Rektori është fajtor
Konkursi për studime të doktoraturës në Universitetin e Prishtinës, i cili ishte shpallur rreth dy muaj më parë, ka ngjallur shumë reagime. Studentët të cilët kanë kandiduar në këto studime në UP, janë shprehur shumë të pakënaqur me vlerësimin që ua ka bërë Komisioni Vlerësues për studime të doktoratës në këtë institucion.
Madje, disa prej kandidatëve, të intervistuar nga Kosovapress, thonë se gjithë fajet i ka rektori Ibrahim Gashi, të cilin e akuzojnë edhe për manipulim të konkursit.
Sipas tyre, kandidatëve për doktorantë iu bë e padrejtë kur konkursi gati i finalizuar, u rikthye në Senat ku edhe u ndryshuan kriteret e vlerësimit nga ato që edhe ishin fillimisht të parapara me konkursin e hapur në muajin tetor të këtij viti.
Asistenti i Fakultetit Filozofik, i cili është ligjërues i lëndës “Shkenca Ndihmëse të Historisë” dhe “Historia e Evropës Juglindore-shek. 16-18”, Arian Janova, thotë se në bazë të kritereve të përcaktuara qysh në fillim të konkursit, ai ka qenë i pranuar. Mirëpo, Janova thotë se ka mbetë jashtë listës së doktoraturës atëherë kur Senati i UP-së i ka ndryshuar kriteret e vlerësimit të konkursit, duke mos e marrë parasysh as kriterin bazë, që sipas tij, ka qenë përparësia e kandidatëve, të cilët janë staf i brendshëm i UP-së, si asistentë të angazhuar apo të rregullt.
“Së pari, unë jam pranuar në konkursin e ligjshëm dhe të rregullt për doktoratura, në konkursin e parë që ka qenë ligjor unë jam pranuar. Kriteret që kanë qenë bazë, nota mesatare, unë e kam plotësuar, pastaj ka qenë anglishtja vlerësuese, unë e kam kaluar, ka qenë intervista, unë e kam kaluar. Mirëpo, fatkeqësisht ka ndodh një vendim arbitrar, jashtë konkursit dhe ai një muaj e diçka pasi kanë dalë rezultatet publike për doktoratura ku rektori i UP-së ka marrë një vendim që ata, të cilët nuk e kanë notën mesatare mbi 8, ata që nuk e kanë anglishten 30 për qind dhe intervistën 30 për qind eliminohen. Kështu që mua fatkeqësisht anglishtja më ka eliminuar, por unë mendoj që është shkelje ligjore, shkelje kushtetuese, sepse, unë kam aplikuar në një konkurs që ka qenë publik dhe është bazuar në ligjet, rregulloret dhe në Statutin e UP-së, por Senati dhe rektori e kanë bërë një shkelje dhe unë mendoj që është një vendim i gabuar që anglishtja të jetë eliminuese, njëkohësisht edhe intervista”, ka thënë Janova, duke shtuar se Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve për doktoraturë nuk i ka marrë parasysh punimet shkencore që i kanë pas kandidatët, por, e kanë marrë parasysh intervistën, gjë që, sipas Janovës, nuk është faktike dhe se nuk ka argumente se cili kandidat është më i mirë e cili më i dobët.
Sipas Janovës, Komisioni Intervistues i ka pyetur kandidatët se cila është arsyeja që ka dashur të studioj në nivelin e doktoratës, cila është fusha që kandidati e ka përzgjedhë për të studiuar si dhe cila është arsyeja që kandidati e ka zgjedhë atë fushë studimi, në bazë të të cilave përgjigje, sipas Janovës, Komisioni ka dhënë vlerësime sipas dëshirës.
“Unë personalisht kur kam aplikuar, kam aplikuar në bazë të kritereve që kanë qenë në konkurs që ka qenë publik, kështu që unë nuk e di as vet pse pasi u mbyll konkursi, pasi janë pranuar ose kanë kaluar listat në Senat është marrë një vendim i dytë. Për atë mund ta pyesni më shumë rektorin, ai e di pyeteni atë sepse ai e din, edhe unë e di, por ai e di më mirë pse është marrë ky vendim. Rektori është i zoti i shtëpisë dhe nuk mund të hidhet faji askund tjetër, është përgjegjësi ekskluzive e rektorit kështu që pyeteni rektorin se rektori e di. Unë nuk do të flas sot por do të vijë koha kur do të flas”, ka deklaruar Janova për Kosovapress.
