UBT

Rexhep Sejdiu rrëfehet nga burgu

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Rexhep Sejdiu ndodhet në burgun e Gjilanit që nga data 4 maj. Në një letër që e ka dërguar nga burgu thotë se ai dhe vëllezërit e tij nuk kanë lidhje me rrëmbimin. Gjithçka ishte e inskenuar dhe e montuar ka thënë ai.

Historia e Rexhep Sejdiut nga Verbica e Zhegovcit është tejet interesante. Që nga data 4 maj 2012 ai së bashku me vëllezërit Halim e Sadri Sejdiu dhe dhëndrin Naim Miftari ndodhen në burgun e Gjilanit nën akuzat e rrëmbimit. Rexhep Sejdiu duke mos u pajtuar me tërë ato prapaskena e ka dërguar një letër nga burgu, përmes shokut të tij Shpend Terziu, e cila edhe u është shpërndarë medieve lokale të Gjilanit.

Në letrën e tij Rexhep Sejdiu rrëfehet për ngjarjen duke thënë se personi i cili na kishte borxhe dhe që duhej të paguante paratë e marra prej tij edhe i ka mashtruar edhe mjeshtërisht i ka burgosur. Sipas tij ai me vëllezërit e tij po punonte në biznes me një firmë për bartjen e udhëtarëve.”Ne ishim në gjendje të vështirë pas luftës sepse edhe shtëpitë i kishim të djegura. E nisëm pak biznes për të mbajtur familjet tona” rrëfehet Sejdiu.

Për ta zgjeruar biznesin Sejdiu kishte paguar një autobus në Lipjan në vlerë të 10500 eurove nga H.S. nga Lipjani. Por personi që duhej t`ia regjistronte autobusin kishte pasur shumë borxhe, tek tatimi në pronë dhe nuk mund ta bënte bartjen tek blerësi.

Mobi Casa

Që nga ky moment fillojnë “telashet” e Sejdiut me pronarin nga Lipjani i cili as nuk ua kthen të hollat e as nuk ua regjistron autobusin. Siç ka thënë Sejdiu në letër pas shumë peripecive e kishin lënë një takim në Prishtinë tek kafja Bici Com. Aty H.S. sipas Sejdiut ua kishte përgatitur një kurth. Fillojnë të fjalosen dhe pronari sërish nuk e nënshkruan kontratën e mëhershme.

Sipas Sejdiut vet pronari H.S. ka insistuar që të hypin në veturë dhe të shkojnë tek shtëpia e tij, ku edhe do ua jepte të hollat. Në dalje të Prishtinës ne kemi qenë në veturë me H.S. dhe për një moment na kanë ndaluar policia ku na thanë se keni rrëmbyer personin. Kjo ishte qesharake sepse s`kishte lidhje me rrëmbimin,por vet H.S. e kishte përgatitur dhe inskenuar këtë kurth ka thënë Sejdiu në letrën e tij.

Ndryshe avokati i Sejdiut, Bajram Tmava i kontaktuar nga Rajonipress nuk ka dashur të komentojë për letrën e Sejdiut.”Unë kam bërë një ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe po pres përgjigjen,pastaj mund të flasim”tha shkurt Tmava./rajonipress/