UBT

Refleksionet e nji 90 vjeçari

/ 22 minuta lexim
Mobi Casa

​Nga Sami Repishti – Më 18 korrik, nji grup kolegësh shqiptaroamerikanë organizuen nji Simpozium kushtue jetës dhe veprimtarisë sime. Tubimi u mbajt në International House­ Hall of History, N.Y. City. Morën pjesë shumë të rinj dhe të reja, dhe kjo më gëzoi….Më 18 korrik, nji grup kolegësh shqiptaroamerikanë organizuen nji Simpozium kushtue jetës dhe veprimtarisë sime. Tubimi u mbajt në International House­ Hall of History, N.Y. City. Morën pjesë shumë të rinj dhe të reja, dhe kjo më gëzoi. Përpjekjet me shërbye si nji urë lidhje në mes të dy breznive të bashkësisë sonë po japin frytet e para.

Shumica e të rinjve janë me arsim të naltë, por fatkeqësisht me njohje të kufizueme të gjuhës shqipe. Për këtë, Simpoziumi u zhvillue në dy gjuhët: shqip dhe anglisht. Ky zhvillim i dhimbshëm ashtë i paevitueshëm. I ndjeri Peshkop F. S. Noli e përballoi këtë problem kur vendosi të përkthejë shkrimet e shenjta nga greqishtja.

Të moshuemit, që flisnin pak anglisht, luteshin të përkthejë në shqip; të rinjtë që flisnin pak shqip, luteshin të përkthejë në anglisht. Peshkop Noli shikoi përpara, dhe na dhuroi nji ndër përkthimet ma të dallueme të shkrimeve të shenjta në gjuhën angleze. Që në minutat e para, gazetarët e mjeteve të shkrueme dhe të TV shqiptaroamerikane u drejtuen me pyetjen: “Cila ashtë arsyeja e angazhimit tuej në mbrojtjen e të drejtave të njeriut?” “Unë kam lindë e jetue në Shqipëri, – u përgjigja, ­nji vend që ka vuejt shumë dhe përjetue shumë trazime, nji vend ku jeta e njeriut ka kushtue pak. Aty ka fillue interesimi im kryesor. Nuk ka gja ma të shenjtë e ma të shtrenjtë se nji jetë njerëzore.

Ndjesinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, sidomos nga “autoriteti shtetnor” (kryesisht fashizmi dhe nazizmi) e kam pasë edhe para burgosjes sime. Kjo më ka vue në pozita kundërshtare me rregjimin komunist, që filloi shtypjen e shqiptarit të pafajshëm… Nga burgu kam dalë me nji bagazh të randë në kurriz. Sot i kushtoj punën time imperativit kategorik moral me qenë dëshmitar për ata që nuk kanë pasë mundësi me folë, sepse kanë vdekë në tortura e në qelitë e errta të burgjeve, ose nuk kanë pasë mundësi me folë. Jam përpjekë me qenë besnik i premtimit të dhanun viktimave që janë sakrifikue…. Dhe këtë premtim e kam mbajtë!”.

* * *

Në fjalën e shkurtë për pjesëmarrësit, unë shpreha disa bindje të mia të arrituna nga refleksionet e viteve të gjata. “Jam i dëshpruem, thashë, nga fakti që vazhdimisht shqiptarët, sidomos ‘elita politike’ e vendit nuk ka qenë në gjendje me tejkalue dogmatizmin ideologjik për hir të bashkimit kombëtar, dhe të përqendrohet në forcimin e nji identiteti shqiptar për çdo qytetar, dhe nji identitet shqiptar kolektiv i formuem lirisht…

