Fundamenti

Refuzimi

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Vjosa (Osmani)Sadriu – Zgjedhjet e 8 qershorit u vlerësuan si zgjedhje kryesisht të rregullta, pa ndonjë keqpërdorim të madh që do të kishte efekt në rezultatin përfundimtar. Koalicioni i partive që ishin mbledhur rreth Partisë Demokratike të Kosovës doli i pari, përkundër faktit që ishte koalicion joparimor, keqpërdori buxhetin publik, bëri premtime të paarritshme dhe përfundimisht mblodhi vota klienteliste.

Këto keqpërdorime, dhe shumë të tjera që kanë ndodhur në 7 vite të qeverisjes së PDK-së, ishin arsyeja që bashkuan spektrin opozitar në një përpjekje për të parandaluar formimin e Qeverisë Thaçi III. Por përveç kësaj, këto parti treguan se asnjëra nuk dëshironte të bashkëpunojë, bashkëqeverisë dhe të asociohet me PDK-në. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, koalicioni potencial me PDK-në ka marrë refuzimin absolut në të gjitha organet e partisë. Ky qëndrim i LDK-së është parimor dhe pasojë e degradimit të qeverisjes në të gjitha nivelet.

Një koalicion i tillë i dy partive më të mëdha vetëm sa do ta kthente vendin prapa dhe nuk do të krijoheshin mundësitë për t’u përballur me sfidën kryesore të vendit që është sundimi i ligjit. Për LDK-në, bashkëqeverisja me njerëz që për momentin janë pjesë e establishmetit të PDK-së, të cilët janë të lidhur me krimin e korrupsionin, nuk do të ishte e mundur. Koalicioni i madh LDK-PDK i vitit 2007, përkundër faktit që ishte ndërtuar me një mbështetje të madhe ndërkombëtare dhe në prag të proceseve të rëndësishme të shtet-krijimit dhe shtetndërtimit, dëshmoi se gjuha e vetme që njerëz të caktuar të PDK-së dinë, është gjuha e kërcënimeve, e shantazhit dhe e mosrespektimit të ligjit dhe të partnerëve të koalicionit. Përfundimisht, ajo përvojë dëshmoi se PDK nuk kishte prioritet interesin e vendit apo procesin e shtetndërtimit, por shkatërrimin dhe kapjen e shtetit për interesa oligarkike.

Uji Dea

Dhe këtë mision ata e arritën në tri vitet e qeverisjes së Qeverisë Thaçi II. Misioni i tyre i ri, prandaj, do të ishte një vazhdim i këtij zaptimi të çdo institucioni shtetëror, e kësaj gjuhe shantazhuese e kërcënuese ndaj çdokujt, përfshirë edhe ndaj bizneseve private, pa zgjedhur mjete. Në këto rrethana, të gjitha partitë parlamentare shqiptare refuzuan kategorikisht bashkëqeverisjen me PDK, që nënkupton bashkëqeverisje me krimin. Prandaj, ky refuzim, përkundër fitores në vota, e bën PDK-në humbësen më të madhe morale të tërë këtij procesi. Refuzimi për të bashkëqeverisur, që i bëhet PDK-së nga i gjithë spektri politik shqiptar, është kundërpërgjigja më e mirë ndaj degradimit dhe kapjes së shtetit. Shembuj të izolimit të partive ekstremiste nëpër Evropë ka të shumta, por në shumicën e rasteve këto kanë qenë parti të vogla. Por izolimi që i bëhet një partie të madhe si PDK-ja, tregon se kjo parti duhet doemos të ndryshojë kurs dhe ta pastrojë vetveten nga mentaliteti që ka për qëllim vetëm përfitimin individual në kurriz të qytetarëve. Natyrisht, që edhe brenda PDK-së ka njerëz që besoj kanë për qëllim të mirën e vendit.

Mirëpo zëri i tyre nuk dëgjohet sa duhet në vendimmarrje. Prandaj me këtë establishment politik, LDK nuk e ka të mundur të bashkëqeverisë, sepse një bashkëqeverisje e tillë, përveç që nuk i sjellë asnjë dobi Kosovës dhe qytetarëve të saj, ajo do të shkatërronte çdo mundësi që Kosova të përparojë në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe të ndërtimit të imazhit si shtet ku sundon ligji, e jo krimi.

(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së)