Rektori Hajrizi në Samitin Ndërkombëtar Rinor për Paqe, potencon fuqinë e edukimit dhe shkencës në ndërtimin e paqes
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në panelin “The Making of a Peacebuilder – Resilience, Hope and Education”, në kuadër të Balkan International Youth Peace Summit 2026, organizuar nga YSP Balkan.
Duke folur për përvojën e tij personale, Rektori Hajrizi theksoi se për një gjeneratë që kishte përjetuar luftën, pasigurinë dhe mungesën e lirisë, përfundimi i luftës dhe fitimi i lirisë nuk përbënin fundin e rrugëtimit, por fillimin e një përgjegjësie të re: ndërtimin e institucioneve dhe krijimin e bazës mbi të cilën do të zhvillohej shoqëria e re.
Në këtë rrugëtim, ai veçoi veçanërisht rëndësinë e ndërtimit të sistemit të edukimit, nga shkollat dhe institucionet arsimore, te universitetet, kërkimi shkencor dhe kapacitetet për inovacion. Sipas tij, paqja dhe liria marrin kuptim të plotë atëherë kur shndërrohen në mundësi për të ndërtuar, zhvilluar dhe investuar në gjeneratat e ardhshme.
Duke e lidhur këtë proces me angazhimin e tij ndër vite, Rektori Hajrizi foli për rrugëtimin e tij nga përvoja e një të riu që kishte përjetuar një periudhë të vështirë në Kosovë, te angazhimi për krijimin dhe zhvillimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe ndërtimin e mundësive të reja për të rinjtë.
Ai theksoi se ndërtimi i paqes nuk përfundon me përfundimin e një konflikti, por vazhdon përmes punës së përditshme për të krijuar institucione të qëndrueshme, arsim cilësor, dije, shkencë, inovacion dhe mundësi për të rinjtë.
Në këtë kontekst, Rektori Hajrizi vuri në pah edhe rrugëtimin e UBT-së si pjesë e këtij angazhimi, duke e parë arsimin si një nga instrumentet kryesore për transformimin e një shoqërie që ka kaluar nëpër periudha të vështira. Sipas tij, universitetet duhet të krijojnë jo vetëm profesionistë të rinj, por edhe qytetarë të aftë për të menduar në mënyrë kritike, për të bashkëpunuar dhe për të kontribuar në zhvillimin e shoqërisë.
Samiti bëri bashkë ekspertë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe të rinj nga vende të ndryshme, duke krijuar një hapësirë për diskutim mbi përvojat e ndërtimit të paqes, reziliencën, shpresën, edukimin dhe rolin e gjeneratës së re në krijimin e shoqërive më të qëndrueshme dhe paqësore.

