohej rruga, unë sërish do të kthehesha” shton ai. Tahiri tha për rajonipress se policia serbe e cila patrullon skaj kufirit ishte e pranishme çdo ditë. “Sidomos javën e fundit dilte deri tek xhamia e Sllubicës, që është territor i Kosovës”.

“Fëmija duhej të udhëtonin bukur larg për të arritur në shkollë, dhe edhe kjo ishte një pengesë për mua. Kam folur e shkruar e reaguar dhjetëra herë. Kam kërkuar që të flitet për atë vend e atë pjesë e cila gjithmonë ka qenë dhe do të jetë e Kosovës. Fatkeqësisht politikanët kosovarë nuk po kanë kohë të merren me hallet e qytetarëve të vet. Ata vetëm po mendojnë për përfitimet e tyre personale” shprehet me mllef Tahiri.

ARKATANA

Ndërkaq Pajazit Zahiri tashmë është banori i vetëm në Zahiraj. Edhe ai tha për rajonipress se për shkak se ka shumë dele (300) e ka të pamundur të vijë në Gjilan. “Unë nuk e braktisi lehtë lagjen e Zahirajve. Kam shumë dele dhe jetoj nga ky profesion. Po të shkojë në Gjilan duhet të bëhem hajn apo të merrem me punë të këqija. Komuna duhet të më përkrah të paktën ta rregullojë fermën e deleve , sepse nga ky zanat jetoj unë dhe familja ime” tha Pajaziti.

Edhe Pajazit Zahiri tha se ditëve të fundit xhandarmëria dhe policia serbe janë duke patrulluar vazhdimisht përgjatë vijës kufitare. Madje policët kanë marrë guximin dhe kanë patrulluar edhe poshtë Sllubicës tha Zahiri.

“Zahirajt janë një vend i pasur me xehe dhe minerale dhe Serbia nuk dëshiron ta lëshojë për asnjë çmim, përderisa institucionet kosovare po shtyhen se kush po bëhet kampion i hajnisë. Kjo vërtet është për tu shqetësuar sepse pa Zahirajn vija administrative e Kosovës pëson ndryshime radikale”shprehet ai.

Lagja e Zahirajve para luftës ka pasur 10 shtëpi, kurse tani jeton vetëm një familje. Problemin kryesor ata e kanë se rreth 150 hektar tokë u ka mbetur përgjithmonë në pjesën e Serbisë, kurse shtëpitë e tyre ende figurojnë në hartat e KFOR-it dhe hartat serbe si pjesë të Preshevës./rajonipress/

Mund të ju interesoj: