Uji Dea

Reklamat me përmasa të mëdha po shqetësojnë qytetarët e Vitisë

/ 2 minuta lexim
FIDANISHTJA

Viti – Reklamat me dimensione të mëdha, të vendosura përgjatë rrugëve kryesore dhe hapësirave publike në qytetin e Vitisë, po shndërrohen në një shqetësim serioz për qytetarët, shoferët dhe këmbësorët.

Sipas EVSB-së, shumë qytetarë kanë shprehur brengat e tyre lidhur me ndikimin negativ që këto tabela reklamuese kanë në qarkullimin rrugor dhe në sigurinë publike. Ata kërkojnë nga organet përgjegjëse komunale që të marrin parasysh këto shqetësime dhe të ndërmarrin masa konkrete për largimin ose rregullimin e reklamave të bizneseve që janë të vendosura në mënyrë të pakontrolluar në rrugët kryesore të qytetit, ka bërë të ditur Imri Emërllahu.

Qytetarët gjithashtu ngrenë pyetjen nëse ekziston një plan adekuat dhe i mirëfilltë për menaxhimin e reklamave në hapësirat publike, jo vetëm në qytet, por edhe në rrugët dytësore. Sipas tyre, në shumë raste këto reklama janë të vendosura pa leje përkatëse dhe pa projekte të definuara, ndërsa disa prej tyre paraqesin edhe rrezik potencial për kalimtarët dhe pjesëmarrësit në trafik.

Një nga rastet më të përfolura është reklama e kompanisë “Gorenje”, për të cilën ka ankesa të vazhdueshme nga shoferët dhe këmbësorët. Ata theksojnë se tabela në fjalë pengon pamjen në rrugë dhe cenon drejtpërdrejt sigurinë e qytetarëve.

Uji Dea

Sipas EVSB-së, kjo tabelë reklamuese është vetëm njëra nga shumë të tilla, pasi në qytet ekzistojnë edhe tabela të tjera me përmasa të ngjashme që vështirësojnë lëvizjen dhe orientimin e drejtuesve të automjeteve dhe këmbësorëve.

Reklama e përmendur gjendet në afërsi të urës mbi lumin Moravë, përballë Stacionit të Autobusëve në Viti, një zonë me frekuentim të lartë ditor.

Se a do të ndërmerren masa konkrete në ditët në vijim për rregullimin e kësaj situate, apo do të vazhdojë kjo gjendje jo e kënaqshme për qytetarët, mbetet në përgjegjësinë e institucioneve përkatëse komunale, të cilat kanë për detyrë të sigurojnë rend, siguri dhe funksionalitet në hapësirat publike.

Koordinatori i EVSB-së për Komunën e Vitisë: Imri Emërllahu