Fundamenti

Reagojnë LDK e VV

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Sahat Kulla është projekt i ministrisë së kulturës që i ka bërë nderë qytetit tonë dhe ne mburremi që kemi arritur ta mbështesim financiarisht këtë projekt madhor gjatë qeverisjes sonë me këtë ministri thotë Bllaca e LDK-së. Ne si subjekti më i përkrahur opozitar në Gjilan, të gjitha deklaratat, aksionet dhe qëndrimet që i shfaqim rreth çështjeve, projekteve dhe proceseve politike në komunë dhe më gjerë, i bazojmë në të dhënat faktike, dokumentet zyrtare, shkresat dhe burimet shumëdimensionale të informacionit nga auditimi i jashtëm, shoqëria civile dhe mediet thotë Avni Rudaku i VV.

Dega e LDK-së dhe VV kanë reaguar rreth qëndrimeve të shprehura nga zyra për informim e Kuvendit Komunal që i dedikohej sqarimit rreth Sahat Kullës.

Në reagimin e Saranda Bllacës të LDK-së thuhet se zëdhënësit të vjetruar të komunës, nuk i ec dita mbarë pa përmendur LDK-në, ndoshta kjo lidhet me dëshirën e tij personale për të qenë në akademinë politike të quajtur LDK. “Ne si LDK i bëjmë me dije se dëshirat për të qenë me ne i ka të parealizueshme sepse LDK sot frymon lirshëm pa të dhe papagallët e tjerë markist leninist që tërë kohën i kanë pas zërë frymën akademisë sonë politike të quajtur LDK” ka thënë ajo.

Bllaca ka shtuar se Sahat Kulla është projekt i ministrisë së kulturës që i ka bërë nderë qytetit tonë dhe ne mburremi që kemi arritur ta mbështesim financiarisht këtë projekt madhor gjatë qeverisjes sonë me këtë ministri.” Le të mbetet në ndërgjegjen e juaj personale dhe shefave tu, për zhagitjen e projektit me vite të tëra. Ne mburremi që sado pak kemi kontribuar për të financuar një projekt kaq madhorë dhe për ne është njëra ndër pasqyrat më reale të trashëgimisë kulturore të qytetit të Gjilanit. Kërkojmë nga ju sa më shpejt që të jetë e mundur të finalizoni projektin në tërësi sepse adresa më e saktë për dështimin dhe zvarritjen e këtij projekti është institucioni i juaj.Keni obligim moral të arsyetoheni para qytetarëve gjilanas për një zvarritje të tillë që ju i bëni monumenteve kulturore të Gjilanit. Duke e ditur për keq qeverisjen tuaj, ne ju bëjmë me dije se fundi i kësaj keq qeverisje po vije, andaj etiketimi i Akademisë politike të quajtur LDK nga ana e juaj, vetëm na forcon bindjen tonë politike që fitorja e madhe për qytetarët e Gjilanit po vije” ka përfunduar Bllaca.

Kurse në reagimin e VV të nënshkruar nga Avni Rudaku thuhet se Qendra e Lëvizjes VV duke parë reagimin nga përgjegjësi i Zyrës për Informim dhe nga drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) lidhur me aksionin e Qendrës tonë për projektin e pakryer dhe shumë të shtrenjtë, objektin e Sahat Kullës, njofton opinionin e gjerë publik se të gjitha të dhënat dhe vlera e projektit. “Ndërtimi i objektit të Sahat Kullës” bazohet në buletinin zyrtar të komunës së Gjilanit, “Gjilan, investimet kapitale 2008-2011” (botuar në muajin mars të vitit 2012), ku në faqen 22, me titull “Projekte të ndryshme të realizuara/2010”, numri 27 i përshkrimit të projektit (Nr. III i serisë së projekteve), në kolonën përkatëse të këtij projekti shënohet se vlera e projektit është 80, 000 mijë euro. Prandaj, sa i përket reagimit të drejtorit të QRTK-së, ne nuk po e kontestojmë asgjë shumën që e përmend ai për rindërtimin e Sahat Kullës në vlerë prej 41, 135 euro. “Sipas tij, për sqarim të opinionit konstatojnë se janë shpenzuar 41,135 € për rindërtimin e Sahat Kullës, – mjete financiare të ndara nga MKRS” ka sqaruar Rudaku.

