RCCOLA

Rasti misterioz i të burgosurit X

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Izraeli ka konfirmuar për herë të parë se, për shkak të sigurisë, ka mbajtur të burgosur një izraelit me prejardhje australiane me emër të rrejshëm, dhe se i njëjti ndërkohë ka vdekur në burg. Megjithatë, Izraeli me këtë rast nuk ka sqaruar se për çka akuzohej ai, e as nëse kishte qenë i gjykuar apo jo.

Mediave izraelite fillimisht u ishte ndaluar që të transmetonin apo botonin raportin e televizionit australian ABC, përmes të cilit ishte bërë e ditur se i burgosuri, i cili në media njihej si i “Burgosuri X”, në të vërtetë ishte Ben Zygier, dhe se ekzistojnë dëshmi të cilat tregojnë se ai kishte punuar për shërbimin e fshehtë izraelit.

Kabineti i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të martën zhvilloi një takim urgjent me kryeredaktorët e mediave të vendit, menjëherë pasi që televizioni ABC publikoi rrëfimin e tij për këtë rast, duke iu apeluar atyre që të mos e emitojnë fare informacionin për “incidentin, i cili është tejet i pakëndshëm për një agjenci të caktuar qeveritare”.

Në ndërkohë, në portalin e gazetës ditore izraelite ‘Haaretz’ u publikua një artikull lidhur me raportin australian, i cili shumë shpejt u hoq nga aty.

Megjithatë, pas këtij rasti shtypi izraelit e transmetoi raportin e televizionit australian, sipas të cilit vetëm pak muaj pasi që ishte arrestuar Ben Zygier ishte gjetur i varur në qelinë e tij, dhe se në ndërkohë trupi i tij u transferua drejt Melburnit, ku edhe u varros një javë më vonë.

Në rrëfimet e para për të Burgosurin X, në vitin 2010, mediat izraelite pohonin se bëhej fjalë për një njeri të paidentifikuar që po mbahej në izolim në burgun Ayalon, në Ramla, në Izraelin qendror. Atij nuk i lejoheshin vizitat, dhe nuk mbante asnjë kontakt me “botën e jashtme”, përderisa mbahej në qelinë që ishte bërë enkas për Jigal Amir, gjegjësisht për njeriun që në vitin 1995 kishte vrarë kryeministrin izraelit, Yitzhak Rabin. Qelia ishte e pajisur me kamera të përgjimit, me qëllim që të parandaloheshin incidentet, respektivisht vetëvrasja, njoftoi BBC.

Arsyeja për dënimin e tij nuk është bërë e ditur kurrë, ndërkohë që identiteti i të burgosurit mbahej aq i fshehtë saqë atë nuk e dinin as rojat e burgut.

Izraeli kurrë nuk e pranoi se ai ekzistonte, ngase të gjitha detajet për të ishin nën embargo të rreptë. Vetëm tani u kuptua se i Burgosuri X në Izrael quhej Ben Alon, dh se atje ishte vendosur në vitin 2000.

Sipas mediave ndërkombëtare, Zygier ishte një nga izraelitët australianë që punonte për Mossadin. Ai dhe disa persona të tjerë ishin rekrutuar nga shërbimi fshehtë izraelit për shkak se shtetasit e Australisë dhe Zelandës së Re kishin qasje të papenguar në të gjitha shtetet e Lindjes së Mesme, dhe në shtetet e atjeshme askush nuk i shihte me mosbesim.

Sikurse edhe agjentëve të tjerë të Mossadit në Australi, Zygierit i ishte dhënë një pasaportë me mbiemër të ri, i cili më tepër tingëllonte si mbiemër anglosakson, me qëllim që të mos kishte probleme gjatë përmbushjes së detyrave sekrete.

Eco Higjiena

Zygier vdiq në moshën 34-vjeçare. Pas vetes la gruan izraelite dhe dy fëmijë.

Shefi i diplomacisë së Australisë, Bob Carr, deklaroi se, tek pas vdekjes së Zygier diplomatët australianë kishin kuptuar se ai kishte qëndruar diku nëpër burgjet izraelite. Nga ana tjetër, tha se, meqë familja nuk ngriti ankesë, e gjendur në një situatë të tillë qeveria australiane nuk mundi të bënte asgjë.

Të mërkurën ndërkaq, mediat izraelite, të cilat thirreshin në burime të huaja, publikuan lajmin se Zygier ishte djali i njërit prej liderëve të bashkësisë çifute në Melburn.

Paraprakisht, i pyetur nga deputetët për këtë rast, por edhe për atë nëse në vend ka ende të burgosur për të cilët heshtet, ministri izraelit të Drejtësisë, Yaakov Neeman, paralajmëroi se shtetasit e Izraelit do të informohet lidhur me rastin e të Burgosurit X, të cilin e kishte censuruar qeveria.

Deputeti i partisë majtiste Meretz, Zahava Gal-on, shtron pyetjen se a është në rregull që kabineti i kryeministrit të ftojë kryeredaktorët që të mos i botojnë lajmet, në një vend që pohon se është një demokraci e civilizuar, e në të cilin, në fakt, gazetarët bashkëpunojnë me qeverinë, përderisa të burgosurit anonimë – për të cilët askush nuk di gjë – bëjnë vetëvrasje.

Kryeredaktori i gazetës ‘Haaretz’, Aluf Ben, pohoi se qeveria kishte kërkuar nga ai dhe nga shtëpitë e tjera botuese që t’i shlyenin nga web-faqet e tyre të gjitha raportet që flisnin për rastin e australianit.

“Për fat të keq, ata ende jetojnë në shekullin e kaluar”, theksoi Ben, derisa po i referohej administratës izraelite.

Ndryshe, raporti i televizionit australian është rezultat i një hetimi nëntëmujor, dhe ai përmban të gjitha elementet e një trileri klasik të spiunazhit. Raportet paraprake për vdekjen e të Burgosurit X ishin shfaqur në internet, gjegjësisht në Izrael dhe në SHBA, që në vitin 2010, atëherë kur një blloger kishte shkruar se bëhej fjalë për nj ish-gjeneral iranian. Menjëherë pas këtij informacioni censorët e qeverisë izraelite kishin kërkuar fshirjen e këtij informacioni nga interneti, ndërkohë që gazetarët që kishin shprehur interesim për ishin intervistuar nga policia.

Pas hulumtimit të televizionit ABC, megjithatë mbetet e paqartë se çfarë kishte bërë i Burgosuri X që ishte ruajtur në mënyrë aq streme dhe aq të fshehtë. Organizatat për mbrojtjen të drejtave të njeriut thonë se këto veprime paraqesin shkelje të ligjeve ndërkombëtare.(express)