RCCOLA

Republika peng i autoritarizmit

/ 5 minuta lexim

Nga Sadri Ramabaja – Në procesin e ndërtimit dhe vlerësimit të shtetit modern, çështja e autoritetit dhe legjitimitetit mbetet element qenësor.

Tutje, thuhet në literaturën teorike mbi shtetin modern, ajo që e karakterizon shtetin nuk është vetëm pesha e madhe, që i jepet autoritetit ligjor për mishërimin e parimeve abstrakte ligjore te shteti, të zbatuara nëpërmjet një aparati burokratik dhe gjyqësorit të paanshëm, por mbi të gjitha edhe idesë se se ai, pra shteti, personifikon dhe shpreh vullnetin (sovran) të popullit.

Një pjesë e spektrit politik në Kosovë, nuk kishin dhe nuk kanë përgjegjësi për detyrimet morale dhe politike, që në shoqëritë demokratike janë produkt i legjitimitetit. Natyrisht meqë kjo lagje e partive të tipit autoritar-feudal, respektivisht liderët e tyre, ende mëkohen në shtratin e mendësisë mesjetare, për të cilën legjitimiteti ose buronte nga autoriteti fetar, ose nga ai fisnor, si shprehje e traditës dhe rendit të kultivuar prej kohësh, e ka të vështirë të ambentohet në çfarëdo ambienti politik me predispozita progresive të epokës moderne që për bazament ka filozofinë mbi të cilën është ngritur shteti ligjor – racional.

Një krah i këtij spektri, i ndikuar nga konservatorizmi politik, që burim ka teorinë e integritetit dhe autonominë e individëve, nuk hezitojnë që Republikën ta shndërrojnë në peng të autoritarizmit personal. Dhe duket, kjo lagje politikanësh autoritar, shembëllim „Vëllazërisë islame“ në Egjipt dhe konceptit të partisë-shtet, respektivisht atij të ushtrisë mbi hierarkinë pushtetore, në procedura të shpejta mund ta formojnë qeverinë e re. Noli i madh këtë tip marshi të reaksionit politik që po kthehej në Shqipërinë e pas revolucionit demokratik të 1924-ës, e pati kamxhikosur me poezinë e tij antologjike Marshi i Barabait.

Përse po ndodh vallë, ky nxitim, respektivisht kjo lojë fjalësh rreth koalicionit të mundshëm mes PDK dhe AAK-së? Krijimi i koalicioneve qeveritare zakonisht është proces që ka kohën e vet në rendin demokratik. Shoqëritë moderne edhe për këtë çështje bazohen në disa rregulla dhe parime politike të njohura në rrafshin e teorisë parlamentare, atë ideologjik, etik e moral.

Nëse edhe më tej partitë politike i llogarisim si instanca të demokracisë përfaqësuese, atëherë produkt i kujt na rezultojnë të jenë koalicionet e deritashme në Republikën tonë, e veçmas ky që po presim të na inaugurohet? Nëse e kemi të qartë se demokracia ideale përjashton partitë si instanca përfaqësuese, demokracia reale që po mëtojmë ta ndërtojmë ndërlidhet edhe me demokracinë partiake. Ndërkaq mungesa reale e formacioneve politike që funksionojnë si kuaziparti, që janë ende larg stadit për plotësimin e kritereve minimale për t` u quajtur parti, e bën të pa qartë këtë nxitim politik për krijimin e këtij koalicioni mes PDK-së dhe AAK-së.

Insistimi që përmes rrugëve të shkurtra të arrihet maja e pushtetit, është karakteristikë e formacioneve politike konservative që „shtetëzojnë“ angazhimin qytetar dhe pengojnë strukturat politike të orientuara për hapje të dialogut brenda shoqërisë civile dhe përgjithësisht shoqërisë. Mbajtja nën korniza të rrepta të kontrollit të shoqërisë dhe depolitizimi para së gjithash i rinisë, janë produkt i këtij veprimi konservativ politik.

Eco Higjiena

Participimi politik, qytetar, është i ndërlidhur ngushtë me procesin në zhvillim të vet ndryshimit, lëvizjes progresive të shoqërisë përmes angazhimit të përhershëm qytetar. Të angazhohesh për të mirën e përgjithshme, për publiken dhe të jesh aktiv në proceset politike, nxit identifikimin e shoqërisë si tërësi me shoqëritë që kanë shkallë të lartë të vetëdijes politike dhe të zhvillimit demokratik.

Ndërkaq mungesa e vullnetit politik për ndërtimin e shtetit funksional, është produkt i anarkisë ideologjike dhe mosidentifikimit, respektivisht mungesës së gjakimit për demokracinë.

Nëse këto parti do të ishin në kuptimin e vërtetë të fjalës formacione politike demokratike, atëherë statutet e tyre do të garantonin respektimin e minimumit të vullnetit politik të anëtarësisë. Prandaj ajo që do të ishte krejtësisht normale dhe e pritshme, nëse jo fare publike, së paku në strukturat e që të dy këtyre grupimeve kuazipolitike, do të duhej të shtrohej për debat vullneti politik dhe vizioni për Republikën. Vallë, a mjafton që vetëm dy liderët dhe një grusht individësh rreth tyre të jenë në dijeni se çfarë fshihet prapa kësaj ngutje?

Nëse viti 2013 është programuar nga Brukseli si viti kur do të merren vendime „të dhimbshme, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë“, siç qe shprehur baronesha Aeshton kohë më parë, atëherë është e qartë se kujt i ngutet dhe përse nxitohet në krijimin e koalicionit PDK/AAK.

Thaçi personalisht dhe garnitura parapolitike që e ka sjellë atë në pushtet, me qëndrimet ndaj VV, e sidomos përmes sulmeve të ulëta „personale“ ndaj personaliteteve të pakontestueshme atdhetare e politike të kësaj force progresive, në njërën anë tenton t` i shmanget debatit real politik lidhur me koncesionet që po i bën Serbisë, por edhe të krijoj huti në opinion dhe tek inteligjencia e re që po e ndjenë nevojën urgjente që ka Republika për racionalitet politik dhe rikthim të politikës si hap i parë drejt inaugurimit të shtetit ligjor racional.

Ky veprim i kësaj garniture është shantazh i kulluar politik, tipik për strukturat parapolitike. Por vazhdimi me insistim në aplikimin e kësaj strategjie kundruall VV si opozita e vetme, flet qartë se kryeministri dhe jo vetëm ai janë të vetëdijshëm se çasti historik që po kalon Republika është edhe shansi i tyre i fundit.