Rehati për Presidenten
Presidentja Atifete Jahjaga ka mbushur të dielën dy vjet prej se ka ardhur në postin më të lartë shtetëror. Ajo mund të vazhdojë të mos e ketë ndonjë problem për pozitën e saj për shkak të mospajtimeve të partive për mënyrën se si do të bëhet zgjedhja e Presidentit të ardhshëm. Burime të Express kanë thënë se posti i saj rrezikohet vetëm nëse bëhet koalicioni PDK-AAK.
Atifete Jahjaga i ka mbushur të dielën dy vjet në krye të shtetit, dhe mund të vazhdojë të mbajë postin e Presidentes, e lehtësuar edhe pas komplikimeve që kanë ndodhur në reformën kushtetuese.
Partitë politike pas dy vitesh punë në ndryshimet kushtetuese kanë vendosur të kthejnë në pikën zero këtë punë. PDK, AAK, Vetëvendosje dhe partitë e pakicave kanë përkrahur opsionin e vjetër që Presidenti të votohet në Kuvend.
Ndërsa, LDK dhe AKR kanë kërkuar të vazhdohet reforma dhe të mundësohet që Presidenti i ardhshëm të del nga votat e popullit.
Burime të Express kanë thënë se Jahjaga mund të largohet vetëm nëse e shkel Kushtetutën ose partitë politike arrijnë marrëveshje për ta shkarkuar.
“Opsionin tjetër e ka thënë vet Presidentja, e cila ka kërkuar pajtim të partive politike për të përfunduar reformën kushtetuese. Pa akordimin e partive s’ka largim të Presidentes” ka thënë një zyrtar i Presidentes, pa dashur t’i përmendet emri.
Ky zyrtar ka thënë se posti i Presidentes mund të preket në rast të një koalicioni PDK-AAK.
“Edhe në këtë rast, PDK dhe AAK duhet t’i sigurojnë të paktën 2/3 e votave të deputetëve për ta shkarkuar Jahjagën. Këtë opsion nuk e përkrah Isa Mustafa dhe Albin Kurti”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, Jahjaga është përballur me kërkesën e LDK’së dhe AKR’së për t’u larguar nga posti i Presidentes në myhyrë që t’i lëshojë rrugë zgjedhjeve të drejtpërdrejta presidenciale.
Pas ardhjes së Ramush Haradinajt në Kosovë ishte përmendur mundësia që Lideri i PDK’së të votohej për President ndërsa Kryetari i AAK’së në postin e Kryeministrit.
Në atë kohë, Haradinaj nuk e pati përjashtuar një mundësinë që edhe Jahjaga të sakrifikohej për t’i hapur rrugë koalicionit PDK-AAK.
Zyrtarët e PDK’së dhe AAK’së nuk kanë dashur të flasin zyrtarisht për mundësinë që ta shkarkojnë Jahjagën pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që prite të mbahen vitin e ardhshëm.

