Refuzimi i shtetit, OJQ-të, liria e medies dhe ligji për mbrojtjen e gazetarëve

/ 9 minuta lexim

Shkruan: Nexhat Buzuku – Filozofi grek Aristoteli thoshte se e donte mësuesin e tij Platonin, por më shumë i pëlqente e vërteta. Aristoteli:” Amicus Platon sed magis amica veritas” – E dua Platonin ,por më shumë e dua të vërtetën.

Fjala e lirë është supreme, ajo është kryefjala e demokracisë, por fjala e lirë është e plotë duke qenë e paanshme, korrekte, objektive, profesionale dhe krejtësisht e pavarur nga çfarëdo ndikimi politik, pushtetar apo pronarë të medies.

Një njeri, qytetar dhe shtetas i Kosovës, që kishte luftuar për lirinë dhe shtetin, pasi kishte fituar drejtësinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës u ballafaqua edhe një herë me gjyqin, këtë herë në Kosovë, dhe përsëri doli fitimtar, sepse u vërtetua që ishte i pafajshëm. E sa shumë artikuj janë shkruar në shtypin e Kosovës për të dhe sa shumë është lakuar emri i tij në TV.

Është e vetëkuptueshme se është fjala për Fatmir Limajn, deputet i Kuvendit të Kosovës, i cili pasi doli ballhapur, por nuk la pa mërzitur Beogradin dhe ndonjë tjetër edhe këtu, tha se “askund nuk shahet shteti si në Kosovë”, duke hapur me këtë rast një dimension shumë problematik dhe anakronik, që meriton analizë.

Pse vërtet aq shumë shahet shteti i Kosovës, ngase nuk janë përmbushur pritjet e qytetarëve që nga paralufta, kriza sociale dhe papunësia, që është shndërruar në problem global, varfëria, nga papërgjegjësia në qeverisje dhe politikbërja e keqe e lidershipit politik institucional, atij opozitar dhe në tërësi brishtësia dhe vaktësia funksionale e aparatit shtetëror.

Apo, shteti përditë po shahet se dikujt nuk po i pëlqen që ka humbur betejën e tij politike për pushtet dhe i dështuar ka mbetur në margjina të politikës, apo sikleti i të mosqenurit në krye të pushtetit shtetëror. Ky pohim mund të jetë edhe spekulativ edhe hipotetik.

Zërat qytetar, analistë e kolumnistë, kryeredaktorë e redaktorë…thonë se nuk është mirë, po e dimë që kështu nuk po na pëlqen, shprehen të parët. Të dytët dhe të tretët pohojnë se shteti është i kapur…, as këta nuk tregojnë nga kush, emrat, sepse misioni i tyre është korrigjimi dhe kontrollimi, trysnia pozitive për reflektim dhe përmirësim, se kanë mision pasqyrimin, por disa sish janë shndërruar në anues të njërës apo palës tjetër, e qytetarin e përdorin vetëm si karrrem, duke u thirrë gjithmonë në emër të tij.

Rreshtimi social apo stratifikimi shoqëror ende nuk është i përfunduar në vendin e dalë nga lufta, për shkak të pranisë së mentalitetit patriarkal dhe gjysmëfisnor, dhe të partive politike si “konstruksione sociale”, siç i quajti sociologu Fadil Maloku në një trajtesë për shtetin.

Prandaj, ambiciet e 58 partive politike të paprofolizuara shpërfaqin po kaq interesa heterogjene dhe diversitete, pasi rirreshtimi i tyre programor dhe ideologjik ende nuk ka nisur e lëre të ketë përfunduar, duke vepruar sipas modelit të kastës – grupime shoqërore në Indi nga të cilat vështirë dilet dhe po kaq vështirë hyhet, sepse cenohen interesat brenda grupit dhe frika nga rrënimi i homogjenitetit të brendshëm.

Sondazhet kanë treguar se shqiptarët janë populli më optimistë karshi popujve të tjerë, por në raport me shtetin e tyre duken krejtësisht ndryshe – shumë të pakënaqur që e formuluar logjikisht i bie të jenë refuzues të shtetit të tyre.

Mirëpo, a janë qytetarët vërtet aq të pakënaqur sa prezanton media, disa sosh, apo ndonjëra nga ato, a është kjo pakënaqësi e tillë çfarë e paraqet ndonjë OJQ që nuk përfaqëson as qëndrimin dhe as mendimin e një përqindëshi të qytetarëve, duke qenë se këto OJQ kanë nga dy-tre anëtarë.

Një ilustrim, një OJQ në Gjilan ka vetëm themeluesin e saj, dhe ai është drejtor ekzekutiv, është zëdhënës e çka jo. Atëherë kë përfaqëson realisht kjo OJQ dhe ato të tjerat në vend, sidomos në kryeqytet, që përpiqen të imponojnë opinionin e tyre, duke qenë një lloj “pushteti i fshehur” që herë pas here “sulmon” pushtetin faktik dhe të dalë nga vota.

Një ilustrim tjetër tregoi drejtori i një shkolle në Gjilan, që nuk kishte lejuar organizimin e parambrëmjes të maturantëve për shkak të drojës së ndonjë incidenti dhe konsumimit të drogës e alkooolit në lokalin ku ishte paraparë të mbahej. “Erdhi në zyrë gazetarja së bashku me kameramanin nga njëra prej tre TV-ve qendrore të Kosovës dhe më kërkuan të deklaroja se pse nuk kisha lejuar parambrëmjen.

