RCCOLA

Rasmussen rikonfirmon angazhimin e NATO-s në Kosovë

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Bruksel – Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është takuar të mërkurën në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, me të cilin kanë biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon dhe për perspektivën e këtyre zhvillimeve.

Në komunikatën e Kryeministrisë thuhet se Thaçi ka njoftuar sekretarin Rasmussen me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, proces në të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë dhe mbetet e përkushtuar për krijimin e klimës së mirë ndërfqinjësore në mes të dy shteteve tona.

Thaçi, gjithashtu ka theksuar edhe angazhimin drejt avancimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës për arritjen e kapaciteteve të plota operacionale.

Mobi Casa

“Qeveria e Republikës së Kosovës pret një vlerësim real nga NATO për këtë proces”, është shprehur Thaçi.

Kryeministri kërkoi që NATO të ketë rol vendimtar edhe në procesin e implementimit të marrëveshjes eventuale të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka rikonfirmuar angazhimin e aleancës veriatlantike për përmbyllje të suksesshme të misionit të vet në Kosovë.