RCCOLA

Raundi i fundit

/ 5 minuta lexim

Nga Beqë Cufaj- Ahtisaari është tashmë pjesë e së kaluarës së Kosovës. Plani i tij për pavarësinë e mbikëqyrur, e cila më 10 shtator të vitit 2012 u “përmbyll”- do të shërbejë si shembull për studiues të së drejtës ndërkombëtare dhe historianë të kohës së re.

Në të njëjtën kohë në Serbi ndodhi trandja më e madhe politike pas rënies së Milosheviqit para më shumë se një dekade. Demokratët dhe krejt spektri politik “reformator” me në krye dikur Koshtunicën e Gjingjiqin dhe më pas Tadiqin u rrëzua përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike në shtetin fqinj.

Gjithsesi: humbja e madhe e demokratëve të Tadiqit nuk duhet faturuar politikës së tij për dhe ndaj Kosovës, por shumë më tepër gjendjes së rëndë në ekonominë serbe, korrupsionit, klientelizmit dhe paaftësisë për të çuar vendin drejt integrimeve europiane. Formula e tij “Edhe Europë edhe Kosovë” dështoi njëherë e përgjithmonë dhe tash, ish-i preferuari i fuqive perëndimore po rropatet ta ruajë karrigen si shef i demokratëve serbë.

Në të njëjtën kohë, në Serbi në krye të shtetit kemi një tandem, i cili sidomos kur Kosova është në pyetje paraqet simetrinë perfekte për diplomacinë perëndimore që me “çështjen” e Kosovës të mbyllet njëherë e përgjithmonë. Përparimtarët e Tomiqit- shef i të cilit dikur ishte Shesheli, dhe socialistët e Daçiqit- shef i të cilit ishte Milosheviqi, i kanë të gjitha “kredencialet” që përmes bisedimeve me Prishtinën edhe me letra: ta vulosin humbjen e Kosovës. Këtë fakt e dinë këta dy po aq sa edhe opozita serbe (pos Koshtunicës) por edhe opinioni i gjerë atje.

Çka është edhe më me rëndësi: politika aktuale serbe nuk ka një plan dhe nuk do të hartojë asnjë plan për Kosovën. E tëra do të jetë vetëm një “bllof” në mënyrë që të nxirren dy elementet esenciale për politikën e Beogradit: një autonomi sa më e gjerë për serbët në veri të Kosovës me çmimin e një përshpejtimi në procesin e integrimeve europiane për Serbinë. Kjo është e tëra. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet loja, gjithsesi e koordinuar e dy shefave të shtetit serb kur i pari (Nikoliqi) thotë: duhet që sa më shpejt të fillojmë bisedimet me Prishtinën; kurse i dyti (Daçiqi) shton: bisedimet do të zgjasin së paku sa ky mandat qeveritar.

Mobi Casa

Situata në Prishtinë paraqitet pak më ndryshe. Kosova e ka të qartë që duhet hyrë një procesi të rëndë bisedimesh në mënyrë që filtrave të korrupsionit e të krimit që në veri mbretëron t’u vihet kapaku. Pos Lëvizjes së Albin Kurtit, e cila do të provojë me çdo kusht ta ndalë këtë proces, spektri politik në Prishtinë, përfshirë edhe LDK-në e AAK-në, të gjithë të varur nga ndërhyrja perëndimore, por edhe më shumë të vetëdijshëm që nuk mund të barten mbi supe edhe një qeverisje e keqe edhe një veri në kaos dhe pa sovranitet, tashmë kanë dhënë pëlqimin për fillimin e bisedimeve.

Por, ajo që më së shumti frikëson në këtë mes është që as Prishtina nuk ka një plan për bisedimet. Floskulat politike të presidentes dhe kryeministrit që s’ka e s’ka e s’ka janë vetëm për konsum të kronikave ditore. Dhe që është edhe më e palejueshme: si Jahjaga ashtu edhe Thaçi e shohin dhe lidhin procesin e bisedimeve edhe me mbijetesën e tyre politike. Këtu është problemi i madh që Kosova e ka dhe do ta ketë.

Dhe këtu duhet një intervenim i shpejtë i opozitës në Prishtinë- LDK-së, AAK-së dhe krahut të Krasniqit e Limajt në PDK. Me apo pa vota në Kuvend, opozita duhet që sa më shpejt ta shohë dhe update-ojë rolin e saj në këtë proces. Hartimi i platformës duhet bërë në mënyrë të përbashkët. Nëse ngecin reformat kushtetuese dhe ato zgjedhore, atëherë duhet (ri)menduar themelimin e një Grupi Uniteti nga i gjithë spektri politik i Kosovës në mënyrë që bisedimet të ecin kurse proceset e tjera të shtetësisë (zgjedhjet dhe forcimi i shtetit të brishtë) të vazhdojnë paralelisht.

Ardhja e Clinton dhe Ashton në Prishtinë do të nisë një proces të gjatë nga i cili të gjithë do të fitojmë, por edhe humbasim. Kosova nuk ka as lider(ë) as vizionar(ë) që do të mund të bartnin tërë këtë proces mbi supe vetjake. Prandaj, duhet një bashkim forcash. Fjala është për raundin e fundit dhe për këtë më të rëndësishmin të ndeshjes Prishtinë- Beograd.