Eko Higjiena

Rexhep Gunduz, përfaqësuesi më legjitim dhe autoritativ i shqiptarëve në Turqi

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Emri i Rexhep Gunduzit është bërë sinonim i përkushtimit qytetar dhe angazhimit të palodhur në shërbim të komunitetit shqiptar në Turqi. Me veprimtarinë e tij shumëvjeçare në Bursa, ai ka ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi mes diasporës shqiptare dhe institucioneve në Kosovë e më gjerë, duke u shndërruar në një figurë të respektuar të diplomacisë qytetare dhe kulturore.

Rexhep Gunduz (Recep Gündüz) prej vitesh është një nga zërat më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm të angazhimit shqiptar në Turqi, veçanërisht në mbështetje të çështjes së Kosovës. Me një veprimtari të pandërprerë, ai ka vizituar pothuajse çdo trevë dhe fshat shqiptar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, duke ndërtuar lidhje të drejtpërdrejta me familjet shqiptare dhe duke forcuar ndjenjën e përkatësisë kombëtare në diasporë.

Në qendër të aktivitetit të tij qëndron Qendra Kulturore e Kosovës në Bursa, ku Rexhep Gunduz vepron si koordinator dhe figurë qendrore e organizimit të shqiptarëve. Pikërisht aty, në çdo aktivitet, takim apo iniciativë, ai është i pranishëm si lidhja kryesore ndërmjet diasporës shqiptare dhe vendlindjes. Shqiptarët në Bursa janë sot ndër komunitetet më të organizuara jashtë trojeve etnike, një realitet që lidhet drejtpërdrejt me kontributin, përkushtimin dhe lobimin e vazhdueshëm të Gunduzit.

Si kryetar i Shoqatës Kulturore “Kosova-Shkupi” në Bursa, Rexhep Gunduz ka qenë një nga zërat më aktivë në ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës, traditës dhe lidhjeve shpirtërore të shqiptarëve të mërgatës me vendlindjen. Nëpërmjet aktiviteteve kulturore, arsimore dhe humanitare, shoqata nën drejtimin e tij ka dëshmuar se diaspora nuk është thjesht kujtesë e largët, por forcë e gjallë zhvillimi dhe solidariteti.

Me prejardhje nga Livoqi i Gjilanit, Gunduz nuk e ka ndërprerë kurrë lidhjen me Kosovën. Përkundrazi, ai e ka forcuar atë përmes veprimit konkret. Angazhimi i tij është reflektuar në bashkëpunime të drejtpërdrejta me komunat, institucionet arsimore dhe organizatat publike, duke siguruar donacione, mbështetje teknike dhe projekte që kanë ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e arsimit dhe zhvillimit profesional të të rinjve në Kosovë.

Takimet e tij me përfaqësues institucionalë, si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Turqi, kanë pasur gjithmonë një bosht të qartë: ndërtimin e partneriteteve afatgjata dhe promovimin e interesit të përbashkët kulturor dhe arsimor. Në këtë drejtim, Rexhep Gunduz shihet si një figurë bashkuese, që e kupton rolin e diasporës jo vetëm si mbështetje emocionale, por si faktor konkret zhvillimi.

Ai njihet nga bashkëpunëtorët si njeri i qetë, i drejtpërdrejtë dhe i vendosur, me ndjenjë të theksuar përgjegjësie kombëtare. Veprimtaria e tij është motivuar nga bindja se ruajtja e identitetit dhe ndihma ndaj vendlindjes janë detyrë morale dhe historike e çdo shqiptari në diasporë.

Rexhep Gunduz përfaqëson modelin e aktivistit modern të mërgatës – njeri që nuk harron rrënjët, që vepron me dinjitet dhe që e shndërron dashurinë për atdheun në punë konkrete. Në një kohë kur diaspora shqiptare ka rol gjithnjë e më të rëndësishëm, figura të tilla mbeten frymëzim dhe vlerë e çmuar për komunitetin shqiptar kudo që jeton.

KKVITI

Për këtë arsye, ai vlerësohet gjerësisht si përfaqësuesi më legjitim dhe më autoritativ i shqiptarëve në Turqi. Vetë Gunduz shprehet se lidhja e tij me Kosovën është e hershme dhe e thellë.

“Qysh si fëmijë e kam dashur Kosovën, vendlindjen time që lidhet ngushtë me Gjilanin. Kam takuar familje shqiptare në të gjitha trevat – në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë dhe gjithkund kam hasur mikpritje dhe tradita të bukura shqiptare. Kjo më jep vullnet e kurajo që shumë familje shqiptare nga Bursa t’i dërgojmë për vizita në vendlindje, që ta shohin vetë realitetin dhe rrënjët e tyre,” është shprehur ai.

Rexhep Gunduz nuk e fsheh shqetësimin e tij për rininë në Kosovë, veçanërisht për mungesën e perspektivës dhe përkrahjes institucionale. Sipas tij, investimi në të rinjtë duhet të jetë prioritet strategjik.

“Kosova ka një rini të mrekullueshme. Ajo duhet të trajnohet, të aftësohet profesionalisht dhe të mbështetet që të bëhet forcë zhvillimore e vendit. Përmes shoqatës sonë, rreth 100 të rinj janë trajnuar dhe aftësuar në Turqi, ndërsa ne po bëjmë përpjekje serioze për të sjellë investitorë dhe investime nga diaspora shqiptare në Turqi dhe më gjerë,” thekson Gunduz.

Ai shton se bashkëpunimi me institucionet e Kosovës është i vazhdueshëm dhe korrekt, duke përfshirë komunat, Qeverinë, Kuvendin, Odën Ekonomike të Kosovës dhe institucionet arsimore. Megjithatë, Gunduz ka edhe një kërkesë të drejtpërdrejtë dhe urgjente për institucionet qendrore.

“Çdo shqiptar në Bursa, që i ka prindërit apo njërin prej tyre të lindur në Kosovë, duhet të ketë të drejtën e nënshtetësisë shqiptare. Kjo është urgjente, sepse në këtë mënyrë ruajmë substancën e pastër shqiptare në diasporë. Nuk ka diasporë më të organizuar, më të sinqertë dhe më të përkushtuar sesa ajo e Bursës. Ata përkrahin çdo aksion me zemër, me vullnet dhe pa asnjë interes personal,” shprehet Gunduz.

Veprimtaria e Rexhep Gunduzit dëshmon se diaspora shqiptare, kur udhëhiqet me vizion, ndershmëri dhe përkushtim kombëtar, shndërrohet në forcë reale zhvillimi dhe mbështetjeje për vendin. Në këtë kuptim, ai mbetet një nga figurat më përfaqësuese dhe më me ndikim të shqiptarëve në Turqi./rajonipress/