Fundamenti

Reformat në fillim janë të vështira, por sjellin rezultate në të ardhmen

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan- Kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa, tha se reformat sado të vështira që duken në fillim për një pjesë të qytetarëve, veçanërisht prindërve dhe nxënësve, ato sjellin rezultate në të ardhmen, për të cilat jemi të interesuar të gjithë ne.

Me informatën rreth fillimit të vitit shkollor 2012/2013 me kohë, përgatitjet e nevojshme që janë bërë me mundësitë e Komunës nëpër shkollat e Gjilanit është hapur mbledhja me drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Gjilanit.

Kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa, tha se reformat sado të vështira që duken në fillim për një pjesë të qytetarëve, veçanërisht prindërve dhe nxënësve, ato sjellin rezultate në të ardhmen, për të cilat jemi të interesuar të gjithë ne.

Edhe regjistrimi i nxënësve në klasën e parë, atyre në klasën e dhjetë, pranimin e kuadrove konform kritereve të reja dhe rajonalizimin e shkollave, është në suaza të këtyre reformave që do të ndikojnë në kualitetin e mësimdhënies dhe mësim-nxënies e që drejtpërdrejt ndikon në trajtimin e barabartë dhe profesional të nxënësve.

Mustafa tha se edhe planifikimi për të ardhmen është bërë kryesisht drejt arsimit dhe investimeve në arsim. Jemi të përkushtuar që të investojmë sa më shumë në infrastrukturën shkollore dhe në përmirësimin e pozitës së arsimit në përgjithësi. Gjatë të ardhmes do të bëjmë edhe kualifikimin dhe rikualifikimin e mësimdhënësve nga klasa e I deri të V, sepse nga aty duhet të jepet maksimumi që fëmija pastaj të ketë më të lehtë aftësimin në nivele tjera të shkollimit.

Mobi Casa

Ndërsa Bujar Nevzati, drejtor i arsimit në Gjilan, ka thënë se këtë vit si drejtori kemi filluar edhe me një shkollë të re në lagjen e II dhe në muajin tetor pritet të filloj punën edhe shkolla e mesme e “Arbërisë”.

Ai tha se tekstet shkollore janë shpërndarë në të gjitha shkollat, përzgjedhja e punëtorëve të arsimit është bërë poashtu me kohë dhe kemi vetëm tri ankesa që është konfirmuar nga komisioni komunal për ankesa, se ato janë të pabazuara. Regjistrimi i nxënësve në klasën e parë, rreth 95%, ka shkuar sipas planifikimit, ndërsa regjistrimi i nxënësve në klasën e dhjetë, është bërë sipas kritereve. Si komunë kemi bërë rajonalizimin e shkollave të qytetit dhe në ditët në vazhdim do t’i informojmë prindërit dhe nxënësit për këtë hap dhe për veprimet në të ardhmen sa i përket rajonalizimit. Pra këtë vit e kemi nisur me katër reforma të reja në arsimin gjilanas, ku në të ardhmen do t’i shohim edhe rezultatet, tha drejtori i Arsimit.

Të gjithë drejtorët e shkollave u shprehën se mësimi ka filluar me rregull dhe plan-programi është duke u realizuar konform rregullit. Ata gjithashtu paraqitën edhe disa kërkesa të vogla për investime por që janë shumë me rëndësi për shkollat, për të cilat kryetari Mustafa tha se do të angazhohet në vazhdimësi.

Regjistrimi i nxënësve në klasën e parë ka shkaktuar një reagim të prindërve, por që me kohë edhe vet ata janë pajtuar se kjo është në shërbim të përmirësimit dhe ngritjes së vlerës së arsimit. Kurse testimi i kandidatëve për mësimdhënës nga lënda e matematikës dhe kulturës së gjuhës nuk ka asnjë ankesë pasi që vet kandidatët e kanë vlerësuar vetveten.

Sa i përket vendeve të lira për regjistrimin e nxënësve në klasën e dhjetë, drejtori i drejtorisë së arsimit informoi të gjithë të interesuarit se ka ende shumë vende të lira në disa drejtime të shkollës së mesme të bujqësisë dhe të teknikës dhe njëherit inkurajoi të gjithë nxënësit të cilët ende nuk janë regjistruar se këto dy shkolla kanë vende të lira në disa drejtime që janë edhe mjaft atraktive./rajonipress/