Reuters raporton për seancën e vonshme: Kosova shmangu zgjedhjet e reja
Kosova ka shmangur zgjedhjet e reja parlamentare pas një seance të vonshme të Kuvendit, ku Justina Shiroka Pula u zgjodh presidente e Republikës me 81 vota. Kështu raporton agjencia ndërkombëtare Reuters.
Votimi u zhvillua në orët e para të së mërkurës, pak para përfundimit të afatit kushtetues. Shiroka Pula mori 81 vota në Kuvendin me 120 deputetë, vetëm një votë më shumë se numri i nevojshëm.
Moszgjedhja e presidentit brenda afatit do të çonte në shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja parlamentare, sikurse kishte ndodhur në qershor.
Sipas Reuters, zgjedhja e Shiroka Pulës erdhi pas një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje, të kryeministrit Albin Kurti, dhe Partisë Demokratike të Kosovës, në një kohë kur në Kuvend po zhvillohej debat edhe për ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara në Hagë.
Pas votimit, Shiroka Pula deklaroi se mandati i saj nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve të Kosovës, duke u zotuar se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve.
Zgjedhja e saj u bë në të njëjtën seancë të jashtëzakonshme ku Kuvendi miratoi edhe ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara me 88 vota për.
Shiroka Pula, e lindur në vitin 1953, është presidente e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe profesoreshë e ekonomisë. Ajo ka shërbyer edhe si ministre e Ekonomisë nga viti 2008 deri më 2011.


