Fidanishtja

Reagojnë qytetarët: Në Kosovë drejtësi ka vetëm në letër

/ 11 minuta lexim

Sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë me besimin më të ulët të mundshëm, për qytetarët kosovarë, edhe pse në këtë sistem është investuar shumë për gati dy dekada, si nga ndërkombëtarët, UNMIK-u dhe EULEX-i, po ashtu edhe nga institucionet e shtetit të Kosovës për plot 10 vjet pas shpalljes së Pavarësisë.

“Nga këto shkelje ekstreme të ligjit dhe abuzimit me drejtësinë e kapur nga politika dhe grupet kriminale, më së shumti po e pësojnë qytetarët e pafuqishëm dhe bizneset që nuk janë të lidhura me politikën dhe që nuk janë në lidhje me krimin e organizuar. Realisht në Kosovë drejtësi ka vetëm në letër. Kjo i bie shkurt e shqip që nuk ka drejtësi funksionale që jetësohet dhe zbatohet për të përfituar qytetari.

Prandaj, duke pasur një drejtësi të tillë të padrejtë edhe qytetarët janë aq të dëshpëruar, aq shumë e kanë humbur besimin saqë edhe nuk po kanë as ku të ankohen për t’i realizuar të drejtat e tyre, sado me vonesë që mund të jetë arritja e atyre të drejtave, sepse ankesat që ndodhin, e nëse nuk kanë lidhje për t’i realizuar ato, ose merren me përbuzje dhe trajtohen shkel e shko ose edhe nuk merren parasysh fare”, thotë qytetari Rrahman Rrahmani për “Kosova Sot”

Sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë me besimin më të ulët të mundshëm, për qytetarët kosovarë, edhe pse në këtë sistem është investuar shumë për gati dy dekada, si nga ndërkombëtarët, UNMIK-u dhe EULEX-i, po ashtu edhe nga institucionet e shtetit të Kosovës për plot 10 vjet pas shpalljes së Pavarësisë.

Mirëpo, as në njërën fazë dhe as në tjetrën nuk është arritur të krijohet një sistem funksional i drejtësisë, i drejtë dhe i pavarur, por kjo drejtësi që kemi aktualisht, sipas bindjes qytetare, është e kapur keq nga politika dhe skajshmërisht e dhe e trafikuar nga grupet kriminale të interesit dhe kjo është arsyeja më e madhe pse qytetarët nuk u besojnë gjyqtarëve në gjykata dhe as prokurorëve, që edhe vetë dalin se janë të inkriminuar në prokuroritë e vendit.

Është krijuar bindja e plotë qytetare se edhe vetë politika, bashkë me nëntokën mafioze, janë fajtorët më të mëdhenj që kanë degraduar tej mase këtë sistem tepër të nevojshëm për qytetarët dhe shtetin dhe e kanë shndërruar shtetin e Kosovës në shtet të krimit të organizuar dhe të padrejtësive. Në vend se drejtësia të vihet në vendin e vet, qytetarët gjykojnë se gjykatat vetëm me qytetarët dhe të drejtat e tyre, ku e njëjta lëndë rikthehet në rigjykim 4-5 herë, për shkak të mosrespektimit e shkeljes të ligjeve nga gjykatësit në gjykatat kosovare. Madje nuk janë të pakta rastet kur qytetarët presin edhe 8-10 vjet që të merret verdikti nga gjykatësit, edhe pse çdo gjë është e rregulluar me ligj, por gjykatësit nën influencën e ndërhyrjen kërcënuese të politikës së inkriminuar shkelin ligjet me të dyja këmbët.

Me të gjitha këto abuzime del se drejtësia kosovare është shkelësja më e madhe e të drejtave të njeriut, ku lëndët nuk e shohin dritën e zgjidhjes ligjore si pasojë e neglizhencës dhe interferimit nga politika, ashtu që qytetarëve nuk u jepet drejtësia e merituar që u takon me ligj!

Qytetari Rrahman Rrahmani, tha për “Kosova Sot” se nga këto shkelje ekstreme të ligjit dhe abuzimit me drejtësinë e kapur nga politika dhe grupet kriminale, më së shumti po e pësojnë qytetarët e pafuqishëm dhe bizneset që nuk janë të lidhura me politikën dhe që nuk janë në lidhje me krimin e organizuar. “Mendimi im është vizavi me këto lëvizje sikur që po i shohim në sistemin e drejtësisë dhe sikur që po raportojnë edhe organizatat e ndryshme monitoruese, të huaja e vendore, se realisht në Kosovë drejtësi ka vetëm në letër.