Jam krenar që kam lindë shqiptar! Shqetësohem nga mungesa e unitetit kombëtar. Nuk flas për “uniformitet” dhe “konformizëm” që duhet të përbuzim. Por në çaste të vështira krize, qëndrime kambëngulëse në dogmatizëm ideologjik kanë sjellë situata si ajo e vitit 1997. Për ma tepër, unë besoj se në Shqipëri ekziston elementi i fortë, i aftë, dhe me dëshirën të ndihmojë vendin me ec përpara. Nji optimizëm të këtillë unë e justifikoj me zhvillimin e dekadave të fundit: shembullin botënor të mëshirës nga Nobelistja dhe e shenjta Nana Tereza, shembullin e shkëlqyeshëm të arritjeve shkencore nga Nobelisti Profesor Ferid Murad, dhe shembullin e përsosmënisë artistike dhe krijuese në fushën e letërsisë botënore nga Nobelisti i ardhshëm, Ismail Kadare, si dhe me sukseset e shumta të shqiptarëve sot të shpërndamë nëpër botë që dallohen në fushat e tyne të veprimit. Legjone për t’u admirue! Në nji Shqipëri të lirë, demokratike dhe përparimtare, këta shembuj shkëlqimi nuk do të mbetën të kufizuem. Dhe ky ashtë nji përparim i vërtetë!

* * *

Fatkeqsisht sot, shumë mendje të ndrituna kanë mbetë në heshtje, dhe kjo ashtë nji humbje e madhe për të gjithë. Në çaste të këtilla zhgënjimi, shkurajimi kthehet në porosi, ndoshta porosia ime kryesore:‘Vëllazën, motra, mjaft me luftë kundër njeni­ tjetrit, dhe me diskreditimin e njeni­tjetrit. Po të vazhdojmë kështu nuk arrijmë naltësitë e dëshirueme. Po nuk i dhamë dorën njeni­tjetrit, po nuk arritëm bashkimin tonë shpirtënor, nuk mund të ecim përpara”.

Asgja e re në këtë shprehje, ashtu si në porosinë “Duejeni të afërmin!’; por ashtë nji vlerë permanente, e padiskutueshme. Shqipëria sot nuk ka anmiq të jashtëm që kërcënojnë, sepse jemi anëtarë të NATO­s, organizatë e mbrojtjes kolektive. Shqipëria nuk ka anmiq të mbrendshëm; ajo ka kundërshtarë, por “kundërshtari” në Shqipëri ashtë nji qytetar i lirë që mendon “ndryshe” nga ne. Kjo nuk ashtë anmiqsi! Nuk ka gjykatë, as formë dënimi, që mjafton me ndëshkue krimin kundër njerëzimit, kundër të pafajshmit në vendin tonë. Aq ma tepër sepse në rastin e Shqipërisë, karakteri dallues i rezistencës antidiktatoriale ka qenë pafajësia. Rezistenca kundër okupatorit dhe kundër shtypjes së diktaturës vendase, ashtë nji akt i justifikuem ligjërisht dhe i detyrueshëm moralisht; nuk ashtë faj i dënueshëm!

Por kjo pafajësi u ndëshkue rreptësisht. Konceptet “armiku i klasës”, “armiku i Partisë”, “armiku i popullit” janë zbulime monstruoze të rregjimeve shtypëse që nuk respektojnë lirinë e njeriut, e të qytetarit të lirë. Në Shqipëri, “armiku i trilluem” ka qenë fshatari, “viktimë” e traditave të besës, nderit, burrnisë, mikpritjes me të gjithë thjeshtësinë e tij; kleriku, sidomos katolik, “viktimë” e shërbimeve shpirtënore në skajet ma të largëta e ma të vorfna të vendit tonë; intelektuali “viktimë” i arsimimit në institucione shkollore të botës së lirë. Nga “demonizimi” i tyne ideologjik ata përfunduen në asgjësim fizik si armiq të “popullit”­ që ata deshën dhe i shërbyen me devotshmëni. Ashtë nji faqe e tragjedisë së shoqnisë shqiptare!

Trashëgimi i randë i kësaj tragjedie peshon edhe sot mbi supet tona, edhe sot influencon mendimet tona, edhe sot na nxitë në aksione shkatërrimtare të shoqnisë dhe shtetit tonë… Tejkalimi i nji gjendjeje të këtillë nuk ashtë i lehtë. Por alternativa ashtë: urrejtja e përhershme; urrejtja, që na njohim shumë mirë, ky kancer që shkatërron të gjithë ata që e ushqejnë. Dhe, tejkalimi i kësaj gjendje do të vijë vetëm kur të gjithë shqiptarët të kuptojnë se e ardhmja e fëmijëve të tyne ashtë ma e randësishme se urrejtja për “tjetrin”, … qoftë ky edhe fajtori kryesor i fatkeqsisë sonë. Nandëdhjetë vjet! Nji kohë e gjatë me ngjarje të shëmtueme dhe shpresa të këputuna për shumë bashkatdhetarë që u sakrifikuen në altarin e atdheut tonë të përbashkët. Ashtë e pabesueshme: që nga viti 1912, gjashtë fuqi të hueja invaduen vendin tonë.

