UBT

Refleksion postzgjedhorë

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Arton Musliu – Zgjedhjet e 8 qershorit ishin zgjedhjet më kualitative në Kosovë që nga paslufta. Këto zgjedhje përveç që ishin të lira, fer dhe demokratike, në të njëjtën kohë u karakterizuan me një gjuhë relativisht tolerante ndërmjet subjekteve politike. Përjashto këtu Lëvizjen Vetëvendosje e cila vazhdimisht, duke e e bërë gjykatën dhe gjykatësin, theksonte se do ti çoj në burg plotë politikan kosovarë. Sidoqoftë, thënë shkurt e shqip zgjedhjet e 8 qershorit ishin një test demokratik të cilin qytetarët e Republikës së Kosovës e kaluan me maturi të jashtëzakonshme.

Për mendimin tim këto zgjedhje kanë rëndësi dydimenzionale. E para, ato tregojnë forcën reale të subjekteve politike në vend. Dhe e dyta, nga këto zgjedhje në bazë të votave të fituara shihet fuqia reale e liderëve politik si dhe fuqia e figurave publike politike. Sepse për dallim nga zgjedhjet e fundit parlamentare ku plotë kandidat për deputet nga të gjitha partitë u bën deputet nga komisionerët e jo nga qytetarët, këto zgjedhje reflektojnë fuqinë reale të secilës parti e secilit kandidat veç e veç.

Mirëpo dy ditë pas zgjedhjeve liderët të cilët nuk ishin të kënaqur me numrin e votave që kishin marrë nga qytetarët u mblodhën për të mundur PDK-në, anipse kjo e fundit i mundi të gjitha këto parti në zgjedhjet e 8 qershorit. Shprehur në mënyrë objektive marrëveshja e liderëve opozitarë, e mbështetur edhe nga VV, me sukses ka arritur që debatin e brendshëm në të gjitha këto parti ta largoj nga brenda.

Sidoqoftë është me rëndësi të analizohet pozicioni i secilës parti veç e veç në këtë proces mjaft sensitiv.

LDK- Ky subjekt politik, me bekimin e strukturave partiake, kishte nominuar Isa Mustafën për kryeministër. Besimi i tyre në fitore ishte mjaft i madh. U mobilizuan shumë. Sepse qëndrimi i tyre për një kohë relativisht të gjatë në opozitë nuk ishte edhe i lehtë. Ky subjekt u rrit dukshëm në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar. Dhe tani sipas tyre ishte momenti për ta. Kështu nuk than qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ata nuk i dhanë besimin këtij subjekti politik. Dhe në momentin kur filluan thirrjet e para brenda LDK- së për dorëheqjen e Isa Mustafës, ndodhi marrëveshja opozitare për formimin e qeverisë. Edhe pse qindra herë udhëheqës të LDK-së përgjatë fushatës kishin thënë se për një koalicion eventual do të pyetet Këshilli i Përgjithshëm, kjo nuk ndodhi. Përveç që nuk ndodhi ky konsultim, në të njëjtën kohë Isa Mustafa i cili kishte kërkuar vota për tu bërë kryeministër, hoqi dorë vullnetarisht nga ky post. Pra bëhet fjalë për një parti të papërgjegjshme përballë elektoratit të vet dhe tërësisht jo demokratike për nga funksionimi i tyre i brendshëm. Suksesi i Isa Mustafës është largimi i vëmendjes nga kërkesa për dorëheqjen e tij.

LVV- Këtë subjekt politik, që është bërë gjyveç, e karakterizon prepotenca. Dhe kjo është mjaft shqetësuese. Duke qenë se kjo parti nuk është as afër LDK-së, i ka mbi 80.000 vota më pak se LDK, pra është e treta, dhe duke qenë se janë të vetëdijshëm se janë larg pushtetit atëherë ecja e tyre e mëtejme patjetër se duhet të jetë e përbashkët me ata të cilët deri dje i quante parti haraçi e parti nepotiste e të korrupsionit.

Për më keq kjo parti ka degraduar në shkelje të parimeve të tyre. Ata parim të tyre kanë ndaljen e menjëhershme të bisedimeve me Serbinë, tanimë kjo kërkesë e tyre është reduktuar në pezullim të këtyre bisedimeve. Ky subjekt, i cili për nga funksionimi i brendshëm është totalitar, duke e shkelë edhe statutin e saj ka dhënë mbështetje për diçka për të cilën duhen të konsultohen anëtarësia e gjerë e saj.

