RCCOLA

Raportet e BE-së me Kosovën sikur me territoret që s’janë shtete

/ 10 minuta lexim
Hidromorava

Nga Augustin Palokaj- Pikërisht modelet të cilat Serbia i kishte propozuar për statusin e Kosovës, sipas së cilave Kosova do të vetadministrohej por do të mbetej territor i Serbisë, e të cilat Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare i kishin refuzuar, tash përmenden si shembuj sipas së cilave Bashkimi Evropian mund të ndërtoj marrëdhënie me Kosovën, pasi që Kosova për BE-në nuk mund të trajtohet si shtet.

Ekspertët ligjorë të Këshillit të BE-së thirren në shembujt e Hong-Kongut, Makaos, Tajvanit, autoriteteve Palestineze dhe të tjera për të argumentuar se marrëveshjet eventuale mes BE-së dhe Kosovës nuk do të thonë se BE-ja do ta trajtoj Kosovën si shtet të pavarur.

Në secilin raund të negociatave për statusin e Kosovës, nën ndërmjetësimin e ish-presidentit finlandez Marti Ahtisaari, pala serbe vinte me propozimet e veta për „më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi“ për Kosovën. Një herë delegacioni i Serbisë përmendte shembullin e Makaos, herën tjetër atë të Hong-Kongut. Këto janë „territore të Republikës popullore Kineze me vetëqeverisje lokale“. Pala kosovare vazhdimisht i hidhte poshtë, sepse kërkonte pavarësi të Kosovës, zgjidhje e cila do ta bënte Kosovën si shtet të pavarur, duke ofruar një trajtim të veçantë të pakicës serbe. Më vonë pala serbe përmendte edhe shembuj si Tajvani apo, siç thoshte ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Drashkoviq, „Dy sisteme një Kinë“ duke dashur që Kosova të jetë „shumë e pavarur“, të administrojë veten, por formalisht të mbetet pjesë e Serbisë siç është Tajvani pjesë e Kinës. Aq shumë u shkonin në nerva zyrtarët serbë ndërmjetësve ndërkombëtarë por edhe palës kosovare saqë për ta ishte nxjerrë një shprehje shumë e qëlluar “Duket se pala serbe nuk bën asgjë tjetër pos kërkimeve në Wikipedia për të gjetur ndonjë shembull që të parandalojë shtetësinë e Kosovës“. „Pasi që kërkojnë shembuj pse nuk marrin shembullin e Timorit Lindor“, thoshte pala kosovare. Në fund, për sjelljen e serbëve në të gjitha raundet e negociatave për statusin e Kosovës, duke përfshirë edhe ata gjashtë muaj të kotë të Trojkës së famshme që u përpoq të gjente diçka më të mirë sesa propozonte Pakoja e Ahtisaarit, ndërkombëtarët thanë se „Serbia e di çfarë nuk do, por nuk e di se çfarë do -nuk duan pavarësi të Kosovës, por s’kanë ide çfarë duan“.

Pa marrë parasysh rezultatin final, të gjitha këto modele janë përmendur. Madje, sa për të qenë të sinqertë, gjatë negociatave është folur edhe për opsionin e ndarjes së Kosovës. Këtë para katër vitesh na kishte pranuar edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në negociatat e udhëhequra nga Trojka (ku pos BE-së ishin edhe SHBA-të dhe Federata Ruse) Wolfgang Ishinger. „Si është e mundur të ketë qenë hapur edhe propozimi për ndarjen e Kosovës kur gjithmonë është thënë se për këtë nuk mund as të bisedohet“ e pata pyetur në atë intervistë Ishingerin. „E hapa unë. Edhe shqiptarët edhe serbët e refuzuan. Desha që të bindemi se vërtet nuk kemi lënë asnjë gurë pa lëvizur për të gjetur zgjidhjen e pranuar për të dyja palët. Desha që të mos jetë në gjendje dikush në të ardhmen të thotë se këtë nuk e kemi provuar“, ishte përgjigjur Ishinger.

