Revolucioni i vitit 1981 dhe shpirti i një gjimnazist
Nga Bajram Kosumi – (Ode për heroin Afrim Abazin, gjimnazistin e vitit 1981)
Ora e lirisë
Në të gjitha kujtimet e shokëve e të shoqeve të Afrim Abazit, ai përshkruhet si një djalë energjik, i cili u dha me tërë qenien e tij për organizimin e demonstratave të 3 prillit 1981. Një nxënës i shkollës së mesme, shumë i ri, lë mënjanë detyrat e tij si nxënës dhe merr mbi vete një barrë tepër të rëndë: organizimin e një revolucioni! Mbase, pa marrë urdhër as kërkesë prej askujt.
Si u bë që një nxënës gjimnazi t’i lërë librat dhe detyrat e shtëpisë dhe të kapet për detyrat e mëdha të atdheut, e ta bëjë veten fli për organizimin e demonstratave? Si e kuptoi ai, dhe çdo nxënës e student tjetër i vitit 1981, të gjithë të rinj në moshë, se kishte rënë ora e lirisë ku duhej të lihej gjithçka anash e të niste revolucioni i madh i lirisë?
Kjo është pyetja që po mëtoj t’i jap një përgjigje në shenjë kujtimi e shenjtërimi, jo vetëm për jetën dhe veprën e Afrimit, po edhe për sakrificën e mijëra të rinjve e të rejave të tjerë që ndërruan kahen e historisë së shqiptarëve në vitin themel 1981.
Shoqëri politike
Në vitin 1981 shqiptarët e Kosovës treguan se janë një shoqëri politike: ata u ngritën në këmbë, në një revolucion demokratik, për të kërkuar lirinë, e formuluar në kërkesën për Republikën e Kosovës. Kishte dy arsye të forta pse ndodhi kjo:
– dhe dy, Jugosllavia po hynte ngadalë, por sigurt, në rrugën e humnerës, e shqiptarët, të cilët edhe ashtu nuk kishin pasur rol në krijimin e as në udhëheqjen e atij shteti, nuk donin të jenë bashkudhëtarë në atë rrugë humnere;
– dhe tre, ndoshta më e rëndësishmja, shqiptarët kishin krijuar një brez të inteligjencies së re e cila besonte në vete, besonte në liri, besonte në popullin shqiptar, ishte krenare në këtë besim dhe, mbi të gjitha, besonte se shqiptarët duhej dhe mund ta fitonin lirinë.
Në vitin 1981 ndryshoi fryma shpirtërore e intelektuale shqiptare: para vitit 1981 shqiptarët ishin një popull i nënshtruar dhe inferior ndaj Jugosllavisë, e mbas vitit 1981 shqiptarët besonin se liria ishte tashmë e tyre. E kujtoj me respekt një mendim, një ide të poetit Abdullah Konushevci: kur ecnim rrugës, më thoshte, mbas demonstratave, kur kaloja pranë njerëzve të pushtetit e ndjeja veten më krenar dhe më superior për ndërgjegjen time për lirinë. Ata po mundoheshin ta frenonin rrotën e nënshtrimit, e ne tashmë e kishim lëvizur përpara.
Kjo mendësi krenare për lirinë është produkti themelor i vitit 1981.
Shoqëri e përgatitur për lirinë
Lëvizja për çlirimin e Kosovës dhe të tokave të tjera shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia në vitin 1912 dhe të “legjitimuar” padrejtësisht me Konferencën e Paqes në Paris (1918) ka filluar me Hasan Prishtinën, Kadri Prishtinën e shokët e tyre. Ajo ka pasur krahun luftarak me Azem Bejtën me shokë. Pas Luftës së Dytë Botërore zjarrin e kësaj lëvizje e kanë mbajtur ndezur për dyzet vjet Adem Demaçi e Metush Krasniqi me shokë. Vulën e fitores ia ka vënë Adem Jashari me shokë.
Por, në këtë histori një shekullore, viti 1981 paraqet kthesën vendimtare: fillon faza e fundit e çlirimit, për të mos u ndalur deri në fitoren përfundimtare më 1999. Në këtë vit shqiptarët tregun botërisht se janë përgatitur për lirinë dhe duhet ta kenë lirinë. Kufiri midis shqiptarëve dhe Jugosllavisë është vënë në vitin 1981.
Është fat i madh që shoqëria shqiptare në atë kohë ka krijuar një klasë të re intelektuale, e aftë për ta parë veten të lirë, dhe e guximshme për të vepruar për çlirimin e Kosovës. Gjithçka që ka ndodhur pas vitit 1981 është jehonë, vetëm në forma të ndryshme, e atij viti. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është jo vetëm jehonë, por edhe vepër konkrete e njerëzve të krijuar në revolucion që nga viti 1981. Kjo është një lidhje e drejtpërdrejtë.
Flijimi për lirinë
Kushdo që ka pak informacion për një shtet monist e diktatorial, e ka një pamje se si mund të duket organizimi i demonstratave në një shtet të tillë. Ata që kanë organizuar demonstratat e kanë ditur se nuk ka kthim prapa: ose të pret burgu ose plumbi. Dhjetëra demonstrues janë vrarë, mijëra janë dënuar me burg, shumë prej tyre me dënimin maksimal- 15 vjet burg, qindra prej tyre janë ndjekur jashtë Kosovës. Ka qenë jo një demonstrim, por një revolucion me çmim shumë të lartë.
