Ramush Haradinaj në mbikëqyrje të EULEX-it
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) do të monitorojë përmbushjen e kushteve të lirimit të përkohshëm të Ramush Haradinajt, i cili sot mbërriti në Kosovë, pas lirimit nga Tribunali i Hagës.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haradinaj, do të duhet të paraqitet një herë në javë në policinë e EULEX-it.
“Me kërkesë të Tribunalit të Hagës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ICTY-s, EULEX do të ndihmojë gjykatën në monitorimin e kushteve të lirimit të përkohshëm të zotit Haradinaj”, i ka thënë gazetës Jeta në Kosovë, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.
“Ndër detyrat që policia e EULEX-it do të kryejë janë: shoqërimi i Haradinaj për në dhe nga Aeroporti i Prishtinës, do ta takojë Haradinaj një herë në javë, si dhe do të mbajë dokumentet e udhëtimit të tij”, ka saktësuar ai. /Telegrafi/