Mst: Kosova si Hong-Kongu apo Makao

Në fund doli si zgjidhje më e mirë, e pranuar nga pala kosovare dhe nga bashkësia ndërkombëtare pa Rusinë, ajo e propozuar nga Ahtisaari. Këtë e përmendim për të dalë te gjeneza e problemeve që Kosova ka sot në raportet me Bashkimin Evropian, probleme të cilat as një për qind nuk janë zgjidhur as me ndihmën e dialogut, e as me kompromiset që i ka bërë Kosova në këtë dialog. Problemet filluan me ndasitë brenda Bashkimit Evropian për të mbështetur pakon e Ahtisaarit, edhe pse ajo ishte rezultat i angazhimit të madh të BE-së dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kishin pothuajse fjalën kryesore në përpilimin e asaj pakoje. Kjo rezultoi pastaj me ndasitë në BE për statusin e Kosovës, ndasi që i kemi edhe sot. Pra, për BE-në as pavarësia e Kosovës, madje as pakoja e Ahtisaarit, formalisht nuk janë pranuar. Në situatën në të cilën një numër i vogël i shteteve anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën si shtet BE-ja nuk mund ta konsiderojë Kosovën si shtet, edhe pse si shtet e kanë njohur shumica e shteteve anëtare. Në rrethana të tilla Kosova nuk ka „Fuqi të arritjes së traktateve“ dhe nuk mund të ketë raporte kontraktuale me Bashkimin Evropian çfarë kanë të gjitha shtetet e tjera të rajonit. Ky është fakt dhe këtë fakt e pranojnë shumë diplomatë të shteteve anëtare të BE-së. Por në Komisionin Evropian dhe në Shërbimin e veprimit të jashtëm (EEAS) sikur u vjen keq ta thonë qartë këtë apo, që do të ishte një lloj manipulimi i opinionit, qëllimisht dëshirojnë të lënë përshtypjen se Kosova trajtohet sikur „të gjitha vendet e tjera të rajonit“, apo se „kjo gjë nuk është fare e rëndësishme, sepse substanca është më e rëndësishme sesa forma“.

Hidromorava

Se nuk është ashtu dëshmon më së miri fakti se vetë brenda BE-së, Komisioni, shtetet anëtare dhe shërbimet ligjore, tash e sa muaj nuk kanë arritur ende ta formalizojnë asnjë vendim të thjeshtë të Këshillit, i cili do të autorizonte hapjen e negociatave me Kosovën për një marrëveshje e cila do t’i mundësonte Kosovës pjesëmarrje në programet e BE-së. Nuk është fjala madje as për Marrëveshjen e Stablizim Asociimit për vetëm për pjesëmarrje të disa programeve të BE-së për të cilat shumë vende as që e dinë se janë pjesë e tyre. Për nga substanca, Kosova, nëse anëtarësohet në ato programe, mund të rezultojë të paguajë më shumë për anëtarësim sesa që mund të thithë mjete nga to. Por forma konsiderohet e rëndësishme sepse, nëse pranohet formula në rastin e tillë ajo mendohet të shfrytëzohet edhe për të ardhmen në raportet e tjera të Kosovës me BE-në, duke e përfshirë mundësisht edhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Më shumë se një vit e gjysmë ka kaluar prej propozimit të parë të Komisionit për këtë gjë dhe ende nuk ka vendim. E siç ka njoftuar javën e shkuar “Koha Ditore” në tekstin e gazetarit Arben Ahmeti, Shërbimi ligjor i Këshillit të BE-së ka dhënë mendimin që, duke përdorur fusnotën, nisja e negociatave me Kosovën për marrëveshjet për pjesëmarrje në programet e BE-së, nuk do të thotë njohje e Kosovës nga BE-ja.