Po ashtu, edhe një grup tjetër prej 5 studentëve, të cilët janë staf i brendshëm i UP-së por që nuk kanë dashur të identifikohen publikisht (emrat e të cilëve janë të njohur për redaksinë), janë shprehur të shqetësuar për vendimin e UP-së në konkursin e doktoratave. Sipas përfaqësuesit të grupit, në listën e parë të hartuar nga Komisioni Vlerësues dhe i miratuar nga Senati i UP-së, ai dhe katër kolegët e tij kanë qenë të pranishëm si të pranuar në doktoratë. Mirëpo, sipas kandidatit, gjithçka ka ndryshuar kur lista është kthyer në Senat, gjë që ka ndodh një ditë para se të publikohet lista e të pranuarve në ueb-faqen e UP-së. Ai ka thënë për Kosovapress se ka bërë ankesë edhe në Rektorat, mirëpo, ka shtuar se nuk i di arsyet e largimit nga lista e pranuarve, pasi nuk ka marrë ende përgjigje, derisa shton se të gjitha kriteret e kërkuara me konkurs i ka plotësuar paraprakisht.
Por, se kriteret e vlerësimit në konkursin për studime të doktoratës u ndryshuan në fund të rrugës, e pranon edhe vet Rektori i UP-së, Ibrahim Gashi. Mirëpo, ai këtë veprim e arsyeton me tendencën e ngritjes së cilësisë në këtë nivel të studimeve.
“Fillimisht vlerësimet që i kanë bërë njësitë akademike mbi bazën e konkursit dhe mbi bazën e rregullores për studime të doktoratës dhe Statutit të Universitetit të Prishtinës, ne e kemi pranuar, me lista të të pranuarve kanë qenë të përfshirë edhe disa kandidatë që e kanë pas notën mesatare nën 8 duke qenë se i kanë mbledhë pikët nga kategoritë tjera si gjuha e huaj, publikimet, intervistat, specializimet. Në ndërkohë, në mbledhjen e parë të Senatit është shpreh një shqetësim i përgjithshëm për nivelin e ulët të kandidatëve të pranuar, sidomos në disa fakultete dhe natyrisht ky shqetësim ka ardhë duke u rritur. Këtë shqetësim e ka ngritur edhe Parlamenti Studentor dhe ne, edhe Senati i ka rishikuar edhe një herë vendimet me një kërkesë të Parlamentit Studentor te Komisioni i Ankesave, ka shikuar edhe një herë vendimi e vet të mëparshëm, dhe në mbledhjen e fundit, pra më 22 të 11-it, Senati e ka nxjerrë një vendim unanimisht, domethënë me votë unanime e ka nxjerrë një vendim sipas të cilit është aplikuar pragu minimal. Domethënë pragu minimal i notës mesatare, pragu minimal i testit të gjuhës angleze dhe pragu minimal i intervistës”, është shprehur Rektori Gashi për Kosovapress.
Sipas Rektorit, kriteret u ndryshuan pas përzgjedhjes së kandidatëve.
“Nuk kanë qenë specifikisht, nuk ka pas pragje sepse rregullorja nuk parasheh prag, nuk parasheh as Statuti, mirëpo në konkurs ka qenë e vënë nota mesatare 8 në versionin e parë. Domethënë në konkurs ka qenë, por nuk ka qenë kriter eliminues, por ka qenë kriter vlerësues dhe ne e kemi interpretuar kështu. Por, shqetësimet që janë ngrit se në disa njësi akademike, siç e thash, niveli është i ulët. Shembull kemi njësi akademike ku vetëm 3 kandidat i plotësojnë kushtet dhe 15 të tjerë bien tash, sepse, kanë qenë nën këto kritere, përkatësisht, nën pragun në kategoritë vlerësuese që i përmenda dhe, natyrisht, ne meqë jemi institucion që kemi numër të madhë të studentëve të nivelit master kemi mundësinë m’i përzgjedh më të mirët. Kemi ardhë në përfundim, në fakt, Senati, njëzëri, ka ardhë në përfundim që nuk është mirë të nxitohemi t’i zëmë vendet, ani pse ato vende mund të mbesin të lira dhe mund të plotësohen me një konkurs tjetër po në vitin tjetër”, ka deklaruar Gashi.
