Rexhep Kadriu, largon nga puna kryetarin e Ballit Kombëtar Demokrat në këtë qytet
Gjilan – Balli Kombëtar Demokrat, reagon ashpër me rastin e largimit nga puna të Kryetarit të kësaj partie në Gjilan, Nexhat Veselit, nga nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, menjëherë pa zgjedhjes së Veselit kryetar i Ballit në këtë qytet.
“Nënkryetari i komunës së Gjilanit, i cili njëkohësisht është e nënkryetari i AAK-së në Gjilan, dhe pronar i kompanisë ProEng, Rexhep Kadriu e ka larguar nga puna Nexhat Veselin, pa asnjë arsye, vetëm pse z. Veseli i është bashkuar Ballit Kombëtar Demokrat, dhe është zgjedhur kryetar i këtij subjekti politik në Gjilan”, thuhet në Komunikatë.
“Balli Kombëtar Demokrat, shprehet i indinjuar pas këtij akti të ulët të Kadriut. Largimi nga puna i z. Nexhat Veselit, është bërë për arsye politike, gjë që, në një shoqëri evropiane ky gjest është i papranueshëm. Andaj kërkojmë që Nexhat Veseli të kthehet në vendin e punës, që nga dita e hënë”, përfundon komunikata e kryetarit të Ballit Kombëtar Demokrat Gazmend Islami./rajonipress/


