Eko Higjiena

Rekomandohen shpronësimet e dy parcelave në Kodrën e Dëshmorëve

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Komiteti për Pronë, Banim dhe Rindërtim (KPBR), i ka rekomanduar të enjten Kuvendit Komunal të Gjilanit shpalljen e interesit publik në Kodrën e Dëshmorëve, ku në këtë lokacion parashihet ndërtimi i një rezervuari të ri të ujit të pijes për nevoja të qytetit, ka thënë Ali Arifi, kryesues i kësaj trupe komunale.

Drita Bajrami nga drejtoria për Shërbime Publike, e cila e ka arsyetuar propozimin, ka thënë se është siguruar një donacion nga qeveria zvicerane për ndërtimin e një rezervuari të ujit, me kapacitet prej 3000 m/3, projekt ky që do të realizohet në afërsi të rezervuarit ekzistues në Kodrën e Dëshmorëve, i cili është vjetërsuar dhe nuk ka as kapacitete për t`i plotësuar nevojat e qytetit.

Obligim ynë si komunë në këtë projekt, është shpronësimi i dy parcelave private, të cilat duhet t`i bashkëngjiten hapësirës së tërësishme ku ndërtohet rezervuari, që kryesisht është pronë komunale, prandaj për t`i hyrë kësaj procedure, është e nevojshme që këto ngastra të shpallen zonë me interes publik nga Kuvendi Komunal, proces ky që fillon me rekomandim në Komitetin e Pronës, ka thënë ajo.

Bajrami tha se projekti do të bëhet sipas standardeve zvicerane dhe do të jetë një zgjidhje afatgjate për qytetin e Gjilanit, i cili furnizohet me ujë nga dy drejtime, Përlepnica dhe Velekinca dhe rezervuari është i nevojshëm për kushtet e rritjes së nevojave për ujë dhe shpërndarjes së tij në kuota më të larta të qytetit.

Hidromorava

Bajrami ka thënë se projekti është në fazën e dizajnimit nga ekspertët e qeverisë zvicerane dhe pritet të fillojë vitin e ardhshëm, pasi të jenë kryer të gjitha procedurat tjera paraprake, ndërkaq, sipas dinamikës së planifikuar, duhet të përfundojë në fund të vitit 2013.

Sali Fazliu nga drejtoria e Kadastrës ka sqaruar se shumica e pronave ku parashihet të realizohet projekti janë komunale, por dy prej tyre, me një sipërfaqe rreth 25 ari, u përkasin pronarëve privatë, pa shpronësimin e të cilave nuk mund të arrihet qëllimi dhe të realizohet donacioni.

Komiteti për Pronë, Banim dhe Rindërtim i dha mbështetje të plotë propozimit për ndërtimin e këtij rezervuari të ujit në Kodrën e Dëshmorëve dhe i rekomandoi Kuvendit Komunal, që në seancën e kësaj jave të miratojë vendimin për shpalljen e interesit publik./rajonipress/