Raporti 2025: Investime, shërbime dhe projekte infrastrukturore në fokus të Drejtoratit për Shërbime Publike
Gjilan – Drejtorati për Shërbime Publike, Infrastrukturë dhe Banim ka publikuar raportin vjetor për vitin 2025, në të cilin pasqyrohen aktivitetet, investimet dhe rezultatet e punës njëvjeçare në shërbim të qytetarëve dhe zhvillimit komunal.
Sipas drejtorit Kushtrim Ibrahimi, synimet kryesore të këtij dikasteri kanë qenë ngritja e cilësisë së shërbimeve për qytetarët, realizimi i sa më shumë projekteve me interes publik dhe mirëmbajtja e projekteve ekzistuese në fushën e shërbimeve publike dhe infrastrukturës. Po ashtu, theks i veçantë i është kushtuar identifikimit të problemeve infrastrukturore dhe inicimit të zgjidhjeve të qëndrueshme, me qëllim krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më të shëndetshëm për qytetarët.
Gjatë periudhës janar – dhjetor 2025, Drejtorati për Shërbime Publike, Infrastrukturë dhe Banim ka pranuar dhe shqyrtuar gjithsej 1,442 kërkesa nga qytetarët, të cilat janë trajtuar në përputhje me kompetencat ligjore dhe procedurat administrative.
Në raport thuhet se gjatë vitit 2025 është vazhduar realizimi i një numri të konsiderueshëm projektesh dhe investimesh kapitale, përfshirë edhe projekte të bashkëfinancuara, kryesisht në fushën e infrastrukturës rrugore dhe shërbimeve publike.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar mirëmbajtjes së ndriçimit publik, sinjalizimit horizontal dhe vertikal, si dhe mirëmbajtjes së rrugëve gjatë gjithë vitit, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët.
Raporti vjetor për vitin 2025 vlerësohet si një pasqyrë gjithëpërfshirëse e angazhimit institucional për përmirësimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin e infrastrukturës komunale./rajonipress/