Mobi Casa

U thashë pse nuk po vini kur e kemi ditën e shkollës dhe kur aty prezantohen rezultatet dhe sukseset, por gazetarja ma ktheu: ‘Këso lajme na kërkojnë në televizion’. Domethënë kërkojnë lajme të këqija dhe jo të mira i thashë unë”, tregon drejtori i Gjimnazit të Gjilanit.

Në këtë proces sharjesh, zhgënjimesh, frustrimesh dhe pamundësisë së ushtrimit të rolit të vërtetë për të ndërtuar një shtet funksional, do të duhej të kontribuonin më shumë në përmirësimin e imazhit edhe partitë politike, shoqëria civile, mediet dhe institucionet tjera.

Por e keqja është se asnjëra nga këto segmente nuk janë në rrugë të duhur. Përkundrazi, ato vazhdojnë garën kush po mohon më shumë, kush po e zgjeron fondin e fyerjeve, kush po boton tituj më nënçmues e linçues, kush po e nis shtypin apo edicionin e lajmeve me lajmin e parë denigrues – me lajm të zi.

Qytetari tashmë është mësuar dhe e di se çfarë lajmesh do të ketë në TV e shkrime në gazetë dhe cili do të jetë lajmi i parë – i bardhë jo se jo, i zi – patjetër.
Një deputete e Kuvendit të Kosovës ” doli me propozimin që të hartohet e miratohet ligji për mbrojtjen e gazetarëve. Nuk e tha nga kush të mbrojë ky ligj gazetarët, nga shteti, nga pronarët e medieve ku punojnë gazetarët, nga bosët e medieve, të cilët ndaj gazetarëve ushtrojnë një “mobing” (…nënshtrimi i gazetarit).

Në demokraci, si formë e organizimit shoqëror e politik, ku duhet të sundojë rregulli dhe parimësia, edhe partitë politikë, edhe shoqëria civile, edhe mediet kanë përgjegjësitë e tyre qytetare dhe para qytetarit, kanë përgjegjësi morale, shoqërore dhe ligjore.

Në asnjë shtet nuk mund të ketë një ligj për dikë, për një profesion, për një kategori njerëzish, por ligji është për të gjithë, dhe para ligjit të gjithë duhet jenë të barabartë. Vetëm në sisteme totalitare, vetëm në rende e sisteme parapartiake, parapolitike dhe parashtetërore e ideologjike mund të kishte e mund të ketë ligje të veçanta për akcilën shtresë a kategori shoqërore. Nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal, të cilat me gjasë do të ndryshohen, nuk janë një arsye e mjaftueshme për të nxjerr një ligj të ri për mbrojtje të gazetarëve.

Si duket këtu të gjithë po prodhojmë paradokse, madje po improvizojmë e simulojmë, dhe po e rikthejmë atë sloganin totalitar se kush nuk është me gazetarë është tradhëtar, që sipas kësaj logjike të gjitha janë tradhëtarë, armiq, kundër njëri tjetrit. Apo siç e thoshte empiristi Tomas Hobsi “Hommo hominis lupus est” – Njeriu për njeriun është ujk dhe “Bellum omnium contra omnes” – Të gjithë në luftë kundër të gjithëve.

Në Kodin e medieve të shtypura të Kosovës në njërën nga dispozitat e tij thuhet: “Gazetarët nuk do të veprojnë si përfaqësues të opinionit publik. Mediat nuk mund t’i zëvendësojnë funksionet specifike të autoriteteve apo institucioneve publike”, Dispozitat e përgjithshme, 4, në kreun VII. te Intima – thuhet: “Shtypi do t’u shmanget ndërhyrjeve dhe kërkimeve në jetën private të një individi, pos nëse ndërhyrjet apo kërkimet e tilla janë të nevojshme për arsye të interesit publik”, ndërsa në kreun V. thuhet:”Gazetarët dhe redaktorët janë të obliguar të mos prejudikojnë fajësinë e një personi të akuzuar.

A janë respektuar këto parime të Kodit të medias së shkruar, dhe po të lexohen vetëm artikujt në rastin Limaj kuptohet më së miri se a është respektuar parimi në fjalë i Kodit të medias së shtypur.

Dikush e tha se “ne nuk e negociojmë lirinë tonë”, por nëse liria është e kufizuar, e ndrydhur apo e tjetërsuar ajo duhet të negociohet. E ndërsa liria është duke u zbehur ajo duhet mbrojtur nga shuarja.

Liria e medies është themeli dhe thelbi i një demokracie funksionale, por në emër të lirisë së medies nuk mund të keqpërdoret ajo, sepse ka shumë raste të devijimit të lirisë së medies, të keqpërdorimit të saj përmes dezinformimit që pastaj për mungesë argumentesh – burimesh të duhura pason përgënjeshtrimi që rrëzon ose mohon argumentimin e mbështetur në burime të rreme, anonime që nëse nuk konfirmohet vërtetësia e tyre del se janë burime iluzore.

Duke qenë prej vitesh pjesë aktive e lajmit nga terreni dhe një kohë edhe në cilësi të redaktorit, kam përshtypjen se ka një devijim dhe degradim të medieve, qoftë nga kriza sociale, nga kriza e arsyes apo iracionalitetit, a e qëllimeve politike të akcilit botues.

Më pëlqen lajmi, por më shumë e vërteta brenda atij lajmi, informacioni a komenti. “Amicus Platon sed magis amica veritas” – E dua Platonin por më shumë e dua të vërteten – thoshte filozofi grek Aristoteli.