Hidromorava

Rudaku ka thënë se ne si subjekti më i përkrahur opozitar në Gjilan, të gjitha deklaratat, aksionet dhe qëndrimet që i shfaqim rreth çështjeve, projekteve dhe proceseve politike në komunë dhe më gjerë, i bazojmë në të dhënat faktike, dokumentet zyrtare, shkresat dhe burimet shumëdimensionale të informacionit nga auditimi i jashtëm, shoqëria civile dhe mediet. Nga tërësia e këtyre fakteve, ne dalim me qëndrimet tona si subjekt politik.

“Nëse Sahat Kulla paska kushtuar 41, 135 euro, atëherë ne pyesim ku kanë mbetur edhe 38 mijë e 865 euro?! Nëse nuk ka kushtuar 41, 135 euro, pse komuna e Gjilanit e ka llogaritur 80 mijë euro?. Sa ka dashur komuna të lavdërohet para qytetarëve se ka kontribuar financiarisht dhe nuk e ka shënuar se është projekt i MKRS-së, por i komunës?. Çfarë ndërlidhje ka fakti që ky objekt është financuar nga MKRS-ja dhe kritika ndaj Qendrës së Lëvizjes VV, kur dihet se këto para nuk është me rëndësi a vijnë nga Qeveria apo komuna, e rëndësishme është të shkojnë në investimet dhe projektet e duhura, por edhe të mos keqpërdoren asnjë cent për këto investime në trashëgiminë kulturore? . Nëse janë shpenzuar 41, 135 euro, ku janë edhe orët, suvatimi, ndriçimi dhe aspektet e tjera të sfondit të Sahat Kullës? . Duket ironike , por në shkrimin e QRTK-së, ka dalur fotografia e Sahat Kullës në formë të dëshiruar, ngase Sahat Kulla as nuk ka orë dhe as nuk është funksionale sikur në foton e postuar në shkrimin e saj, por një foto të një Sahat Kulle të qitur në letër dhe poëer point!

Aktivisti i Qendrës në Gjilan, Naim Klaiqi, pati theksuar para medieve se pse e kanë realizuar këtë aksion duke përmendur pikat si në vijim: 1) Për të informuar qytetarët për çmimin aq të shtrenjtë prej 80 mijë eurosh; 2) Në objektin e Sahat Kullës dhe hapësirës së saj, ka mbetur akoma pa u kryer suvatimi, ndriçimi, vendosja e orëve, funksionalizimi i saj gjeneral dhe aspektet e tjera stilistiko-artistike; 3) Për të kritikuar pushtetin komunal që nuk po i përfundon projektet në afatet e parapara asnjëherë, meqë edhe për këtë projekt kanë thënë autoritetet lokale nëpërmjet medieve se do të përfundojnë punimet edhe para vitit 2013; 4) Për të kritikuar pushtetin aktual për kujdesin aq të dobët të komunës ndaj trashëgimisë kulturore të qytetit dhe Sahat Kulla është vetëm njëra prej tyre, për të mos i përmendur qendrat kulturore të parenovuara në Livoç të ulët, Përlepnicë e të tjera; 5) Për të kritikuar pushtetin lokal i cili duke i stërzgjatur punimet në projektet e filluara dhe të vonuara si zakonisht, po dëmton edhe vetë këto projekte, ngase Sahat Kulla dëmtohet shumë nëse nuk përfundohet puna në totalitetin e saj; 6) Pavarësisht financimeve nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport në objektin e Sahat Kullës, paratë e kësaj Ministrie janë para të taksapaguesve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por edhe këto mjete financiare nuk janë për t’i shpenzuar kot, ngase me këto para do të mund të shfrytëzoheshin edhe për renovimin e shumë qendrave kulturore në fshatrat e komunës së Gjilanit. Ne nuk jemi kundër Sahat Kullës, por lokacioni ku është vendosur, çmimi i saj i deklaruar prej 80 mijë eurosh, stërzgjatjet e punimeve pavarësisht se tashmë është vendosur në këtë vend – dhe s’ka rëndësi të diskutohet për vendin e saj, janë çështje që na kanë brengosur gjithmonë.

Sidoqoftë, krejt për fund, VV vazhdon të besojë se objekti i Sahat Kullës ka kushtuar 80 mijë euro ashtu siç e kanë shkruar vetë zyrtarët e komunës dhe kërkon që menjëherë të fillojnë hetimet se ku shkuan edhe 38 mijë e 865 euro, në bazë të çmimit që ka thënë drejtori i QRTK-së, 41, 135? , përfundon reagimi./rajonipress/