Uji Dea

Rashiti: Mbi 700 persona janë kthyer brenda tri viteve në Gjilan

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Ruzhdi Rashiti zyrtar për kthim të qëndrueshëm dhe komunitete tha për rajonipress se në muajt janar – mars 2013 janë kthyer 30 veta të cilët kryesisht janë nga shtetet Zvicra, Franca, Belgjika, Suedia dhe Hungaria. Sipas Rashitit këto familje kryesisht kërkojnë tu ndërtohen shtëpitë dhe më shumë dominon kërkesa për t`i furnizuar me pako ushqimore.

Rashiti thotë se problem kryesor mbetet punësimi dhe strehimi i atyre që nuk kanë shtëpi dhe prona të tyre në vendin e origjinës.

Sipas të dhënave të Zyrës për Komunitete dhe Kthim (ZKK), deri tani janë kthyer rreth 700 persona, që nga maji i vitit 2010, kur ka filluar ky proces. Deri në fund të vitit 2011 ishin kthyer 657 persona, ndërkohë që gjatë vitit të kaluar u kthyen edhe 130 të tjerë, për të arritur numrin prej 697 të kthyerve nga vendet e treta.

Pritet të kthehen edhe të tjerë. Mosha e tyre është prej një viti deri në 73 vjeç. Numri më i madh i tyre janë të lindur ndërmjet viteve 1981-1985. Shumica e tyre janë meshkuj. Zvicra është shteti prej nga janë riatdhesuar më së shumti kosovarë, por ka edhe nga Franca, Austria, Gjermania, Suedia, Danimarka, SHBA dhe vende tjera, përfshirë edhe ish-republikat jugosllave, Bosna e Hercegovina, Kroacia thotë Ruzhdi Rashiti zyrtar për kthim të qëndrueshëm dhe komunitete.

Sipas tij nga Turqia, në evidencat e ZKK figuron vetëm një i kthyer. Të kthyerve u është ofruar strehim, ushqim, përfshirje në arsim, pajisje me dokumentacion të gjendjes civile dhe shërbime të tjera, që ka mundësi t`i kryej niveli lokal i qeverisjes, meqë disa përgjegjësi më të mëdha, sikurse edhe fondi për riatdhesim, janë në kompetencë të qeverisë së Kosovës.

Uji Dea

Rashiti thotë se numrin më të madh të të kthyerve e përbëjnë shqiptarët, pastaj janë serbët, romët, turqit dhe goranët. Autoritetet e këtushme, të cilat merren drejtpërdrejt me këtë proces, premtojnë trajtim të barabartë të të kthyerve, që prej nevojave më elementare. Por, problem kryesor mbetet punësimi, megjithëse të riatdhesuarve iu mundësohet që të hapin biznese të vogla, nëse e shfrytëzojnë të drejtën për të aplikuar me ndonjë plan të arsyeshëm. Një numër i tyre kanë nevojë edhe për banim.

“Është interesant se 76 për qind e të kthyerve deri në vitin 2011, kanë deklaruar se nuk kanë pasuri të tyre në vendin e origjinës, derisa në vitin 2012, numri i atyre që kanë thënë se nuk posedojnë pasuri, ishte 62 për qind. Është interesant po ashtu se 82 për qind e serbëve të kthyer deri në vitin 2011, kanë thënë se nuk posedojnë pasuri, ndërsa në vitin 2012, të gjithë të kthyerit kanë deklaruar se kanë pasuri” shprehet Rashiti.

Rashiti tha se në muajt janar – mars 2013 janë kthyer 30 veta të cilët kryesisht janë nga shtetet Zvicra, Franca, Belgjika, Suedia dhe Hungaria. Sipas Rashitit këto familje kryesisht kërkojnë tu ndërtohen shtëpitë dhe më shumë dominon kërkesa për t`i furnizuar me pako ushqimore.

Nëse shikohet mënyra sesi këta persona janë kthyer në Kosovë rezulton se 68 veta janë depërtuar derisa 62 prej tyre janë kthyer në mënyrë vullnetare gjatë vitit 2012, derisa në vitin 2011 del se janë depërtuar 313 veta dhe vullnetarisht janë kthyer 254 persona./rajonipress/