Rektori dhe dekanët duhet të jenë menaxherë, e jo aparatçikë të partisë

Nga Fadil Maloku – 1. Gjatë gjithë kohës së pasluftës është kultivuar (njëherë nëpërmjet: LDK-së, tani PDK-së) stereotipi i vënies së monopolit të Universitetit Publik nga politika… nëpërmjet partizimit! Mjerisht, kjo traditë është duke vazhduar edhe në ditët e sotme me rastin shpalljes (në fakt; improvizimit!) së zgjedhjeve të përgjithshme në Universitetin “Hasan Prishtina”, në të cilin pothuajse në të gjitha fakultetet, u ndërtua një praktikë e njëjtë e (leximit të CV-së) përzgjedhjes së dekanëve.
2. Praktika leximit të CV-ve, si gjoja kriter përcaktues për të shprehur vullnetin e kandidatit (lexo: grupit, klanit apo partisë) për t’u përzgjedhur në postin e dekanit, pa ndonjë ofertë konkrete të ilustruar me: obligime dhe përgjegjësi paraprake në formë të një projekti ideor, nga ana gjithë atyre që dëshiruan të bëhen dekanë, për mendimin tim jo vetëm që ishte absurde po në fakt ishte banale dhe tejet jomorale!
3. Ishte absurde, për shkak se; leximi i CV-ve, para kolegëve me asnjë element s’e dëshmon as aftësinë e as paaftësinë e kandidatëve mu zgjedhë dekan, aq më tepër kur posti i të qenit dekan në çdo njësi akademike s’është vetëm privilegj, e as post akademik e intelektual, por një post menaxherial, të cilin çdokush s’e posedon si dhunti!
4. Ishte banale, sepse votimi do të duhej të dilte si një “product” i ballafaqimeve konceptuale midis dy apo më shumë kandidatëve, e jo i klaneve e grupimeve; politike, klienteliste, e besa në disa fakultete (po del!) edhe mafioze!
5. Ishte jomorale, për shkak se dolën në pah si: inatet, xhelozitë profesionale, naivitetet e barrikadimit pro et contra, konformizmat, stigmatizimet e panevojshme, varësitë hierarkike akademike brenda Fakulteteve,…etj. ashtu, edhe vula e organizimit partiak!/epoka e re/