Për çdo invadim ka pasë rezistencë të armatosun. Duket sikur shqiptari lindë me pushkë në brez dhe e zbrazë atë pa ndërpremje. Fryma e rezistencës u ushqye nga aktet barbare të shtypjes dhe poshtënimit që i hueji hodhi pa mëshirë mbi ne. Nuk u ndërtue rruga, nuk u hap shkolla, nuk u botue libri. Edhe pena nuk shkroi! Na paguem çmimin me mbrapambetje.

* * *

Mbas Shpalljes së Pavarësisë, 1912, shteti i ri shqiptar u trondit nga rrymet aventureske që shkelen premtimin e “asnjanësisë”. Nji Komision Ndërkombëtar dhe nji mbret i huej u imponue nga bindja e Europës se jemi të paaftë për vetëqeverisje. Lufta I Botënore pruni okupacionet austriake, italiane, franceze, greke, serbe dhe malazeze me të gjitha rrjedhimet e tyne. Anmiqsitë e “Të Mëdhejve” nuk lejuen bashkimin e tokave shqiptare.

U banë përpjekje “me u njohë nga bota e jashtme” që nuk na përfilli deri në pranimin tonë në Lidhjen e Kombeve (dhetor 1920), fitore që studjues të huej e krahasojnë me “shpalljen e pavarësisë”. Atëherë, Shqipëria vuni themelet e para si shtet i lirë dhe i pavarun. E pavarun, Shqipëria hyni në “Histori”. Ndërtimi i “shtetit” u tregue nji ndërmarrje përtej fuqive dhe aftësive tona me u ngritë. Parlamentarizmi i pafryt dhe grindjet politike provokuen “lëvizjen e qershorit 1924”, që dështoi mbas gjashtë muejsh, dhe solli autoritarizmin e “shefit” si president ma parë dhe si “mbret” i vetëshpallun ma vonë (1928). Katër kryengritje dështake vijuen: 1926, 1932, 1935 dhe 1937. Megjithatë u vendos rendi publik; u importue legjislacioni civil e kriminal nga Europa; por u institucionalizue vorfënia.

Kjo solli varësinë tonë politike! Okupacioni fashist italian i 7 prillit 1939 hapi nji epokë të re për ne dhe zbuloi dobësitë tona, njikohësisht. Largimi i palavdishëm i mbretit, mungesa e patriotizmit në radhët e oficerëve, korrupsioni i zyrtarëve që pranuen okupacionin (sidomos deputetët), dhe vorfënia e madhe e viteve të Pavarësisë, dobësuen fibrën e rezistencës, dhe i mohuen Shqipërisë nji rast të shkëlqyeshëm me tregue guximin tradicional kundrejt nji force ushtarake që ma vonë u revelue e paaftë. Me agresion, Italia nxori Shqipërinë jashtë “Historisë” dhe e vuni atë në pozitën e nënshtrimit të plotë, pa emen, pa dinjitet.

U desht rezistenca e armatosun me u rikthye në “Histori”, 28 Nandor 1942: njohja e rezistencës shqiptare nga Aleanca e Madhe Antifashiste anglosovjeto­amerikane. Rrjedhimet e okupacionit u reveluen fatale: diktaturat – e zezë, e murrme, e kuqe, ndoqën njena­tjetrën. Shoqnia shqiptare u traumatizue shumë keq, humbi orientimin dhe përfundoi në nji gjendje alarmante. Rezistenca e lavdishme dhe kolaboracioni i turpshëm ishin binomi i viteve të pushtimit. Ata që jetuen ato vite, kujtojnë sensin e paaftësisë me veprue, shtypjen e popullsisë dhe poshtërimin e vendit nga udhëheqjet kolaboracioniste, thellësisht të komprometueme, që i shërbejshin interesave të të huejit, ose ato personale e të pushtetit të ngritun si instrument i forcës brute të diktaturës. Efektet e këtij poshtërimi i vuejmë akoma sot.

