Reforma e Administratës Publike

Nga Raif Ramabaja – Një nga gabimet trashanike të Qeverive të kaluara si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror, pa dyshim se është edhe stërmbushja e administratës publike me numrin enormë të të punësuarve, atyre që financohen nga buxheti i shtetit të varfër të Kosovës.
Në vend që numri i të punësuarve të rritët në sektorin e ekonomisë, bujqësisë dhe industrisë (i cili është shkatërruar dhe gllabritur) përmes thithjes së investimeve nga brenda dhe jashtë vendit, kemi punësime të tepërta politike, partiake dhe familjare në sektorin publik.
Këtu nuk është analizuar nevoja reale për shërbime,por kush ka mundur, shpesh here edhe në mënyrë joligjore ka punësuar njerëz të “vetë” nevojë e pa nevojë. Për këtë fakt në opinion thuhet se në administratën publike të Kosovës ka më tepër personel të punësuar për afër 25-30 % .
Pikërisht për këtë, në opinionin publik është krijuar perceptimi se qëllimi kryesor i reformës së administratës publike është zvogëlimi i numrit të të punësuarve në shërbimet e shtetit. Ky perceptim është edhe një nga sfidat e kësaj reforme.
Shumë agjenci të shtrenjta shtetërore
Është dashur me qenë tepër i mençur për të shpikur dhe themeluar kaq shumë agjenci shtetërore, të cilat shumë pak ose fare nuk e arsyetojnë ekzistimin e tyre. Ato janë bërë barrë e rëndë për buxhetin dhe qytetarët e Kosovës, kur dihet se jo vetëm shefat e tyre, por, edhe të punësuarit atje marrin paga që ja kanë lakmi edhe perëndimorët. S’ka dilemë se këto agjenci me miratimin e shtetit po abuzojnë me paranë publike-buxhetin e Kosovës.
Shikojeni vetëm pagat marramendëse e të punësuarve në Trustin Pensional të Kosovës (TPK), Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), Agjencinë e Pronave, Organ Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), Shoqatën e Sigurimeve Kufitare, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), Borde të ndryshme etj. Këto agjenci dhe bordet e ndryshme të ndërmarrjeve publike janë bërë fole’ më të mira ku liderët politik dhe qeveritarë kanë rehatuar familjarët e tyre dhe militantët partiak, me ç’rast me bekimin e Qeverisë, në një farë mënyre “legalisht”po plaçkitin qytetarët dhe shtetin e Kosovës.
Reforma e administratës publike
Jo rastësisht thuhet se edhe reforma e administratës publike është një nga parakushtet që të jemi sa ma afër në integrimin e suksesshëm të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE).
Mirëpo, reformimi dhe modernizimi i administratës publike në vendin tonë është i nevojshëm, jo vetëm për aspiratën tonë drejtë BE por, para së gjithash si supozim për një shtet të përgjegjshëm,efikas dhe të lirë për nga kostoja.
Edhe më tutje qëndron bindja dhe vlerësimi se kemi një aparat megaloman shtetëror i cili “shpenzon para” të taksapaguesve pa një obligim që të konsultohet me po ata taksapagues për nevojat dhe projektet e përbashkëta.
Për këto dhe shumë arsye tjera, është nevojë imanente që sa më parë të shkohet në reformë të administratës publike.
Për t’a zbatuar me sukses reformën në administratën publike, gjithsesi është e nevojshme që Qeveria e Kosovës sa më shpejtë ta hartojë një Strategji për Reformën e Administratës Publike në Kosovë, me këtë vizion: “zhvillimi dhe reformimi i administratës publike, e cila ka për qëllim që të jetë më efikase,efektive dhe më përgjegjëse,që qytetarëve t’ju ofrojë shërbime më të mira për më pak para, e që do të punojë në mënyrë transparente dhe të hapur sipas kritereve të BE-së dhe e cila do të jetë një shtytës për një zhvillim shoqëroro-ekonomik permanent dhe të qëndrueshëm”.
Kjo Strategji, nuk duhet mbetur vetëm në letër sikur shumë strategji tjera, por, atë duhet zbatuar pikë për pikë, nëse dëshirojmë sukses në këtë lami.
Depolitizimi dhe profesionalizimi i sektorit publik është po ashtu një parakusht që qytetarët e këtij vendi ta kenë një servis të moderuar i cili mundët në mënyrë efikase dhe efektive t’ju përgjigjët kërkesave të tyre,
Sfidat reale të reformës
Sigurisht se Kosova si shet relativisht i ri ka shumë barriera-sfida të cilat mundën të paraqitën si pengesë në zbatimin e reformës në administratën publike. Ato janë të natyrës së ndryshme, por ne do t’i përmendim vetëm disa, për të cilat mendojmë se janë kryesorët:
shkalla e ulët e zhvillimit ekonomik;
mungesa e vullnetit politik për t’a zbatuar reformën;
koordinimi i dobët i pushtetit qendror me atë lokal;
qasje të ndryshme në zbatimin e reformës;
mungesa e vullnetit politik për të hyrë në reforma të dhimbshme të cilat mund të kenë si pasojë zvogëlimin e të punësuarve;
mungesa e rregullativës ligjore për caktimin efikas të përgjegjësisë për obligimet e pranuara;
dobësitë shumëvjeçare në politikën kuadrovike;
jotransparenca dhe politizimi i reformës;
mospërfillja e profesionalizmit gjatë zbatimit të reformës,etj.
Kjo strategji gjithsesi duhet shikuar si një proces, por që ka afatet dhe bartësit e përgjegjësive të caktuar për çdo detyrë dhe periudhë./rajonipress/