Uji Dea

Rënia e PDK-së

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Pas 13 vjetësh në pushtet Partia Demokratike e Kosovës ka kaluar në taborin opozitar. Përveçqë PDK-ja nuk po e pranon që ka pësuar rënie, nuk po e pranon as fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit. Për PDK-në 2-3 deputetë nuk e përcaktojnë rënien ose shkëlqimin e ndonjë partie, shkruan gazeta “Zëri”.

Partia Demokratike e Kosovës, pas më shumë se një dekade në qeverisje, është zhvendosur nga ulëset qendrore të Kuvendit të Kosovës në ato anësore, ku zë vend blloku opozitar. Zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar e radhitën PDK-në si partinë e tretë, duke e lënë pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Mobi Casa

Pas këtyre zgjedhjeve partisë që tash udhëhiqet nga Kadri Veseli nuk iu dha asnjë mundësi për bashkëpunim qeveritar as nga partia e parë e as nga e dytë. Kjo për shkak të akuzave që LVV-ja e LDK-ja ia kanë bërë PDK-së për keqqeverisje gjatë kohës sa ka qenë në pushtet. Gjithashtu kjo konsiderohet të jetë arsyeja kryesore për rënien e PDK-së, që ish-partia e Hashim Thaçit e mori si ndëshkim nga populli, shkruan tutje “Zëri”.

Sipas analistëve, PDK-ja ka mundësi që duke u bërë opozitë racionale, gjë për të cilën kanë rezerva, mund të pastrohet dhe t’ia sigurojë vetes një radhitje më të mirë në zgjedhjet e ardhshme. Ata theksojnë se në rrugën e saj drejt rimëkëmbjes Partia Demokratike duhet ta pranojë realitetin e të qenit në opozitë dhe arsyen pse është atje, t’i reformojë strukturat e partisë dhe në krye të saj të vendosë njerëz me besueshmëri dhe t’i përdorë me arsye e me dinjitet mandatet opozitare.