Mirëpo, se kriteret e konkursit nuk duhen ndryshuar pasi në atë të aplikojnë kandidatët e aq më pak pasi të përzgjidhen, e thotë edhe interpretuesja e ligjit, Albana Merja, e cila merret me hulumtime në “Grupin për Studime Juridike dhe Politike”.
“Rregullat janë përcaktuar dhe gjithmonë duhen zbatuar. Në qoftë se në një rregullore që në fillim të konkursit shpallen rregullat, atëherë në atë të asaj rregulloreje duhen zbatuar ato rregulla. Nuk është e drejtë që rregullat të ndryshohen gjatë një konkursi, pavarësisht se ato mund ta përmirësojnë konkursin, sepse, do marrim rastin e gjuhës angleze, është një rregull shumë i mirë, është një rregull që e rrit konkurueshmërinë, e rrit nivelin e studiuesve që do të aplikojnë për doktoraturë, por, duhet ditur që në fillim. Dhe, në rregullore thotë që është, gjuha angleze është një kriter vlerësues, pra e liston kandidatin me një listë të caktuar, shembull mund të jetë i pari apo i njëzeti apo mund të skualifikohet dhe vetëm në këtë aspekt atëherë ajo duhet marrë si kusht për të hyrë apo jo, për t’u pranuar apo jo gjatë studimeve për doktoraturë”, është shprehur Merja për Kosovapress.
Ndërkohë, për shqetësimin e ngritur nga kandidatët dhe aplikuesit në studime të doktoraturës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë është në dijeni edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi, ka thënë për Kosovapress se ka dëgjuar për një shqetësim të tillë, por është shprehur se zyrtarit nuk ka pranuar ende asnjë ankesë nga asnjë kandidat për një gjë të tillë. Megjithatë, ai ka theksuar se të gjithë kandidatët, të cilët janë të pakënaqur me procedurat e këtij konkursi apo edhe të konkurseve tjera dhe mendojnë se u është bërë e padrejtë, pasi ta kenë bërë ankesën në institucionin përkatës, një gjë të tillë mund ta bëjnë edhe në MASHT dhe më vonë në gjykatën përkatëse apo edhe në të dyja njëkohësisht. Gashi është shprehur se në rast se e pranon një ankesë të tillë do ta shqyrtoj dhe do të sheh nëse është shkelur ligji apo jo, derisa ka preferuar që të mos supozoj nëse një gjë e tillë do të ishte e ligjshme apo jo, pa e pasur vendimin zyrtarisht.
Të gjitha shqetësimet lidhur me konkursin për studime të doktoraturës në UP janë ngritur pasi që kandidatët, të cilët kanë aplikuar në këtë konkurs dhe të cilët jozyrtarisht kanë marrë vesh se janë pranuar, emrat e tyre nuk i kanë parë në listat e tilla pasi me vendim të Rektorit, vendimi për kandidatët e pranuar në këto studime, vetëm një ditë para se të publikohej zyrtarisht, është kthyer mbrapsht, në mbledhjen e Senatit, i cili ka vendos që disa kritere, të cilat janë quajtur si vlerësuese dhe aplikuesve kanë mundur t’u shtojnë apo t’u heqin pikë, janë vendos si kritere përjashtuese, gjë që ka bërë që shumë kandidatë të mos arrijnë të hyjnë në listat e të pranuarve.
Me këtë vendim, UP nuk e ka respektuar asnjërin nga kriteret elementare të konkursit, i cili përparësi u ka dhënë stafit të brendshëm, duke bërë që kriteret e reja të vendosura në këtë konkurs të përjashtojnë numër të madh të asistentëve të angazhuar apo edhe të rregullt nga lista e doktoratës.
Ndërsa, konkursi ua ka mundësuar regjistrimin në doktoratë kandidatëve, të cilët shkollimin paraprak e kanë përfunduar në institucione tjera jashtë UP-së, madje pa plotësuar as provime diferenciale, gjë që ndodh me nivelin bachelor dhe master në po të njëjtin institucion.
UP, për tri ditë me radhë pas publikimit të listave të kandidatëve të pranuar në doktoratë, ka pranuar rreth 150 ankesa gjithsej, ka bërë të ditur Zyra për Informim e këtij institucioni, të cilat ankesa, sipas kësaj zyre, do të shqyrtohen ditëve në vijim.


