ARKATANA

Rexhep Shala, mjeku gjilanas që ndërton reputacion të respektuar në klinikat elitare gjermane

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Göppingen – Emri i mjekut gjilanas Dr. Rexhep Shala sot përmendet me respekt në rrethet profesionale të mjekësisë gjermane. I angazhuar prej vitesh në qytetin Göppingen të Gjermanisë, ai mban pozitën e kryemjekut në spitalin shtetëror, duke u shndërruar në një adresë të besueshme për pacientë nga kombësi të ndryshme.

Profesionalizmi i lartë, korrektësia mjekësore dhe qasja humane ndaj pacientit e kanë bërë Dr. Shalën një figurë të vlerësuar si në spitalin shtetëror ashtu edhe në praktikën e tij private. Rastet e trajtuara me sukses dhe përkushtimi ndaj etikës mjekësore e kanë pozicionuar atë si një mjek të afërt, të sinqertë dhe të respektuar.

Në paraqitje, Dr. Shala reflekton qetësi, edukim dhe standard profesional perëndimor, vlera që sot janë thelbësore në mjekësinë bashkëkohore. Por ajo që e veçon edhe më shumë është lidhja e tij e pandërprerë me Kosovën, Gjilanin dhe vendlindjen Ponesh.

“Jam i lidhur emocionalisht dhe shpirtërisht me vendlindjen. Kjo lidhje më shtyn të kthehem shpesh në Kosovë dhe të mendoj seriozisht për kontributin tim këtu,” shprehet Dr. Shala.

Rruga e tij profesionale në Gjermani nuk ka qenë e lehtë. I detyruar të vazhdojë studimet nga fillimi, ai ka përfunduar fakultetin, specializimin dhe doktoraturën me rezultate të shkëlqyera, duke fituar titullin “doktor” përmes punës shkencore, një standard i rreptë i sistemit akademik gjerman.

Sot, si specialist i urologjisë, Dr. Shala kryen të gjitha ndërhyrjet moderne në këtë fushë, përfshirë trajtimin e tumoreve të prostatës dhe gurëve në veshka, duke aplikuar metoda bashkëkohore endoskopike dhe teknologji lazer, që nënkuptojnë operim pa prerje dhe rikuperim më të shpejtë për pacientët.

“Mjekësia moderne nuk favorizon më ndërhyrjet e hapura. Endoskopia dhe lazeri janë e ardhmja, sepse garantojnë cilësi më të mirë jete për pacientin,” thekson ai.

Mobi Casa

Dr. Shala vlerëson se shëndetësia kosovare ka potencial njerëzor, por ka nevojë për përvoja të reja, teknologji moderne dhe shkëmbim profesional ndërkombëtar. Në këtë drejtim, ai shpreh gatishmërinë për të sjellë në Kosovë edhe kolegë të tij nga Gjermania, si dhe për të bashkëpunuar me klinika vendore.

Planet e tij tashmë janë konkrete. Fillimisht përmes bashkëpunimeve profesionale në Kosovë, e më pas edhe me mundësinë e hapjes së një klinike të tijën.

“Dëshira ime është që përvoja e fituar jashtë vendit të shërbejë edhe për pacientët në Kosovë. Ky është një borxh moral ndaj vendit tim,” thotë Dr. Shala.

Përveç angazhimit klinik, ai ka realizuar edhe studime shkencore, përfshirë një punim mbi psikotraumat e fëmijëve të luftës në Kosovë, të botuar në gjuhën gjermane, të cilin planifikon ta publikojë edhe në shqip.

Historia e Dr. Rexhep Shalës është shembull i suksesit të arritur me punë, disiplinë dhe përkushtim. Një histori emigrimi që nuk e ka shkëputur lidhjen me atdheun, por e ka shndërruar atë në vizion për kthim dhe investim në shëndetin e qytetarëve të Kosovës./rajonipress/