Që nga viti 1912 deri në viti 1991, për shtatëdhjetë e nandë vite jetë të shtetit shqiptar, pesëdhjetë e dy vite kaluen nën tri diktatura të ndryshme, katërmbëdhjetë vite në rregjimin autokratik të monarkut, katër vite në kaosin e nji parlamentarizmi pa fryt, dhe tetë vite nën okupacionet e vazhdueshme të fqinjëve tonë. Ky trashëgim i trishtueshëm randon mendjet dhe ndërgjegjet tona edhe sot. Kështu, nuk ashtë nji “rastësi” që Shqipëria nuk pati mundësi me vue themelet e nji shteti të lirë, të pavarun, demokratik dhe ekonomikisht të zhvilluem, me nji shoqni shqiptare të qytetnueme dhe të ndërgjegjshme për detyrat civile e politike, nji shtet ligjor, institucione demokratike… dhe jo nji shtet të kapriçove individuale, ashtu siç vazhdon të jetë edhe sot.

* * *

Para situatave të këtilla të imponueme nga jashtë ose të vendosuna me forcë nga mbrenda e në kondita jashtëzakonisht të vështira, nji popullsi pa udhëheqje të vërtetë tregoi vitalitetin e saj. Rezistenca gjithëpopullore kundër rrethimit shkatërrues serbo­malazez të qytetit të Shkodrës, 1912­13 dhe 1920, lufta heroike e Vlorës 1920, përleshjet e përgjakshme të Lumës, Lurës e Dibrës, dhe gjithë Kosovës, kundërshtimi i armatosun i banorëve kufitarë me Greqinë, janë frytet e lavdishme të këtij vitaliteti që pengoi vdekjen e atdheut tonë.

Por në frontin e mbrendshëm mirëkuptimi në mes të shqiptarëve nuk u arrit ashtu si shpresohej. Ndasitë politike, fetare, krahinore, e shoqënore nuk u “zhdukën” me kalimin e kohës. Me okupacionin fashist italian të 7 prillit 1939 dhe efektet e luftës në vend, disorientimi i popullsisë arriti kulmin. Prania e nji gjysëm miljoni ushtarësh të huej në vend me konsumimet e tyne krijoi kondita ma të favorshme ekonomike, nji fenomen që dobësoi frymën e rezistencës dhe sensibilizimin e popullsisë për gjendjen e krijueme.

Por ajo që transformoi traumën në ndërgjegjsim, frikën në guxim, dhe që krijoi urgjencën për aksion “këtu dhe tani” ka qenë, për mendimin tim, nji “aksident historik” i shkaktuem nga forca të jashtme, larg vendit tonë, dhe me përpjestime shumë ma të mëdha se aftësia e jonë me përballue, ose me kontrollue. Ky “aksident historik” ka qenë sulmi nazist gjerman kundër ishBashkimit Sovjetik, qershor 1941. Nji organizatë me degë botënore, “Internacionalja Komuniste” (Komintern) e drejtueme nga Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik nën kryesinë e satrapit aziatik J. V. Stalin (nji organizatë që u revelue si dora e “imperializmit pansllav”), mobilizoi elementin komunist ndërkombëtar, besnikë të bindun të Moskës dhe të “ekspertëve” në lëvizje revolucionare me dhunë; ajo u shpërnda në të gjithë Europën, e përfshiu edhe Shqipërinë, me krijimin e PKSH­së, nandor 1941.

Mobi Casa

Dy vjet e gjysëm mbas okupacionit fashist të vendit, elementi pro­komunist sulmonte akoma “plutokracinë anglofranceze”, fortesë e kapitalit botënor, dhe lavdëronte aleancën nazi­komuniste të gushtit 1939, si “aleanca e dy partive punëtore kundër kapitalit”. U desh sulmi nazist gjerman kundër Bashkimit Sovjetik me ndryshue situatën e krijueme. Asnji aksion kundër fashistëve në Shqipëri nuk u krye nga komunistët shqiptarë gjatë kësaj kohe.

