Fundamenti

Rapuca: Po i trajtojmë si duhet fermerët dhe sektorin e bujqësisë në përgjithësi

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari, edhe këtë vit e ka nisur mbarë punën, të motivuar e të përkushtuar për dhënien e shërbimeve sa më cilësore për fermerët tanë ka thënë Nazmi Rapuca drejtor për bujqësi dhe pylltari.

Nazmi Rapuca në një konferencë për gezatar ka shpalosur projektet dhe ndihmën që pritet ta marrin bujqit për këtë vit. Sipas tij nga viti i ri, përveç punëve rutinore, kemi qenë shumë të angazhuar me pranimin e aplikacioneve për subvencione dhe grante që jep Ministria e Bujqësisë. Sivjet interesimi i fermerëve për grante dhe subvencione është shumë i madh. Ndër arsyet e mundshme janë intensiteti i përkrahjes nga ministria e që shkon deri në 80% të vlerës së investimit dhe përfshirja me grante dhe subvencione, gati i të gjitha fushave të prodhimtarisë bujqësore.

Ai tha se subvencione jepen për kultivuesit e lopëve qumështore, deleve, dhive, bletëve; pastaj për kultivuesit e grurit, misrit, lulediellit etj. “Grante jepen për ndërtimin e stallave për lopë, për viça, për dele dhe për dhi; hangarëve për ushqimin e kafshëve, sillosë për sillazhe, sillosë për ruajtjen e plehut, dhoma të qumështit, mini fabrika për paketimin e mjaltit; pastaj mekanizmi bujqësorë për të gjitha operacionet bujqësore, për mbjelljen e fasules, perimeve, shalqirit, pjeprit etj. Me një fjalë, thuajse nuk ka fushë që nuk është përfshirë me subvencione apo grante”.

Deri tani për subvencione kanë aplikuar 585 fermer dhe 72 për grante. Afati i aplikimit është shtyrë deri në fund të muajit prill, prandaj presim edhe më shumë aplikues. Të gjithë aplikuesve u është dhënë ndihma e nevojshme profesionale dhe teknike.

Rapuca tha se si drejtori jemi duke subvencionuar fermerët e vegjël e me kushte të rënda ekonomike. “Kryesisht mbështesim fermerët të cilët nuk mund t`i plotësojnë kriteret për të përfituar nga skema e granteve dhe subvencioneve që jepë Ministria e Bujqësisë. Njëri nga qëllimet tona është mbështetja e këtyre fermerëve me shpresë se disa prej tyre do të rriten dhe do ti arrijnë kriteret në fjalë” tha ai.

Sipas tij sivjet të gjithë fermerët e komunës sonë, që kanë aplikuar, do të marrin falas farën për mbjelljen e misrit. Të gjithë bletarët që kanë aplikuar do të marrin falas shtëpiza për bletë dhe një numër i konsiderueshëm do të marrin falas foli plastike për serra.

Këto ditë, deri në fund të muajit prill, është faza e aplikimit për serra komerciale dhe për makina mjelëse. Besoj se do të përkrahen të gjithë fermerët e interesuar që i plotësojnë kriteret për këto projekte.

Fundamenti

Nga kjo javë ka filluar trajtimi i kafshëve shtëpiake kundër parazitëve të ndryshëm. Ky projekt është sponzoruar nga KFOR-i Amerikan, ndërsa realizohet nga ekspertët e drejtorisë për bujqësi dhe nga nxënësit e shkollës së bujqësisë, drejtimi i veterinarisë.

Sivjet po realizojmë fazën e fundit të gjelbërimit të qytetit me druj dekorativ. Presim të mbillen edhe rreth 500 druj të tillë. Ftoj qytetarët që të kenë kujdes e të mos i dëmtojnë drunjtë e mbjellur.

Deri në fund të vitit do të kemi edhe shumë projekte të tjera, si nga buxheti jonë ashtu edhe nga donatorët.

Rapuca tha se përkrahja institucionale e fermerëve dhe bujqësisë në tërësi, ka ndikuar në rritjen e kapaciteteve të fermave dhe në rritjen e numrit të fermerëve. “Sot kemi fermerë që kurrë më parë nuk janë marrë me bujqësi, kurse sipërfaqe të pa punuara thuajse nuk ka në komunën tonë, gjë që nuk ishte rasti para vitit 2008, kur rreth 50% e sipërfaqeve bujqësore nuk punoheshin. Sa i përket mbrojtjes së pyjeve, pa dyshim se jemi më të mirët në Kosovë. Natyrisht se ky sektor kërkon edhe më shumë përkushtim dhe bashkëveprim në mes të gjitha institucioneve përkatëse (policisë, prokurorisë, gjykatave, popullatës etj.) për tu stabilizuar plotësisht” ka thënë ai.

Nga viti 2010, jemi duke i mbrojtur edhe pyjet e Novobërdës, pasi që ata nuk kanë kapacitete të duhura për këtë punë. “Ftoj të gjithë prerësit ilegal të pyjeve, që të heqin dorë nga dëmtimi i pyjeve dhe në vend të kësaj të merren me bujqësi e punë të tjera legale, sepse këtë vit, masat kundër tyre do të jenë shumë më të ashpra.

“Ne jemi të vetëdijshëm që nevojat e tyre janë shumëher më të mëdha sesa mundësitë tona për t`i zgjidhur. Por mund t`i garantoj se jemi të pa kursyer në përpjekjet tona për të ndihmuar çdo fermer dhe se trajtimi i tyre është i barabartë. Çdo projekt jemi duke e realizuar në mënyrë transparente, përmes ftesave publike për aplikim. Përzgjedhja e përfituesve bëhet nga komisionet profesionale duke u bazuar në kriteret specifike për çdo projekt. Çdo fermer pritet dhe shërbehet në mënyrë korrekte dhe më mirë se në cilëndo komunë të Kosovës” tha Rapuca në konferencën për medie./rajonipress/