Kjo i bie shkurt e shqip që nuk ka drejtësi funksionale që jetësohet dhe zbatohet për të përfituar qytetari. Unë e them me këtë gjykimin tim, për aq sa arrij ta analizoj këtë situatë, se drejtësia pa të vërtetën dhe e vërteta pa drejtësinë nuk shkojnë dhe nëse diçka fillon të funksionojë pa qenë këto të dyja së bashku, kjo është një katastrofë e madhe për ata që ballafaqohen me një drejtësi të njëanshme dhe gjysmake. Prandaj, duke pasur një drejtësi të tillë të padrejtë edhe qytetarët janë aq të dëshpëruar, aq shumë e kanë humbur besimin saqë edhe nuk po kanë as ku të ankohen për t’i realizuar të drejtat e tyre, sado me vonesë që mund të jetë arritja e atyre të drejtave, sepse ankesat që ndodhin, e nëse nuk kanë lidhje për t’i realizuar ato, ose merren me përbuzje dhe trajtohen shkel e shko ose edhe nuk merren parasysh fare.

Prandaj, unë po them dhe kjo është mendoj bindje e shumicës së qytetarëve që sadopak e kuptojnë këtë realitet, se në një vend ku dhunohet e drejta, ku nuk funksionon drejtësia, aty dështon dhe dhunohet edhe demokracia”, theksoi Rrahmani për “Kosova Sot”.

Fidanishtja

Po aq me besim të humbur në drejtësinë kosovare shprehet edhe qytetari tjetër, Bedri Blakqori.“Drejtësia kosovare tërësisht duhet të reformohet, ristrukturohet dhe rehabilitohet, duke sjell në pozita njerëzit që vërtet mendojnë për shtet dhe për komb, sepse tash për tash në përgjithësi me këtë sistem që e kemi nuk mund të jemi të kënaqur. E kur jemi tek ato rastet që një rast nëpër këto institucione zgjat deri në 8 vjet, atëherë lirisht mund të themi që prej kësaj lloj drejtësie nuk ka asgjë. Le të më falin të gjithë që mendojnë ndryshe, por unë them që me këtë gjendje që e kemi jemi në pikën zero dhe këtu nuk po funksionon asgjë.

Pra, kjo drejtësi duhet patjetër të ndryshohet, ndonëse mendoj që edhe ne si qytetarë nuk jemi në nivel, sepse sikur po flemë tepër, duhet të jemi më të zëshëm, më unikë dhe të bëjmë lëvizjet tona ta kërkojmë drejtësinë, që duhet të jetë efektive, profesionale dhe e pavarur, por vetëm drejtësi e mirëfilltë në vendin e vet”, tha Bedri Blakqori për “Kosova Sot”.

Edhe qytetari tjetër, Asllan Zeqiri, i tha gazetës se nëse matet me përqindje, nëse bëhet një sondazh i besueshëm dhe i pavarur, as 5% të qytetarëve nuk do të deklaroheshin pozitivisht për besimin në këtë drejtësi, në këtë sistem që e kemi tani.“Po e them këtë vlerësim, duke qenë i bindur se kam të drejtë, pasi që nuk ka institucion në të cilin nuk nëpërkëmben të drejtat e njeriut dhe drejtësia nuk e kryen punën e vet për të mbrojtur këto të drejta.

Vetë sistemi aktual i drejtësisë është konstruktuar kështu së mbrapshti edhe nga ndërkombëtarët, sepse përgjegjësinë kryesore e kanë atë që në zanafillën e krijimit të institucioneve të para të këtij sistemi të as luftës dhe ata e bëjnë me qëllim që sistemi i drejtësisë të mos jetë funksional si duhet, sepse duke e pasur sistemin e dobët dhe shkelës të të drejtave të njeriut, edhe ndërkombëtarët e kanë më të lehtë që të na akuzojnë vazhdimisht për devijime të ndryshme dhe kështu e arsyetojnë qëndrimin e tyre pse na mbajnë të izoluar dhe të ngulfatur”, u shpreh ai.“Sipas mendimit tim, edhe ndërkombëtarët kanë qenë të korruptuar që në fillim dhe kanë krijuar sistem të korruptuar në drejtësi, fillimisht UNMIK-u, që ia dha të mbrapshtën vendit tonë dhe më pastaj të njëjtën gjë e vazhdoi edhe EULEX-i, që kinse erdhi për ta zbatuar dhe mbrojtur ligjin, por le ta dëshmojë tani dikush se çfarë ligji ka mbrojtur dhe zbatuar EULEX-i dhe nuk shkuan në burg, të korruptuarit e mëdhenj, nuk u kapën as ‘peshqit e mëdhenj’ dhe as të vegjlit”, tha Asllan Zeqiri.