Ashtë në këtë pikë kritike që PK Jugosllave filloi intervenimin e saj në Shqipëri me forma të organizueme të luftës guerrile, dhe me elementë të stërvitun e ideologjikisht të përgatitun. Jugosllavët formuen PK shqiptare dhe komunistët shqiptarë e simpatizueset e tyne të bindun e mirëpritën këtë mundësi. Atmosfera politike në Shqipëri ishte e favorshme. Të tjera grupime politike, si Balli Kombëtar republikan dhe Lëvizja e Legalitetit monarkiste, kishin fillue veprimtaritë e tyne si forca të rezistencës kundër okupatorit, por me metoda “të vjetrueme” për nji situatë të re, dhe me organizim të dobët.

PKS iu nënshtrue nji organizimi rigoroz, nji disiplinë ushtarake, nji indoktrinimi çmendës, dhe pranoi dhunën si instrument i luftës së tyne kundër okupatorit dhe të gjithë atyne që e kundërshtuen. “Ata që na përkrahen janë me ne; të tjerët janë armiqt tanë” (E.Hoxha). Kjo frymë solli vëllavrasjen në Shqipëri. Pavarësisht nga arbitrariteti i aksionit të tyne, ata dolën fitimtarë. Mijëra të rinj dhe të reja, sidomos nga Shqipëria e Jugut, u mashtruen nga indoktrinimi komunist nën maskën e humanizmit marksist “për nji botë ma të mirë”, ku “qendra e vëmendjes ashtë njeriu”, “bukë e paqe, edhe liri!” dhe luftuen me nji entuziazëm revolucionar.

* * *

Por fitorja e “Luftës Nacionalçlirimtare” mbi okupatorin nuk pruni as çlirimin e roklamuem të atdheut, as fillimin e nji jete ma të mirë për të gjithë që premtohej me të madhe. “Buka” ishin vargjet e gjata të bukës dhe qumshtit për fëmijë në nji shoqni më “racione” minimale mujore; “paqa” u kthye në militarizimin e shoqnisë, anmiqsinë me fqinjët, zboret e bunkerët që konsumuen materialin për ndërtime banesash të nji popullsie që vuente për vendbanime.

Dhe liria nji diktaturë e ashpër! Varësia e plotë në Jugosllavinë e Titos dhe shkalla e servilizmit të deklaruem ndaj tij nuk mund të spjegohen, aq ma pak të justifikohen… “Pa Jugosllavinë e shokut Tito as që mund të mendohej nji Shqipëri e lirë” (E.Hoxha, 1945). Kosova u tradhtue. Marrëveshjet ekonomike me Jugosllavinë – verë 1946­ u treguen shkatërrimtare për ekonominë e vendit.

Nënshtrimi politik dhe ekonomik ndaj Jugosllavisë u ba i plotë. Gjaku e vuejtjet e luftëtarëve, sakrificat e mijëra qytetarëve që e përkrahën dhe e mbajtën të gjallë Lëvizjen Nac.Çlirimtare u hodhën poshtë me nji deklaratë të çmendun, dhe ofenduese. Në burgun e Burrelit, ku edhe vdiq, demokrati intelektual, antifashisti i mirënjohun, prof. Gjergj Kokoshi, përsëriste: “E çliruam Shqipërinë nga okupatori me gjak, dhe ia dhuruam shokut Tito. Kjo ashtë tradhti!” S. Malëshova paralajmëronte: “Po të vazhdojmë me hakmarrje, do të kthehemi shumë shpejt në një klikë, madje në një klikë vrasëse”, dhe: Enver Hoxha është konsideruar si shëmbulltyra e sukseseve të LANÇL­it dhe të PKSh; në të vërtetë, ai është sinteza e gabimeve tona”.(Përmet,1944)

* * *

Sot, 70 vite ma vonë, kam arrijtë përfundimin se, nga kjo pikëpamje, fitorja e PKSh­së ka qenë nji vetëvrasje kombëtare. Historia do ta gjykojë randë! Me ardhjen e rregjimit komunist në Shqipëri, nandor 1944, diçka themelore, boshti i traditës shqiptare, traditë e jona kombëtare, u thye në mënyrë të pariparueshme.

