Reagon Qemajl Mustafa: Lavdi marrëzisë së sistemit kosovar të (pa)drejtësisë!

Gjilan – Me 16 Shtator, janë bërë 5 vite të plota prej kur një sistem kriminal i hetimeve në Gjilan e në Prishtinë, i urdhëruar nga bosët e politikave dështuese të partive e të institucioneve tona, ka ngritur aktakuzë ndaj meje, ndaj 28 shërbyesve civilë më të mirë e më të ndershëm që i kishte komuna e Gjilanit dhe ndaj 10 afaristëve poashtu nga më të mirët e më korrektë që i ka komuna e jonë ka shkruar Qemajl Mustafa.
1.
Qëllim i parë dhe i fundit i këtij qarku kriminal politiko-juridik ishte i ultë dhe fare i tejdukshëm. Ishte goditja publike që duhej të më bëhej mua si ish kryetar i komunës dhe strukturës së profesionistëve që ishin nga më të mirët e komunës, me qëllim persekutimi e diskreditimi shumëvjeçar për ta pamundësuar kthimin në punë dhe në rrjedhat politike e zhvillimore të komunës e të vendit tonë. Ashiqare, një qarku të mykur në Gjilan e në Prishtinë, i pengonte fort puna e jonë e madhe, e mirë dhe e ndershme që e kishim bërë në komunë për 6 vite me radhë.
Thjeshtë, ishte vendim i këtij qarku për diferencimin tonë, sikur që pas viteve të ’80-ta e bënte Serbia mbi shqiptarët e Kosovës. Ajo nuk bënte diçka tjetër pos, i përjashtonte kuadrot më të mira nga puna me idenë që t`i frigonte masat popullore dhe këto kuadro ti bënte të varfër, të varur, lëmosharë e të nënshtruar. Nuk ia arriti qëllimit kurrë, natyrisht.
Pavarësisht përkushtimit tonë shumëvjeçar të sinqertë, punës së palodhshme që e bëmë dhe rezultateve ekstremisht të mira që i kishte komuna në secilën fushë të aktivitetit, të planifikimit e të realizimit, ne duhej të goditeshim edhe atë patjetër në kokë sepse veç kështu “mjeti e arsyetonte qëllimin” – e për qëĺlim e kishin fashitjen e Qemajl Mustafës e pranë tij edhe dhjetëra punëtorë dhe afaristê të shkëlqyer të komunës.
Dhe deri këtu “projekti” i tyre (sa fatkeq për neve, aq më fatkeq e goditës për komunën dhe për partinë me të cilën kishim bërë fitore të mëdha e brilante) funksionoi për mrekulli. Ne prore, edhe pas 5 vitesh, jemi pa asnjë angazhim në punët tona të rregullta, pa të ardhura, pa mundësinë për tu kyçur në proceset politike, skajshëm tē fyer, të pështyrë e të përbaltosur… Jo vetëm ne por edhe familjet tona, partia prej nga vinim, komuna…
2.
Nejse kjo… Ia kishin pas mësy me bë shumë hetime paralele plotësisht të pabazuara që nga Janari i vitit 2011 (para një dekade) deri te Shtatori i vitit 2016 (plotë 5 vjet hetime) dhe ia kishin pas mësy me ngritë patjetër aktakuzë përmes veglave servile në prokurori e në polici (që vet i kanë instalue aty) dhe e kanë bërë, siç e thash, me 16 Shtator 2016.
E kjo që pasoi pastaj është larg më qesharake (por gjithsesi e dhimbshme për ne e për shtetin e Kosovës). Rastin e dërguan për gjykim në Pejë me një arsyetim banal të gjykatës themelore në Gjilan (se kinse të akuzuarit mund të kenë lidhje e ndikime mbi gjykatësit e komunës e të rajonit të tyre).
Në Pejë nisi zvarritja (qoftë e natyrshme, qoftë e planifikuar) dhe “loja e tenisit” në mes të trupit gjykues e prokurorit, të cilin, dy herë e urdhëruan që ta riformulonte aktakuzën sepse ishte një dokument diletant i projektuar dhe i bërë nga qarqet policore dhe juristë të paditur por, ishte bërë gjithsesi sipas shijes së urdhërdhënësit.