Sipas tij, pa ndryshimin në kokat e mëdha politike që kanë ndikim në drejtësi, Kosova nuk do të ketë për një kohë të gjatë drejtësi efektive e profesionale, të pavarur.“Mendoj që për të nisur ndryshime, ato duhet të nisen prej lart-poshtë, sepse ndryshimet nuk mund të bëhen nga poshtë-lart. Nëse bëhen ndryshimet nga lart për teposhtë, nga kupola politike e deri në institucionin më të ulët, duke u pozicionuar me meritë secili njeri sipas meritës, atëherë ka shpresë që gjithçka të nisë mbarë dhe të vendoset në binarët e së drejtës së qëndrueshme”, potencoi ai për “Kosova Sot”.

Po aq i zhgënjyer në të gjitha nivelet e institucioneve, duke përfshirë edhe drejtësinë, është edhe qytetari Avdullah Musa nga fshati Varosh i Ferizajt. “Janë quar në korrupsion dhe krejt vendin po duan ta hanë, edhe tokën duan ta hanë se lëre më diçka tjetër. Të gjithë e dimë që për 500 vjet na ka mbajtur nën robëri turku dhe rreth 100 vjet serbi, por kështu sikur që po shkatërrohet sot nuk është shkatërruar ky vend, nuk është shkatërruar kështu Kosova, që tani edhe malet këta njerëz po lejojnë të shkatërrohen, që një ditë as ujë nuk do të kemi për të pirë.

Nëse dikush vjen nga ana e Ferizajt, do të vijë gjynah kur e sheh natyrën dhe bjeshkët, ku ka vende që ka pasur lisa aq të vjetër, të cilët kanë kultivuar, kanë prodhuar si burim i gjallë natyror disa litra ujë për një ditë dhe tash krejt kjo natyrë po shkatërrohet nga këta njerëz të institucioneve nga këta ministra që i kemi në resorët përgjegjës e nga kjo drejtësi që është joprofesionale, sepse aty janë vendosur njerëzit jomeritorë, ndoshta krejt të pashkollë ose me diploma që i kanë marrë shkel e shko nëpër universitetet private”, theksoi Musa për “Kosova Sot”. Sipas tij, krejt kjo gjendje, në të gjitha institucionet, është pasojë e punësimit klientelist të njerëzve joprofesionistë dhe të paditur, të pashkolluar dhe pa dinjitet, por që janë servilë të grupeve të ndryshme kriminale të interesit.

“Mendimi im është që pozita duhet t’i jepet njeriut sipas profesionit meritor që e ka për ta udhëhequr shtetin, edhe drejtësinë që është shtylla kryesore e shtetit. Unë nuk mund të jem as prokuror dhe as gjykatës, por jam zjarrfikës me profesion dhe e njoh mirë këtë punë, edhe pse tani jam i pensionuar. Tash në këtë Kosovën tonë të pasluftës gjithçka është përzier, njerëzit nëpër pozita po vendosen pa merita, të papërgatitur si duhet e sa duhet, madje edhe pa shkollë, prandaj këtë fenomen Kosova dhe qytetarët po e vuajnë rëndë.

Prandaj, le të shohim të gjithë se në çfarë gjendje kemi shkuar ku të rinjtë tanë dhe qytetarët e moshës mesatare sa më shpejt duan të ikin dhe ta lëshojnë Kosovën”, vlerësoi Avdulla Musa nga Varoshi i Ferizajt. Sipas tij, askush nuk beson në një të ardhme të sigurt dhe të dinjitetshme në këtë vend, me këto institucione dhe këtë drejtësi që e kemi.