RCCOLA

Rashiq: Kamenica, prioritet i Ministrisë së Punës

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan -Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, tha sot se niveli i lartë i sigurisë dhe klima e mirë e bashkëjetesës ndëretnike në Kamenicë, e vendosin këtë komunë në agjendën e investimeve të ministrisë që drejton ai.

Rashiq i tha kryetarit Shaip Surdulli, se vizitat e tij të shpeshta në këtë komunë, janë tregues për interesimin e veçantë që ka Ministria e Punës për Kamenicën.
“Përkrahja institucionale ndaj Kamenicës dhe njerëzve këtu do të vazhdoj. Kamenica është një shembull i jashtëzakonshëm i bashkëjetesës dhe kjo ju rendit në krye të prioriteteve të mia”, tha Rashiq.

Ai premtoi se projekti “Kosova e Bukur” dhe projekte të tjera infrastrukturore nuk do të mungojnë edhe vitin e ardhshëm në Kamenicë, ndërsa ftoi zyrtarët komunalë që të aplikojnë në çdo projekt qeveritar.

Kryetari Shaip Surdulli, theksoi se projektet e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale i kanë dhënë një pamje më të bukur qyteti, si dhe kanë ndikuar në zbutjen e papunësisë. “Pastrimi i lumit, ndërtimi i banesës sociale, rinovimi i kishës në qytet, janë projekte jashtëzakonisht të rëndësishme”, tha Surdulli. Ai e njoftoi ministrin Rashiq me punët që po zhvillohen në Komunë.

Mobi Casa

“Po presim që këto ditë, pas përsëritjes së tenderit me filluar projekti i fasadimit të ndërtesave në qytet. Përveç kësaj, brenda muajit pritet të përfundoj objekti i ri i komunës, po vazhdojnë intensivisht punimet në palestrën e sporteve, po asfaltohen e riasfaltohen rrugë lokale, po rregullohen trotuare dhe po ndërtohen ambulanca”, njoftoi kryetari i Kamenicës.

Ai u ankua se ministritë që drejtohen nga shqiptarët nuk po tregojnë interesim për Kamenicën. “Pos ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe asaj të Punës e Mirëqenies Sociale, deri diku edhe të Infrastrukturës, të tjerat ministri nuk kanë tregu interesim për Kamenicën”, ishte ankesa e kryetarit Surdulli.

Ministri Nenad Rashiq dhe kryetari Shaip Surdulli, të shoqëruar nga bashkëpunëtorët i bënë vizitë objektit social banesor, objektit në ndërtim të Komunës dhe kishën që po rinovohet njofton radiopremiera./rajonipress/