Rapsodi historike : Rrustem Behluli – kurban i Shqipërisë Etnike

Teksti dhe muzika : Demir Krasniqi/ Kalojnë vitet, shekujt edhe stinët ndërrohen – Trimat e Atdheut, jo, kurrë nuk harrohen! Me vargje prej gurit një këngë do t’ ndërtojmë –
Që Rrustem Behlulit, ne do t’ ia këndojmë !
Krenohet Gjilani, krenohet Uglari,
Krenohet Vatani për këtë trim shqiptari !
Për Rrustem Behlulin me zemër kreshnike –
Kurban i familjes për Shqipëri Etnike !
Ishte Dimri i rëndë, n’ vitin Dyzet e Katër,
Borë e madhe binte, acar në çdo vatër !…
Aradhet partizane s’ bashku me çetnikë –
N’ çdo shtëpi t’ kësaj ane mësynin n’ kapixhik !…
Po ua merrnin tagrin e viteve t’ Italisë –
N’ fshatra të Moravës dhe n’ vise t’ Malësisë !…
Nuk i lëshuan lehtë as fshatrat e Karadakut –
Shtëpi për shtëpi ia mësynin konakut !…
Plak Isa Mehmeti – 85 vjeçar,
Kujton partizanët kur hynë në Uglar !
Uglari që shkeli çizmja e partizanit –
Është shtatë kilometra n’ lindje të Gjilanit !
Plaku, me dëshirë nuk do t’ kujtojë tmerrin –
Për fshatarët e Uglarit, që përjetuan ferrin !…
Përjetuan ferrin nga çetnikët – partizanë,
Që erdhën për krime nga fshati fqinj – Pasjan !
Fshatin e Uglarit me shpejtësi e rrethuan –
Që t’i dorëzojnë armët, shqiptarëve iu kërkuan !
Tri kerre me pushkë janë marrë e janë ngarkuar –
Në fshatin Pasjan, të gjitha i kanë dërguar !
N’ fshatin e Uglarit, seç u mbush errësirë –
Përmbi 50 burra u morën jesirë ?!
I çuan drejt Pasjanit dhe n’ drejtim të Zhegrës –
Për të përfunduar n’ xhami të Preshevës !…
Për pa i pushkatuar burrat nga këto treva –
Ata i ka shpëtuar Abdullah Presheva !
Prej plojës çetnike, asnjë nuk do t’ shpëtonte –
Abdullah Presheva, po të mos qëllonte !…
Forcat partizane – çetnike të Pasjanit,
Çarmatim – rrethimin e fshatit t’ Uglarit,
Me pretekst këtë plan e kishin hartua –
Veç Rrustem Behlulin me e arrestua !…
Ai përgjatë sundimit t’ kohës s’ Italisë,
Që në popull njihej si : “Koha e Shqypnisë” –
Kurrë s’ kishte lejuar që kot t’i shkojë mundi,
Populli e kishte zgjedhur Kryetar Katundi !
Ai Rrustem Behluli mbahet mend n’ katund –
Për trimëritë e tija, që nuk kishin fund !
Në kohën e faljes së namazit për Bajram –
Kish hy me bombë n’ duar, që ta bëjë një nam !…
Kështu në xhami të fshatit Uglar –
N’ Ditë Bajrami fliste s’ bashku me fshatarë :
“A po më dëgjoni, o vëllezër shqiptarë –
Sot na ka ardhur dita të bëhemi fidarë !…
Do të digjemi sot, nga kjo bombë e fikës,
Apo do të shkojmë në Rekë të Raincës ?!
Të luftojmë së bashku, pa asnjë pikë frike –
Për ta mbrojt kufirin e Shqypnisë Etnike !”…
Kushtrimi i Rrustës, për trimëri e burrëri –
Është pinjoll i Trenajve, për luftë e atdhedashuri !
Vullnetarët e parë, shpejt iu bindën thirrjes –
Shpejt mbërrin në betejë, në Rekë të Raincës !…
Më 19 Shtator, t’ vitit Dyzet e Katër –
Shqiptarët me armë n’ dorë, n’ luftë shkuan me hatër !
Syri vërr s’ iu bënte në luftë me armik –
Atë ditë vranë mbi 100 partizanë – çetnikë !…
T’ Aradhes s’ XVI-të, ishin këta të mjerë –
Dhe robër u zunë 206 të tjerë !
Por Rrustem Behlulit, der’ sa të jetojnë –
Serbët, këto humbje nuk do t’ ia harrojnë !…
Shumë shqiptarët Rrustës, lutje i kanë ba :
“Ikë, o Rrustë, se serbët do t’ kthehen me t’ vra !”