Por, liria nuk ka çmim.
Në vitin 1981 është mbrojtur e vërteta dhe liria. Ku ka mbrojtje më të madhe të së vërtetës nëse nëpër po thuajse të gjitha gjykimet kundër tyre, organizatorët dhe pjesëmarrësit e demonstratave mbronin me zjarr, me vendosmëri të pa shoqe idealet për lirinë e Kosovës? Edhe në vitet e gjata të burgut, të burgosurit politikë ia patën arritur t’i mposhtin shpirtërisht e kundërshtarët? Organet e burgjeve dhe inteligjencia policore serbe qe dorëzuar para vendosmërisë së të burgosurve politikë.
“Këta janë të pa përmirësueshëm!”- kanë thënë ata.
Organizimi i demonstratave
Revolucioni në vitin 1981 kishte mjaft aspekte spontane, në kuptimin se secili që ka dashur dhe guxuar ka mund ta bëjë një veprim në të mirë të revolucionit. Mirëpo, ka pasur plot grupe politike, “grupe ilegale”- si quheshin atëherë, të cilat me vite ishin organizuar dhe përgatitur për të nisur një revolucion për lirinë e Kosovës. Udhëheqës i njërit prej këtyre grupeve kam qenë edhe vetë. Thelbi i atyre demonstratave dhe i gjithë atij revolucioni nuk është spontan, por rezultat i punës së mijëra atdhetarëve të organizuar nëpër grupe ilegale, e të cilët e ndiqnin politikën kombëtare të Adem Demaçit.
Nuk janë fshehtësi emrat e atyre që kanë organizuar 11 marsin e 26 marsin 1981: ata janë dënuar nga gjykata jugosllave nga 6 deri në 15 vjet burg për atë organizim. Janë të njohur emrat e organizatorëve të çdo demonstrate në Kosovë. Shumica prej tyre kanë kaluar ose në përjetësi, ose në burgje të gjata.
Afrim Abazi
Njëri prej këtyre organizatorëve është edhe Afrim Abazi. Një gjimnazist, i cili qysh në fëmijëri ishte kujdesur për varrin e Mic Sokolit dhe ishte rritur me krenarinë e të qenit nga i njëjti vend me Mic Sokolin. Një djalë gjimnazi i cili për një çast e shmang rrugën e zakonshme të jetës, por me vullnet, me energji, me gjithë qenien e tij, për të hyrë në rrugën e përjetshme të jetës. Ai e ka kuptuar se kishte rënë ora e lirisë. Ai është njëri prej atyre të rinjve shqiptarë që me dëshirë e flijonte veten për lirinë, duke besuar fuqimisht se me atë flijim po krijonte një shoqëri të re njerëzish të lirë. I vetëdijshëm se po e ndërronte kahen e historisë. Ai e kishte kuptuar se kishte rënë ora e lirisë dhe ajo s’binte dy herë për shumë breza njerëzish. Njeriu ekziston për shumë arsye, por është vetëm një arsye për të cilën të gjitha arsyet e tjera heshtin dhe e lirojnë rrugën: kjo është arsyeja e lirisë, e jetës së lirë e të dinjitetshme. Mbase gjërat e shenjta, si liria, nuk kuptohen vetëm me logjikë, por edhe me shpirt: shpirti i tij e kishte kuptuar se kjo është ora e lirisë.
Vetëm këtu mund ta kuptojmë, ta pranojmë dhe ta shenjtërojmë hyrjen e shpejtë, energjinë dhe vullnetin madhështor për liri të një gjimnazisti, si Afrim Abazi, dhe të mijëra shokëve e shoqeve të tij. Njerëzit e zakonshëm e masin jetën me vite, prandaj pyesin”sa vjet jetoi?” Historia bën tjera llogari. Ajo pyet: “Çfarë krijoi ky njeri?” Në pyetjen e njerëzve të zakonshëm, Afrim Abazi dhe të gjithë heronjtë e tjerë të vitit 1981, të gjithë heronjtë e lirisë shqiptare, nuk kanë jetuar gjatë. Heronjtë vdesin të rinj në moshë. Por, në pyetjen e historisë, Afrim Abazi dhe të gjithë heronjtë e tjerë jetojnë gjatë: ata kanë krijuar epokën e re, të cilën edhe ne sot po e jetojmë.
Kujtimi për të kaluarën, në veçanti për revolucionin e vitit 1981, është kujtim në funksion të së sotmes: për ta zhvilluar sot më tej idealin tonë për lirinë. Kjo duhet të jetë edhe mirënjohje për ata që kanë sakrifikuar aq shumë, deri edhe jetën e tyre, por më shumë se mirënjohje është testim i vetvetes së sotme, testim i shoqërisë së sotme se a jemi duke ecur mirë e drejt hapave të lirisë? Sa herë që kujtojmë heronjtë, liria jonë e sotme ripërtërihet e rritet. Qoftë i përjetshëm kujtimi për heronjtë!.


