Rebeka
Nga Vlora Çitraku – Procesi i të shkruarit është i ndryshëm për secilin që shkruan. Për dikë është shumë i vështirë dhe i dhimbshëm, për dikë është shumë i lehtë. Dikush identifikohet me një vepër të vetme që ka shkruar e dikush nuk identifikohet as me mijëra vepra. Dikush identifikohet me të dyjat.
Jam e sigurt se në e përmend Miguel de Cervantes, të gjithë menjëherë do ta kujtojnë si autorin e Don Kishotit. Në e përmend Dante Alighieri-in të gjithë menjëherë e asociojnë me Komedinë Hyjnore, mund të kujtoj kështu radhë të tëra të autorëve që njerëzimit i kanë lënë nga një kryevepër dhe njihen vetëm për të. Machiavelli e ka Princin, Sun Tzu e ka “Artin e Luftës”, Harriet Beecher Stoëe e ka Kasollen e Xha Tomit” e Anne Frank e ka Ditarin e Saj.
Poashtu jam shumë e sigurt se nëse përmendi emra si Corin Tellado (që i ka të botuara mbi katër mijë vepra), Rolf Kalmuzcak (mbi tre mijë), Nicolae Iorga (mbi 1300) e shumë e shumë të tjerë, shumë pak prej tyre do t`i njohim e lëre më ti kujtojmë e mbajmë ndërmend që të gjithë. Ka edhe prej autorëve prolifikë si Stephen King, Agatha Christie, Michael Crichton e George Simenon që menjëherë e dijmë kush janë e çfarë kanë shkruar, madje i kemi parë edhe filmat e bazuar në librat e tyre. Çfarë nuk ka.
Qëllimi im nuk është as të gjykoj, as të kritikoj e as të vlerësoj të parët, të dytët apo të tretët. Jam vetëm një aficionado e letërsisë, nuk jam e thirrur ti vlerësoj, gjykoj e kritikoj. Vetëm se i lexoj, disa prej tyre më pëlqejnë disa jo por kjo është totalisht irrelevante. Të them të drejtën lakmi ua kam të gjithë atyre që shkruajnë, ngase edhe vetë nganjëherë po bëj nga një tentim të varfër për të shkruar. E këtë e them me modestinë më të madhe duke e kuptuar se sa e vështirë është kjo punë, sidomos kur njeriu e ka përgjegjësinë e u drejtohet të tjerëve, sidomos kur shkruan për diçka që e ka të afërt për zemër. Sidomos kur është në pyetje jeta.
E sot, e kam shumë vështirë të shkruaj për atë çfarë dua ta them ngase më prek jo vetëm si qenie njerëzore, jo vetëm në aspektin human e altruist, por më prek personalisht, më prek ngase Rebekën e njoh. E këtu edhe një herë, edhe një mijë herë ua marr lakmi të gjithë atyre që qoftë me një vepër të vetme e qoftë me mijëra vepra e thonë atë çfarë kanë për të thënë. Ua marr lakmi ngase unë po dua të them diçka por seç po më ngatërrohen gishtërinjtë, herë po më zmadhohen e herë po më zvogëlohen shkronjat e seç po më mjegullohen sytë.
Rebekën e njoh. Është vajza e mikes time. Është gjashtëmbëdhjetë vjeçe. Emrin e ka me origjinë biblike por e ka marrë nga libri i Daphne Du Maurier. E ëma e saj ia ka lënë këtë emër. E di se vetë ma ka thënë. Ajo, madje, ma ka treguar librin, botimin e parë të tij. Rebeka po ashtu e mban emrin e filmit të Hitchcock-ut të 1940-ës të bazuar në po të njëjtin libër. Rebeka nuk ka aspak të bëjë me eponimen e saj literare. Rebeka është krejt ndryshe. Rebeka e librit dhe e filmit është një fantazmë, Rebeka ime është e vërtetë. Rebeka e librit është e shkuara, Rebeka ime është e ardhmja.
Rebeka ime është duke luftuar një luftë të cilën nuk kam dyshim se do ta fitojë. Rebeka ime është më e fortë se terapia e saj, më e fortë se diagnoza e saj, më e fortë se të gjitha ato që ju kanë servuar padrejtësisht, pa asnjë arsye, pa asnjë paralajmërim, pa asnjë shkak, pa asnjë faj. Si Rebeka ime ka edhe shumë të tjerë. Asnjëri nga ta nuk e meriton ogurin e keq. Secili prej tyre meriton më shumë, më mirë, më bukur, më pastër, më drejt.
Kemi nisur një hap të vogël e modest t’ju dalim në ndihmë. Individualisht dhe institucionalisht. Është një fillim. Vetëm një fillim. Do të ishte e pandershme nga unë të pretendoja se e di nëpër çfarë sfidash janë duke kaluar, mundem vetëm ta paramendoj. Një gjë mund ta them, betejat e tyre janë dhe do të jenë betejat e mija. Luftërat e tyre do të jenë luftërat e mija. Kaq mund tu premtoj, kaq mundem dhe do të bëj. Ja kam borxh Rebekës time dhe të gjitha Rebekave tjera.
Kur të kthehet Rebeka, shëndosh e mirë, do t’ja lexoj me zë këtë që kam shkruar dhe do të qeshemi që të dyja me paaftësinë time që ta them atë që kisha për të thënë siç duhet, ti bëj drejtësi e ti jap dinjitetin që i ka hije. Rebeka, pasi që të ndalet së qeshuri, do të ma falë. Edhe pse mund të më thotë lirisht: “Narracioni yt është shumë i thjeshtë dhe sipërfaqësor për të përshkruar situatën nëpër të cilën po kalon familja ime, miqtë e mi, e lëre më unë”. Ajo mund të më kritikojë për stilin, mund të më qortojë për vobektësinë në fjalor, për shumë gjëra mund të më kritikojë, por Rebeka ime nuk do ta bëjë këtë, sepse kështu është Rebeka ime, ajo falë. Ajo jeton dhe nuk fajëson.
Ajo do të buzëqeshet qetë, do ta shtrembërojë një çikë cepin e buzës, dhe duke i vezulluar sytë, do të më thotë: “Unë e di që ti vetëm ke dashur të ma thuash që më ke në mëndje, në shpirt dhe në zemër, pak rëndësi ka se si ma ke thënë.” Këtë do të ma thotë Rebeka ime sepse ajo e di. Ajo do të më falë, sepse fundja, për të më kritikuar do ta ketë tërë jetën.
(Autorja është ministre e Integrimeve Evropiane)