Por, baca Rrustë trimi, n’ Zot ishte betuar –
Thirrje për të ikur, kurrë s’ kishte pranuar !
Ai, kishte thanë : “Nuk iku, se Zoti ka me m’ vra –
Qysh t’ua la katundin, unë, shkieve veç me gra ?!
Kam me u bo kurban i popullit tim rahmeti !”…
Kështu na ka kujtua plak Isa Mehmeti
Të njëjtat kujtime, Ismet Rrahman Behluli,
I flet me përjetime, si nip Rrustem Behluli :
“Baba Rrustë, i ndjeri, gjithmonë e kishte ditë –
Prej armiqve serbë, se çka mundet me pritë !…
Tanë natën kishte qëndruar me shpinë nga oxhaku –
Për ta mbrojt familjen, për t’ mos u derdhë gjaku !
Ai, nuk kishte vënë një pikë gjumë në sy,
Jetën për familje kurrë s’e kish kursy’ !”…
T’ nesërmen, pesë çetnikë – partizanë t’ Pasjanit,
Herët kishin ardhur në fshat të Uglarit !
N’ fillim kanë plaçkitur dugajën që kish fshati,
Pastaj katundarët i zu taksirati !…
Me mall të plaçkitur dhe të uzurpuar –
Pesë kuaj me thasë i kishin ngarkuar !
Pastaj Rrustë Behlulin, këtë burrë të Uglarit –
E qonin duarlidhur drejt fshatit t’ Pasjanit !…
Trim Rrustem Behluli, ishte burrë shtat shkurtë,
N’ rreth e në familje ishte shumë i urtë …
Kishte gjoks të gjerë, i fuqishëm me besë –
E kishte ndarë mendjen që të bëjë qëndresë !
“Shumë i fuqishëm ka qenë” – për babë tregon djali,
Lisat me gjithë degë i ka bartë nga mali !
Lisat me gjithë degë i ka bartë në shpinë
Dhe me to gjithmonë e ka nxehë shtëpinë !”…
Shkijeve të Pasjanit vet iu ka dorëzua –
Me qëllim t’ caktuar, s’ ka dashtë me qëndrua !…
Kish vendosë me u bo kurban për katund –
Vuajtjeve për gjithmonë për me iu dhanë fund !
Kështu Rrustem Behluli, gjatë ditës së fundit –
Ishte bartur lidhur deri n’ fund t’ katundit !
Në një lug që gjendet n’ trekëndëshin që i ndanë –
Këto fshatrat : Uglar – Velekincë – Pasjan …
Krimit të paparë, këtu i erdhi radha –
E lidhin për një lisi, që kishte bri dy dardha !
Mizorisht e theren forcat serbo – çetnike,
N’ trupin e tij, bënin lojëra satanike !…
Në ato tri fshatra dëgjonte çdo çoban –
Jehun e një burri, që prehej kurban !
Njëjtë si fati i kombit – burri i Uglarit ,
Mbase këtu do t’ ndodhte masakra e Gjilanit !…
Në Gjilan, do t’ niste maskara e mjerë –
Për t’ua marrë jetën tetë mijë burrave tjerë !
Partizano-çetnikët, masakronin shqiptarinë –
Që kishin gënjyer se po e sillnin lirinë !…
-Sa herë kem kaluar me babën andej –
Gjithmonë baba im, te ai lisi ndalej !
Mbushej thellë me frymë dhe me lot në sy,
M’ thoshte:” Ndal bre bir, kam dy fjalë me ty !…
Mos e harro kurrë, këtë lëndinë të ngushtë,
Se mu te ky lis, është varri i babës Rrustë !”
Kështu tregon trishtueshëm, për gjyshin e vet – Ismeti ,
Që kurrë prej armiqve s’ na u ka nda kiameti !…
Partizanë – çetnikët, që s’ kanë fe, as farë –
Mbi Rrustem Behlulin, banë masakër t’ pa parë !
Trim Rrustem Behlulin, atë burrë prej fisi –
E masakruan çetnikët, të lidhur për lisi !
Kështu Rrustem Behlulin e tërhoqën zvarrë –
Për t’u preh n’ amshim, nuk i lanë as varr !…
Por, dy djem e katër vajza, Rrusta i la pas veti –
Kujtimi për babanë, brez pas brezi nuk treti !/rajonipress/
Gjilan, më 03.03.2016. Demir Krasniqi