Fundamenti

Rendi dhe ligji në një shesh dhe në një shtet

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Nga Blerim Shala- Nuk mund dot të thuash që po i mbroj interesat politik të Republikës së Kosovës, nëse asnjëherë nuk i ke respektuar Ligjet e kësaj Republike, nëse në fakt nuk e njeh Kushtetutën e këtij shteti, nëse, për më shumë, nuk e njeh fare as këtë shtet.

Në këtë politikën kosovare gjithnjë e më të zaptuar nga mosdurimi, tifozllëku, ndjenjat e pakontrolluara, debatet ku ethet dhe zjarrmitë janë tiparet e vetme që i karakterizojnë ato, a ka gjasa, a ka mundësi që temat dhe problemet kyç të shtrohen në mënyrë parimore, pa u dukur që po merr anë? Apo tani, kur frontet politike janë hapë edhe midis shesheve të Prishtinës, i vetmi zë që të mbetet, apo i vetmi opsion që e ke është ai i veshjes së fanellës së njërës apo tjetrës palë, përndryshe, mbetesh lakuriq, i sharë dhe i turpëruar prej te dy anëve, sepse atypari flet logjika kamotshëm e njohur, për të keq, gjithsesi, sipas të cilës, nëse nuk je me ne, je kundër kombit, kundër atdheut, kundër shtetit, sepse ne dhe askush tjetër jemi kombi, jemi atdheu, jemi shteti?

Çfarë do të thotë në të vërtetë të provosh të trajtosh në mënyrë parimore një temë a një sprovë që fund e krye karakterizoi javën e shkuar në Kosovë, duke qitë në shesh atë konkludimin më të rëndë të keq që ne akoma nuk po e dimë që jemi bërë shtet, dhe që secili prej nesh e ka obligim ta mbrojë dhe ta fuqizojë Republikën e Kosovës.

Kur secili prej nesh i përmendë këto formulime që sërish do të përsëriten këtu, nuk gjen një politikan a një qytetar të vetëm i cili do të thotë që ato janë të gabuara, apo që ato nuk duhet (patjetër) të respektohen.

Ja pra: Kushtetuta e Kosovës është dokumenti bazë legal i Republikës së Kosovës, dhe secili qytetar i Kosovës duhet ta respektoj atë, duke përfshirë këtu edhe qytetarët e Veriut të Kosovës. Pastaj: Askush nuk është mbi Ligjin. Pastaj: Korrupsioni është duke e dëmtuar tepër shumë politikën dhe shoqërinë kosovare. Vazhdojmë: Synimi final i Republikës së Kosovës është që Kosova të bëhet anëtare e Paktit NATO dhe e Bashkimit Evropian. Ecim tutje: Republika e Kosovës, në përmbushje të këtij synimi suprem, duhet të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë shtetet fqinje.

Kushtetuta e Kosovës dhe të gjitha Ligjet që janë miratuar në Kuvendin e Kosovës, nuk mund dot të trajtohen prej akëcilit prej nesh në mënyrë selektive, thuajse kemi të bëjmë me një “Tryezë Suedeze”, duke marrë vetëm atë çfarë na shkon për shtati neve, dhe duke i rënë shkelm, në kuptimin më brutal të fjalës, të gjitha neneve dhe kaptinave të tjera të Kushtetutës dhe të Ligjeve.

Po, është shumë e vërtetë që Kushtetuta garanton lirinë e shprehjes, të tubimit, të protestës, të artikulimit publik të qëndrimeve politike. Edhe Ligjet përkatëse pastaj detalizojnë këto të drejta. Por Kushtetuta dhe Ligjet pos garantimit të të drejtave, kanë brenda vetes edhe definimet e qarta të detyrimeve dhe obligimeve të cilat i kemi si qytetarë të Kosovës.

Pasiqë një protestë, ciladoqoftë ajo, ndryshon rendin dhe sigurinë e rëndomtë në një qytet, atëherë ata që janë në ballë të saj, në respektim të Ligjit përkatës, informojnë me kohë organet e rendit se për çfarë bëhet fjalë, dhe kush do të jetë përgjegjës për mbarëvajtjen e saj.

Liria e tubimit publik pra, ka edhe këtë detyrim shumë të zakonshëm kudo në Botën demokratike.

Fundamenti

Nuk mund dot të thirresh në një të drejtë, nëse nuk e përfill fare bazën ligjore që e ka legalizuar ate. Nuk mund dot të thuash që po i mbroj interesat politik të Republikës së Kosovës, nëse asnjëherë nuk i ke respektuar Ligjet e kësaj Republike, nëse në fakt nuk e njeh Kushtetutën e këtij shteti, nëse, për më shumë, nuk e njeh fare as këtë shtet, sepse thua që ai duhet të zhduket, për tu bashkuar me një shtet tjetër.

Nuk mundesh në mënyrë jashtëligjore dhe jokushtetuese, të mbrosh interesat e një shteti.

Në një shtet ligjor, në një demokraci parlamentare (të kuptohemi, me njëqind të meta të cilat përditë e më shumë bëhen të dukshme), askujt nuk i lejohet që vullnetin e tij politik ta prezantojë si vullnet të një populli të tërë. Legaliteti dhe legjitimiteti janë themelet e këtij vullneti, dhe ky vullnet mund të ndryshohet, përmes zgjedhjeve sa i përket atyre që i prinë institucioneve qendrore dhe komunale të tij, apo, edhe përmes ndryshimit të Kushtetutës dhe Ligjeve, me procedurat që janë sot në fuqi.

Demokracia njeh ndryshimin politik dhe legal. Kjo nuk është aspak e kontestueshme. Por dihet se si prezantohen këto ndryshime. Edhe me protesta dhe demonstrata masive gjithsesi, kur ato janë në përputhje me bazën ligjore të atij vendi. Ndërsa sjellja e organeve të rendit nuk mund të jetë tjetërfare, pos asaj që është kodifikuar ligjërisht. Policia e një vendi është më e thirrura që në mënyrë ligjore të mbrojë rendin dhe sigurinë.

Nuk do të duhej të ishte vështirë të mbërrihej tek ky shpjegim që del prej germës dhe frymës së një shteti ligjor.

Këtu, për më shumë, nuk mund të ketë dy lloj interpretimesh, pluralizëm shpjegimesh, apo shumësi komentimesh.

Askush nuk është mbi Ligjin, apo jo. Ky imperativ kategorik politik do të duhej të vlente prej Presidentit/Presidentes, Kryeministrit dhe deri tek politikanët dhe qytetarët e thjeshtë. Deri më tash, megjithatë, më së shumi ky imperativ ka vlejtur në rastin e dy Presidentëve. Thënë fare sinqerisht.

E kur jemi te Kushtetuta dhe te Ligji, dhe kur flasim për sheshin a sheshet e Prishtinës, sheshet e Kryeqytetit të Kosovës nuk i takojnë Qeverisë së Kosovës po as një partie a një lëvizje politike. Sheshet i takojnë vetëm qytetarëve të Prishtinës, ndërsa përkujesja për to është në duart e Kryetarit të qytetit/komunës dhe të qeverisë lokale. Apo jo.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)