Pastaj u ndërrua trupi i parë gjykues dhe erdhi një tjetër i cili e vazhdoi punën dhe mori vendime të rëndësishme. E hodhi poshtë kualifikimin “krim i organizuar” sepse nuk kishte konstatue askund në aktakuzë strukturë të organizuar për të bërë ndonjë krim çfarëdo qoftë ai. I liroi nga aktakuza 10 afaristët dhe 19 zyrtarë të komunës. Ne 10 që mbetëm në aktakuzë vetëm për “tejkalim të autorizimeve zyrtare” morëm frymë më lirshëm sepse shpresonim e besonim që mbetëm grup i vogël dhe procesi do të shpejtonte e do të kryhej përfundimisht.
Ndodhi e kundërta. Gjykata e apelit (për mungesë përkushtimi profesional ose edhe për teket e politikës) e kthei në rigjykim. Ndodhën vonesa e zvarritje dhe në ndërkohë kryegjyqtari shkoi në pension. Erdhi si e porositur edhe pandemia dhe sistemit gjyqësor të Kosovës i ra “shiu në kollomoq” dhe thuaja nuk mbajti më fare seanca. Para ndonjë muaji u caktua trupi i tretë gjyqësor dhe na u duk që e ka vullnetin me e rritë dinamikën e punēs dhe me e përfundue këtë maskaradë. Nuk ndodhi qysh e pritëm. Pavarësisht që ky trup gjykues duket qartë që është më i koncentruar dhe më i përkushtuar në lëndën e aktakuzës, edhe ky filloi me zvarritje të seancave dhe ja ku jemi 5 vjet pas ngritjes së aktakuzës.
Janë tejkaluar që të gjitha afatet kohore gjatë hetimeve. Nuk kemi pa kurrë vendim zyrtar për nisje të hetimeve sepse prokurori ose po e fsheh vendimin ose nuk e ka fare vendimin e që është skandal më vehte. Janë tejkaluar që të gjitha afatet optimale për gjykim në kohëzgjatje të arsyeshme qysh e kërkon kodi i procedurës penale dhe kushtetuta e RKS. Janë cenuar rëndë të drejtat e njeriut për jetë të lirë e të barabartë, për punë, për aktivizëm politik, për socializim e çfarëdo tjetër…
Jemi diskriminue e jemi persekutua duke na vënë dhe duke na trajtue si qytetarë të rendit të dytë e të tretë pikërisht si dikur që shqiptarët e romët trajtoheshin nën segregacionin sistematik Serb e Sllav.
Me diskreditimin e me denigrimin medial që na është bërë pandalur nëpër këto vite tashmë neve na ka gjykue dhe na ka dënue rëndë ky sistem jonjerëzor i (pa)drejtësisë sepse çfarëdo verdikti përfundimtar për pafajësinë time e tonën nuk e krijon më asnjëherë bindjen autentike të qytetarëve të Gjilanit e të Kosovës për pastërtinë tonë. Zatën ky edhe ka qenë qëllimi i “arkitektëve” të këtij projekti.
Lavdi sistemit tonë të (pa)drejtësisë, të themeluar e të udhëhequr nga qeveritë tona që nga 2001 e deri sot. Lavdi të gjithë ministrave të deritanishëm, të cilët, me plotë sukses e lanë xhuxh e të pazhvilluar këtë sistem. Aq më keq, e bënë sistem johuman që diskriminon e sakatosë qytetarë të RKS sikur që e favorizon dhe e ledhaton një shtresë të qytetarëve të po të njëjtës RKS.
Do të doja personalisht (dhe besoj që këtë ndjenjë e ndaj edhe me kolegët e mi në aktakuzë) që kjo që na ndodhi neve dhe qindra e mijëra qytetarëve të tjerë, me këtë sistem bastard të drejtësisë për vite të tëra, të mos i ndodhë më asnjë qytetari të Republikës tonë pavarësisht përkatësisë nacionale, besimit, bindjes politike dhe ngjyrës së tij.
Qoftë kjo e jona padrejtësia e fundit që i bëhet njeriut të Kosovës nga ky sistem.
Të shpresojmë!.