Regjistrimi i programuar i nxënësve për klasën e parë

Nga Shefik Shkodra- Edhe pse nxënësi ka të drejtë të zgjedh mësuesin dhe të regjistrohet ku dëshiron, një praktikë e tillë ishte shumë problematike në kushte tona.
Kjo ishte dhe është e pranishme në gjithë shkollat e Kosovës. Secili dëshiron te mësues i “aftë”, të themi kushtimisht. Kjo mënyrë sjell kokëçarje edhe drejtorëve të shkollave, mësimdhënësve, Drejtorisë së arsimit, por edhe prindërve, etj.
Zgjedhja e disa mësuesve dhe herë-herë, rritja e numrit të nxënësve te ata shkaktonte mungesë te një numër tjetër i mësuesve, madje edhe injoroheshin këta të fundit në të njëjtin profesion. Duke u koncentruar pjesa më e madhe e nxënësve më të ngritur nga familja, por edhe me influencë regjistrimin te disa mësues (numër i kufizuar e i “pranueshëm”), si “vetëm ky ose kjo” mund të jetë për fëmijën tonë, pjesa tjetër e mësuesve sikur binte nga procesi arsimor, si të “pa aftë” e të papunë. Në realitet, jo gjithherë e të gjithë ishin këta të fundit mësues të papunë e të papërgatitur. Mirëpo, kjo mënyrë e paraqiste gjendjen publikisht si të tillë.
Shkurt, më lehtë është të bëhesh punëtor i dalluar me një grup nxënësish, të cilët i përkasin një elite shoqërore të ngritur. Tash, merre një paralele pak më heterogjene në pikëpamje sociale e intelektuale, ndoshta shumë të papërgatitur dhe të shohim si do të kemi sukses, duke mos na munguar edhe puna jonë si do herë.
Klasat e para në Gjilan nisin vitin shkollor me regjistrim të programuar
Programimi i regjistrimit dhe i ndarjes së nxënësve do të kryhet a) sipas alfabetit, kush dhe kudo që qëllon, është diçka “pa hidhërim”, b) në numër dhe gjini proporcionalisht, dhe c) në bazë rajonizimit.
Pastaj, kjo ndarje futet në zarf të mbyllur dhe u ofrohet mësuesve ta tërheqin “fatin” e tyre. Është kjo një provë mjaft e qëlluar që po realizohet këtë herë nëpër shkollat fillore të Gjilanit. Realisht më nuk ka pse të ngarkohet asnjëri prej mësuesve. Secili arsimtar (mësues) mundet të vijoj e të punoj pa u shqetësuar shumë prej atyre që thuhet se janë më të mirët, ata sigurisht të tillë edhe do të mbeten.
Pra, do të shihet brenda një viti shkollor se, a është e vërtetë se ka mësimdhënës të papunë e të papërgatitur. Cili është ai/ajo që nuk ka sukses me klasën që do ta udhëheq për katër-pesë vite. A është e vërtetë se, mësuesi/sja shkon në shkollë dhe vetëm u thotë nxënësve, hapni librat faqe…dhe lexoni në heshtje sa herë që do, vetë kotet para tyre ose merret me punë të tjera. Nuk është krejt e njohur, nga paaftësia apo nga përtacia e papërgjegjësia.
Tash do ta vërejmë bashkë me prindërit, të cilët duhet të jenë më kritikë edhe gjatë vitit shkollor e në kontakt të përhershëm me mësuesin/sen. Dhe nuk ka mundësi askush të ketë alibi, se për shkak të nxënësve më pak të ngritur, apo edhe të retarduar të mbetemi në verifikime të pa sakta. As ai/ajo nuk do të mbetet pa u verifikuar në punën e vet, që kishin përcjellë sa gjenerata me sukses të mirë e edhe të shkëlqyeshëm.
Kur të kemi arritje të mirë me nxënës më të dobët e më të papërgatitur, atëherë konstatojmë se, ky, kjo është mësues-e i zellshëm, i përgatitur dhe punëtor i mirë. Sigurisht, që më lehtë është, kur i merr nxënësit e zgjuar e nga një klasë intelektualësh. Dhe më lehtë është komunikimi me ta, po edhe raportet mësues-prindër ishin dhe janë më të kënaqshme.
Zgjedhja e deritashme ishte edhe injorim i një pjese të qytetarëve
Edhe pse dihet se në llogari të personelit mësimdhënës, të të gjitha shkallëve në arsim flasin kush si do e kush si t’i teket, por pak ka vlerësime reale nga institucionet relevante. Ndonjëri prej qytetarëve nuk ka ardhur në shprehje asnjëherë që të zgjedh mësuesin/sen. Ai është dashur të pajtohet si qytetar i një shtrese sociale pa respekt dhe pa kujdesin e barabartë në shoqërinë tonë.
Dhe, ka ndodhur që nxënësit e klasës së ulët qytetare të jenë më të aftë se sa të atyre që kanë pas mundësinë t’u sigurojnë kushte e mësues të duhur.