Edhe sot, mbas kaq dekadash, ndiejmë nji boshllëk të madh shpirtënor e moral që duhet mbushë, dhe sa ma shpejt me vlera të trashëgueme, dhe ato të fitueme nga shoqnimi i jonë me Europën e botën e lirë: forcimi i nji identiteti shqiptar kolektiv, dhe solidariteti në fshat e në qytet. Sepse, në Shqipëri u pushkatue ai dhe ajo që ofroi mikpritjen me rrezik të jetës, u burgos dhe u vra ai dhe ajo që preferoi nderin ma shumë se jetën; u torturue egërsisht ai dhe ajo që burrnisht refuzoi me shpifë për shokun, ose të pafajshmin, u internue shqiptari që i mbeti besnik besës së dhanun e fesë së pranueme lirisht, ose bashkëshorti –grueja sidomos grueja!­ që nuk tradhtoi burrin…

Ka qenë kjo besnikri ndaj traditës që mbajti të fortë në burgjet e kampet e internimit të komunizmit për dekada të gjata këto viktima të pafajshme të “diktaturës së proletariatit”… çoroditja ma e madhe e shekullit 20! Shpeshherë kam përshtypjen se gjatë viteve të vendosjes së pushtetit komunist në Shqipëri, nji epokë e re kishte fillue në vendin tim; epoka e “antitraditës” kombëtare shqiptare, epoka që jo vetëm e përbuzi atë, por ngulmoi me eliminue (“meturinat e së kaluarës!”), nevojën e saj dhe me zhdukë sensitivitetin popullor për atë traditë. “Merreni sopatën dhe bjeruni kokës atyre që flasin për fe”, bante thirrje E. Hoxha në vitin 1967. U punue intensivisht me varrosë të kaluemen e vendit tonë!

Ato ditë, u pa qartë ndryshimi i madh që erdhi në vend, e që unë përjetova dhe me marrëdhanjet e mia me botën shqiptare që njihesha që nga vitet e para të rinise shkollore. Pak nga pak, kuptova se isha “i huej” në vendin tim…e ma vonë i urryem. Po ndërtohej “bota e re me plotësimin e çdo andrre dhe dëshire”. Premtimi u tregue me qenë vorfnia e frikshme që mbuloi vendin, militarizimi i popullsisë në përgatitje për luftën imagjinare, dhe vrasja e burgosja e mijëra qytetarëve të pafajshëm, me mbushë 50 burgjet e kampet e internimit për dhjetra­mijëra të tjerë, në emen të “popullit”… Gënjeshtra ma e madhe e shekullit 20! Nuk kishte vend për mue në atdheun tim. U arratisa!

Përpjekja e rregjimit komunist me zhdukë të vjetrën “reaksionare” dhe me ndërtue të renë “përparimtare”, sidomos “njeriun e ri”, përfundoi në nji Shqipëri pa vlera kombëtare dhe qytetare pa parime të qytetnimit bashkëkohor. Sot, çdonjeni kërkon plotësimin e nevojave dhe dëshirave “menjiherë”, dhe nga nji administratë e papërgatitun e me mjete të kufizueme.

Duket sikur jemi transformue në ujq të uritun nga vuejtja e madhe e mungesa e ushqimit të mjaftueshëm. Jetojmë me frikën e përsëritjes së vargjeve të gjata para dritares me hekura të bukës dhe dyqanit të qumshtit për fëmijë…

Respekti për ligjin ka pësue humbje të randë, si rrjedhim i shkeljes së ligjit dhe i arbitraritetit zyrtar, sidomos gjatë tri diktaturave pesëdhjetëedyvjeçare.

“Njeriu ri” ashtë nji monstër pa vlera, dhe “Shteti” shihet sot si anmiku i qytetarëve…! Ky ashtë trashëgimi i së kaluemes sonë të hidhun. Kështu u krijue nji situatë ku i riu dhe e reja shqiptare duhej të largohej nga “vendi” me marrë rrugët e botës që nuk i mirëpret, ose me pranue pasunimin sa ma shpejt e me mjete sa ma të pandershme. E para shterroi “trunin” dhe energjitë e vendit; e dyta, institucionalizoi korrupsionin endemik që vazhdon i patrazuem me dërrmue fibrën vitale të ekonomisë sonë të dobët.