Për më tepër ky subjekt duke i keqpërdor ndjenjat e shqiptarëve të Kosovës, përkitazi me të drejtën për vetëvendosje, për të cilën nuk ka haber se çka do të thotë e çfarë kuptimi juridik ka, po rekruton njerëz me të kaluar të dyshimtë atdhetare, derisa thirret në atdhedashuri, dhe në gjirin e saj ka njerëz të cilët kanë privatizuar jo pak ndërmarrje shoqërore, anipse kjo parti është kategorike kundër privatizimit. E çka është me rëndësi, si është e mundur që një parti e cila me deri dje AAK-në e quante parti të haraçit, e LDK-në parti të nepotizimit e korrupsionit, të flirtojë në këtë mënyrë perverse.

Hidromorava

Aq më tepër kur të dy këto parti janë deklaruar të djathta e programi politik i VV-së është krejtësisht i majtë. Çka ka këtu të përbashkët? Pra lakmia për pushtet, respektivisht tendenca për ta rivalizuar partinë e cila i mundi në zgjedhjet e 8 qershorit.
AAK- Edhe AAK kishte nominuar Ramush Haradinajn për kryeministër. Kjo parti u rendit e katërta me rreth 30.000 vota më pak se VV. S`ka dyshim se AAK donë që me çdo kusht të hyj në qeveri sepse në të kundërtën do të rrezikonte të zvogëlohej edhe më shumë në të ardhmen.

Personalisht kam prit një rritje të AAK-së por verdikti i popullit është suprem dhe i padiskutueshëm. Prandaj AAK është në një udhëkryq politik nga i cili në njëfarë mënyre varet e ardhmja e saj.

Çka tash?

Por ti kthehemi situatës aktuale. Si do të zgjidhet ky ngërç politik? Për mendimin tim situata nuk është e lehtë, për rrjedhojë edhe zgjidhjet nuk janë të lehta. Koalicioni LDK-AAK- NISMA nuk mund të krijojnë qeverinë pa votat e deputetëve të VV-së. Kjo është e qartë. Sepse të paktën duhen 61 vota në kuvend për të kaluar qeveria. VV edhe pse ka degraduar nga ndalja e bisedimeve në pezullim të tyre, pra i ka hëngër fjalët e veta, ka tri kushte për koalicionin.

Pra, të pezullohen bisedimet me Serbinë, privatizimi si dhe kundërshtimi i asociacionit të komunave veriore serbe. Në anën tjetër cila qeveri i Republikës së Kosovës do të ishte në gjendje ti thoshte SHBA-së dhe BE-së se është kundër bisedimeve më Serbinë, kundër privatizimit e asociacionit?! Në anën tjetër cili është kuptimi i garës politike nëse nuk respektohet i pari?!

Ku është legjitimiteti i atyre partive të cilat nuk arritën ta rivalizojnë PDK-në? Duhet thënë se PDK në nivel nacional ka afërsisht 35.000 vota më shumë se LDK. Pra legjitimitet popullorë për formimin e qeverisë së re ka vetëm PDK.

Interpretimi- Paralel me interpretimin e kushtetutës dhe dokumenteve përcjellëse të saj është i nevojshëm dhe i pashmangshëm interpretimi i interpretimeve. Sepse ka pasur interpretime nga më të ndryshmet. Në doktrinën juridike ka shumë lloje të interpretimeve.

Por më i rëndësishmi është interpretimi legal. Çka do të thotë kjo? Interpretimin duhet ta bëjë ai institucion i cili më kushtetutë është i obliguar dhe i autorizuar ta bëj një gjë të tillë. Dhe ky institucion është Gjykata Kushtetuese.

Pra Gjykata Kushtetuese është institucioni i vetëm legal kompetent për interpretimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për mendimin tim ky interpretim në lidhje se kush është mandatari për formimin e qeverisë së re të dal nga zgjedhjet është i pashmangshëm dhe shumë i nevojshëm. Kjo për dy arsye. Së pari, qartësohet në mënyrë legale se kush është mandatari për formimin e qeverisë së re. Dhe së dyti, krijohet hapësira për themelimin e institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës.