RCCOLA

Rashiti: Edhe pse me shumë sfida, kemi rritje të hyrave vetanake dhe zvogëlim të borxheve të komunës së Gjilanit

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Në raportin financiar për gjashtë mujorin e parë Janar-Qershor 2022, kemi tregues inkurajues për ta stabilizuar gradualisht krizën e thellë financiare prej borxheve të mëdha që janë trashëguar nga vitet paraprake ka shkruar Riad Rashiti.

Postimi i plotë:

Të hyrat vetanake janë rritur për 249 mijë euro më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar 2021, apo për 177 mijë euro më shumë se sa planifikimi i te hyrave për këta gjashtë muaj.

Rritje të theksuar të të hyrave vetanake ka në drejtorinë për Buxhet dhe Financa, gjegjësisht në sektorin e tatimit në prone, ku janë realizuar 110 mijë euro përtej planifikimit, poashtu në drejtorinë e Administratës ka tejkalim të të hyrave të planifikuara, në drejtorinë e Inspeksionit, si dhe në drejtorinë e Bujqësisë, përmes inkasimit nga taksat e ndryshme komunale.

Borxhet e komunës janë zvogëluar për rreth 3 milion euro, prej 11,034,956.36 euro borxhe reale (dhe rreth 15 milion euro borxhe tjera që janë në procese gjyqësore) tani borxhe të komunës janë 8,209,992.31 euro. Pra janë zvogëluar borxhet e komunës për 2,824,964.00 euro.

Në proces të pagesave të borxheve janë edhe 2.4 milion euro, për 68 aktvendime të gjykatave e që aktualisht janë në procedure të përmbaruesve privat, prej tyre 10 vendime janë për shpronësime ndërsa 58 vendime tjera janë për paga jubilare, shpenzime të ushqimit dhe udhëtimit.

Hidromorava

Fatkeqësisht janë krijuar dhe po paguhen shpenzime tejet të larta për procedura gjyqësore dhe të përmbaruesve privat, ku vetëm për këta gjashtë muaj dhe për këto lëndë në procedure, komuna e Gjilanit ka shpenzuar mbi 260 mijë euro, plus shpenzime tjera të kamatave dhe interesit në vlerë prej 8% për vonesat në pagesa, e që në total kalon vlerën e gjysmë milioni euro, pra shpenzime marramendëse.

Dhe përtej këtyre rasteve në këtë gjashtë mujor, në drejtorinë për Buxhet dhe Financa kanë ardhur 111 aktvendime të Gjykatës së Apelit në favor të palëve dhe në kurriz të buxhetit komunal.

Edhe pse e kemi gjendjen e jashtëzakonshme financiare në buxhetin e komunës së Gjilanit, ne jemi duke bërë përpjekje maksimale për ta stabilizuar këtë gjendje të rëndë.
Normalisht, që kjo gjendje shkon duke e stabilizuar por me koston e zvogëlimit të investimeve kapitale duke na pamundësuar realizimin e shumë projekteve zhvillimore për qytetarët e Gjilanit.

Me këtë qasje ne besojmë se deri në fund të vitit të ardhshëm, do të kalohet kjo krizë e thellë buxhetore dhe të krijojmë një stabilitet financiar, për të vazhduar pastaj me investime dhe projekte zhvillimore.

Me punë dhe bashkëpunim mund të bëjmë më shumë për komunën dhe vendin tonë./rajonipress/