ARKATANA

Republika e Ëndrrave

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Imer Mushkolaj – Kadri Veseli po premton Kosovë të ëndrrave, nëse bëhet kryeministër. Por, paraprakisht ai duhet të flasë për Republikën e Ëndrrave të Parealizuara, shumë të premtuar nga partia e tij dhe ish-kryetari i tij. Veseli nuk mund të shitet si Njeri i Ri, përderisa përfaqëson një mendësi politike të konsumuar. Kosova e sotme në masën më të madhe është trashëgimi e qeverisjes së PDK’së.

Të lexosh intervistën e anëtarit të Këshillit Drejtues të PDK’së, Rexhep Hoti, në gazetën “Epoka e re”, nuk e di nëse më parë duhet të qeshësh a të qash. Ato që i thotë Hoti – i portretizuar në media si “Bajram Geci i PDK’së”, në kuptimin e servilizmit ndaj liderëve partiakë – janë një tragjikomedi e vërtetë.

Duke e çuar në qiell kryetarin e tashëm të partisë së tij, ai flet për “epokën e Kadri Veselit si kryeministër”. Sipas tij, me këtë “epokë” po merr fund njëherë e përgjithmonë harresa, injorimi dhe bërja politikë larg qytetarit. “Me të po fillon epoka që politika në vetvete të funksionalizohet për qytetarin, në shërbim të tij. Ajo është shpikur për t’i shërbyer atij, e jo për t’i shërbyer vetvetes”, thotë Hoti.

Por, ai nuk ndalet me kaq. Sipas tij, Kosova ka ndryshuar pamjen nëpërmjet PDK’së dhe se para ardhjes së saj në pushtet, vendi ishte i ndryshkur. Po sipas Hotit, me Veselin kryeministër, qytetari do të ketë të holla në xhep, jo vetëm për vete, por edhe për familje.

Po t’i lexojë dikush që nuk jeton në Kosovë këto vlerësime, do të mund të ngazëllehej për “epokën” që po vjen. Do të mendonte se Kosova qenka qeverisur kushedi nga kush, e jo nga PDK tash një dekadë. Do të mendonte se përnjëmend ky Veseli qenka shpëtimtari i një vendi të shkuar dëm nga “dikush”. Por, kush është “dikushi”, në këtë rast? PDK, po kush tjetër.

Duhet të jesh vërtet iracional që të japësh të tilla deklarata, aq më parë si zyrtar i një partie që tash dhjetë vjet ka bërë çfarë ka dashur e ka vepruar si ka dashur.

E Kosova që kemi sot është në masë të madhe rezultat i qeverisjes së partisë së Hotit e të Veselit. Është trashëgimi e qeverisjes së Hashim Thaçit.

* * *

Gjatë gjithë turit të tij të ashtuquajtur “dëgjimor”, Veseli ka folur për zhvillimin ekonomik dhe punësimin e qytetarëve. Ai nuk ka hezituar të kritikojë edhe prioritetet e qeverisjes së partisë së tij. Të martën, ai u tregua kritik ndaj qasjes së Qeverisë ndaj sektorit të bujqësisë, sektor ky për të cilin PDK vite me radhë ka thënë se është bërë shumë. Sipas Veselit, fokusi dhe investimet duhet të kthehen te qytetari.

Mobi Casa

Por, ku paskan qenë fokusi dhe investimet gjatë një dekade të kaluar? Vazhdimisht Hashim Thaçi dhe PDK, por edhe LDK, kanë premtuar investime, zhvillim ekonomik, punësim. Vazhdimisht kanë premtuar mirëqenie, rend e rregull. Por, nuk e kanë bërë.

Kadri Veseli po premton Kosovë të ëndrrave, nëse bëhet kryeministër. Por, paraprakisht ai duhet të flasë për Republikën e Ëndrrave të Parealizuara, shumë të premtuar nga partia e tij dhe ish-kryetari i tij. Veseli nuk mund të shitet si Njeri i Ri, përderisa përfaqëson një mendësi politike të konsumuar. Një qeverisje që nuk ka arritur të zgjidhë problemet e mëdha në sektorë kyç, si ekonomia, arsimi e shëndetësia.

Sot njerëzit kërkojnë shpëtim jashtë vendit, për shkak se sistemi nuk ua mundëson të shërohen në Kosovë. Shëndetësia është shndërruar më shumë në biznes dhe është kthyer në shërbim të mjekëve, sesa të qytetarëve.

Sot të rinjve nuk iu ofrohet një arsim cilësor. Institucionet publike arsimore janë mbushur me militantë partiakë, shumë nga të cilët kanë zënë pozita të rëndësishme me copa letrash të dyshimta, që i quajnë doktoratura.

Sot gati një e treta e kosovarëve jetojnë nën kufirin e varfërisë, me më pak se dy euro në ditë, ndërkaq një e dhjeta e tyre jetojnë në varfëri të skajshme, më më pak se një euro e njëzet centë në ditë.

Andaj, republika e premtuar e ëndrrave është republikë e shpresave të thyera për një të ardhme më të mirë, është republikë e stagnimit ekonomik, republikë e krimit të organizuar e korrupsionit, republikë e papunësisë dhe mungesës së mirëqenies.

* * *

Në intervistën e tij, Rexhep Hoti ka përmendur edhe të tjerë “margaritarë”. Sipas tij, ndryshe nga partitë tjera, PDK nuk është parti familjare dhe e dhunshme, por është e vetmja që ka projektuar ardhmëri, ndërtim e perspektivë demokratike për qytetarin, agjendë zhvillimi ekonomik, punë e shkollim cilësor. Ai, madje, ka gjetur edhe arsyen filozofike të përhapjes së madhe të korrupsionit: “Korrupsioni më i madh në Kosovë është korrupsioni brenda njeriut të Kosovës, por brenda asaj mendjeje, e konceptuar në këtë rast si vlerë apo jo vlerë”.

Kur lexon të tilla deklarata, të gjithëve na vijnë ndërmend zotimet e Hashim Thaçit për “zero tolerancë” ndaj korrupsionit, na vijnë ndërmend bisedat e Adem Grabovcit në aferën “Pronto”, na vijnë ndërmend premtimet për 200 mijë vende të reja pune. Një trashëgimi këto e rëndësishme e qeverisjes së partisë së Kadri Veselit, që po premton epokë të re si kryeministër, pa sqaruar çfarë ka ndodhur me epokën e Hashim Thaçit kryeministër.