Ajo që duhej ndërmarrë si masë urgjente qenë ditët e para të demokracisë, ­rivlerësimi i së kaluemes, dënimi i saj, dhe hudhja e themeleve për nji “shtet” e nji “shoqëni” shqiptare të re që do të paraqitej si antitezë e plotë e sistemit të dështuem komunist, ­nuk ngjau; mungonte jo vetëm aftësia, por edhe vullneti i “udhëheqësve” me të kalueme politike të komprometueme. Ish­ të përndjekunit, kapitali moral i shoqnisë shqiptare, u shpërfill nga “peshkaqentë e politikës”. Elementi pro­komunist i pakorrigjueshëm, i inkurajuem nga moszbatimi i drejtësisë ndaj krimit dhe kriminelit, filloi riorganizimin politik që synonte kthimin në pushtet të klikave të reja, me shprehje të reja e emen të ri –”socialiste”­ por me pikësynimet e vjetra: pushtetin absolut, edhe me forcë po të qe nevoja, ashtu si ngjau në vitin 1997. Në vitet 1991­92, pushteti komunist dështoi dhe u shthur pa shpëtim nga demonstratat e fuqishme studenteske të 8 dhetorit 1990. “Më demonstratat e studentëve të dhjetorit 1990, kuptova se sistemi i jonë socialist kishte dështuar” (R. Alia,1993).

Në fakt “pushteti socialist” ishte kalbë nën peshën e injorancës dhe inkompetencës së udhëheqësve. Figurat e shqueme komuniste, si Zai Fundo, S. Malëshova, Dr. Deshnica, K. Tashko u vranë, u burgosën ose u internuen për jetë që në fillim; në vitin 1990, PPSH trashëgimtare e PKSH, përfundoi me nji Byro Politike të përbame nga shoferët, karrocierët, dhe mjels lopësh…!

Në këtë moment historik, ish­të persekutuemet demokratë dhe ish­ pronarët e shpronesuem me dhunë përbuzën urrejtjen që komunistët kishin ngritë në shkencë; ata u naltësuen moralisht, përqafuen frymën e pajtimit për hir të shërimit të plagëve të hapuna, tue shpresue në drejtësinë e administrueme nga ligji – që i zhgënjeu randë. Ky akt fisnikerie supreme që u keqkuptue nga “socialistët” do të provonte përsëri forcën e traditës shqiptare të trashëgueme nga e kaluemja e jonë që nuk u shue fare.

* * *

Për fat të keq, “fajtorët” komunistë nuk treguen asnji shenjë pendimi të sinqertë, as në naltësinë e “kërkesës falje” për krimet e tyne monstruoze për 45 vjet me radhë. Akoma ma e çuditshme ashtë paaftësia e tyne “me mohue” krimet e kryeme në emen të tyne, “fajtorë” që nuk mohojnë krimin e nuk kanë as forcën morale me u pendue e me kërkue falje. Nji gjendje shumë e padëshirueshme për çdo qytetar të ndershëm! Mundësia e afrimit dhe pajtimit kombëtar, kaq e domosdoshme për vendin tonë, nuk u shfrytëzue, me efektet negative të këtij qëndrimi që akoma paguejmë. Në vitet 1991­92, Shqipëria e jonë humbi shansin e madh me ri­hye në “Histori” me dinjitet, si shtet i lirë, i pavarun dhe demokratik me perspektivë europiane.

Kjo humbje solli katrahurën politike që na ndjek pa mëshirë, mungesën e demokracisë, dhe mosbesimin e Europës në aftësitë tona me sigurue për vendin tonë nji të ardhme premtuese. Sot, atdheu vajton për nji udhëheqje burrnore, fisnike, e thellësisht demokratike. Unë insistoj për afrimin me Europën, ­sot e materializueme në Bashkimin Europian­ sepse me gjithë vështirësitë që kalon, “eksperimenti europian” ka qenë nji sukses i madh, dhe nuk ka rrezik për nji kolaps, pavarësisht nga ajo që ngjet sot në Greqi, ose në vende tjera nesër: Itali, Spanjë, Portugali etj. Struktura e Bashkimit Europian, institucionet, legjislacioni, “l’acquis communautaire”, dhe orientimi politik propaqes dhe bashkimit të kombeve janë mishërimi i ideve fisnike të nji Europe të lirë, paqësore, e të bashkueme. Dhe idetë fisnike nuk shuhen asnjëherë.

/Panorama