Në një lexim të kujdesshëm të mendimit të ekspertëve ligjorë të BE-së shihet se si precedentë përmenden disa raste të raporteve me rajonet që nuk janë shtete. Pikërisht modelet të cilat Serbia i kishte propozuar për statusin e Kosovës, sipas të cilave Kosova do të vetadministrohej por do të mbetej territor i Serbisë, e të cilat Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare i kishin refuzuar, tash përmenden si shembuj sipas të cilave Bashkimi Evropian mund të ndërtojë marrëdhënie me Kosovën, pasi që Kosova për BE-në nuk mund të trajtohet si shtet. Ekspertët ligjorë të Këshillit të BE-së thirren në shembujt e Hong-Kongut, Makaos, Tajvanit, autoriteteve palestineze dhe të tjera për të argumentuar se marrëveshjet eventuale mes BE-së dhe Kosovës nuk do të thonë se BE-ja do ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur.

Mst: Pa njohjen e Kosovës si shtet – integrimi në BE, vetëm iluzion

Në përpjekje për të arsyetuar lëshimet e Qeverisë së Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, zyrtarë kanë përmendur „garancitë për integrim të shpejtë në BE“ dhe „hapa konkretë që do të merren këtë vit në procesin e integrimeve të Kosovës në BE“. Shikuar tash me një distancë disamujore kohore mund të shihet se Serbia ka bërë hapa konkretë, formalë dhe të mëdhenj. Ka marrë hiq më pakë se statusin e kandidatit. Kosova nuk ka bërë as edhe të vetmin hap. Nëse për BE-në është aq e vështirë të gjejë formulë për të nisur negociatat me Kosovën për pjesëmarrje të programin „Evropa e qytetarëve“, atëherë sa do të kalojë për të arritur pajtim për Marrëveshjen SAA e lëre më për dhënien e statusit të kandidatit apo anëtarësimin në BE. Në njërën anë, Kosova, sipas vlerësimeve të vetë ekspertëve dhe diplomatëve të BE-së, është shumë larg nga përmbushja e kritereve të nevojshëm për të bërë ndonjë hap të madh, por edhe po të ishte do të ndeshej me pengesa legale në BE.

Me sa kujdes dhe energji shtetet të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës punojnë që të sigurohet që BE-ja që në asnjë mënyrë të mos e njohë Kosovën si shtet. Në të njëjtën mënyrë ekspertët ligjorë të BE-së sqarojnë se BE-ja nuk e trajton Kosovën si shtet. Kemi disa shembuj e një prej tyre është edhe „Zyra e BE-së“ në Prishtinë, e cila qëllimisht nuk është „Delegacion“ sepse „delegacionet“ janë në shtetet sovrane.

Në këto rrethana BE-ja mund vetëm të ndihmojë në krijimin e iluzioneve se Kosova mund të ketë raporte të mirëfillta kontraktuale me të sikur edhe shtetet e tjera të rajonit. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ose për nga mosdija, ose qëllimisht për të manipuluar opinionin, mund të pohojnë se „Kosova po trajtohet në procesin e integrimeve evropiane sikur të gjitha shtetet e tjera“. Por e vërteta mbetet se në BE me Kosovën punojnë sipas shembujve që kanë me Hong-Kongun dhe Makaon e jo sipas shembullit që kanë me Kroacinë, Shqipërinë apo me Malin e Zi. Dhe kështu do të jetë derisa BE-ja të mos marrë qëndrim rreth statusit të Kosovës, pra derisa të gjitha shtetet e BE-së të mos e njohin pavarësinë. Sa po kalon koha po largohet Kosova gjithnjë e më shumë nga këto njohje dhe në këtë mënyrë edhe nga nisja formale e rrugëtimit në integrimet në BE. Derisa një ditë të mos ndodhë kjo, Kosova mund të përpiqet të përfitojë nga disa programe të BE-së, ato kurrsesi nuk janë të dëmshme, por pjesëmarrja në to nuk do të duhej të shfrytëzohej për krijime iluzionesh dhe manipulim të opinionit për t’i quajtur raportet e Kosovës me BE-në me emërtime të pasakta.