Reagon Mustafa: Edi Rama të respektojë fushatën zgjedhore në Kosovë

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa ka thënë se kryeministri Hashim Thaçi po vazhdon të bëjë fushatën zgjedhore në Prizren, duke sjellë kryeministrat e vendeve fqinje. Këtë deklaratë kryetari Mustafa e ka bërë përmes rrjetit social ‘Facebook’.

“Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, përmes postimit në rrjetin social “Facebook” zbuloi se mbledhja e përbashkët e dy qeverive Shqipëri Kosovë do të mbahet më 16 nëntor në Prizren. Në Prizren, në këtë kohë po zhvillohen aktivitete para balotazhit ndërmjet kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe atij të Partisë Demokratike të Kosovës. Në kontinuitet, vërehet se z. Thaçi ka nevojë të ndërhyj në aktivitetin zgjedhor të Prizrenit me kryeministra të vendeve fqinje ose të vendeve të tjera”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Mustafa ka shkruar po ashtu se kryeministri Thaçi gjatë aktivitetit parazgjedhor ka organizuar tubim me kryeministrin e Shqipërisë dhe atë të Turqisë, e më pas në ndihmë i erdhi edhe kryeministri serb.

Mobi Casa

“Gjatë aktivitetit parazgjedhor, z. Thaçi organizoi një tubim të madh në Prizren me Kryeministrin e Shqipërisë dhe atë të Turqisë. Ndërkaq, në ndihmë i erdhi edhe Kryeministri i Serbisë me vizitën e tij serbëve të Kosovës. Por, nëse z. Thaçi ka nevojë që nëpërmjet ndërhyrjeve të tilla t’i krijoj avantazhe partisë së tij dhe kandidatit të tij për Kryetar të Komunës së Prizrenit, konsideroj se këtë nevojë nuk e ka z. Rama”, shkruan më tutje ai.

Andaj ai thotë se derisa Kosova respekton fushatën zgjedhore në Shqipëri, atëherë duhet të ketë respekt reciprok.

“Ne jemi dy shtete; kemi respektuar fushatën zgjedhore në Shqipëri, prandaj edhe Qeveria e Shqipërisë do të ishte mirë ta respektojë fushatën zgjedhore në Kosovë. Konsideroj se kultivimi i respektit reciprok është i shëndetshëm për marrëdhëniet afatgjata ndërmjet qeverive të dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë”, shkruan Mustafa.(BS)