Ramiz Azizi: Do ta luftojë korrupsionin, nepotizmin dhe dembelin në Gjykatë

Gjilan – Ramiz Azizi për pak kohë ka arritur ta vendos në binar punën në Gjykatën Themelore të Gjilanit. Në një bisedë për rajonipress Ramiz Azizi thotë si ka shpallur luftë korrupsionit, nepotizmit, dukurive devijante, dembelisë, klaneve e matrapazëve të ndryshëm të cilët për vite të tëra e kanë shkatërruar dhe dëmtuar sistemin gjyqësor.
Ramiz Azizi e ka nisur punën e tij si kryetar i Gjykatës Themelore të Gjilanit me shumë elan dhe motiv për të quar gjërat përpara. Azizi është optimist se shumë shpejt do të stabilizohet sistemi dhe shërbimet në Gjykatën e Gjilanit.
“Nuk e kam gjetur keq situatën realisht këtu, por ka nevojë për intervenime profesionale dhe ka nevojë për ta kthyer besimin e humbur të qytetarit në sistemin e drejtësisë. Na duhet shumë mund e punë për ta bërë këtë, por jam i sigurt se bashkërisht do të arrijmë t`i flakim njëherë e përgjithmonë dukuritë negative, ta stopojmë korrupsionin, t`i shpartallojmë klanet mafioze që për vite të tëra kanë funksionuar, dhe ta zhdukim nepotizmin e privilegjet e zyrtarëve gjyqësor” u shpreh Azizi.
Ramiz Azizi për nga natyra është tip principiel, profesionit dhe punëtor i madh. “Do të krijojë disiplinë në punë dhe qysh tash i kam stopuar disa dukuri që mua më kanë penguar vazhdimisht. Nuk do të presin palët asnjë orë, dhe se shërbimet do të avancohen si në shpejtësi, ashtu edhe në kualitet. Do të krijojmë transparencë dhe se gjithçka do të dihet dhe informohet me kohë”.
Azizi thotë se për të është shumë me rëndësi që në Gjykatën e Gjilanit të dominojë profesionalizmi. “Ana profesionale, sjelljet njerëzore, etika profesionale, mos pirja e duhanit, shëtitjet e panevojshme korridoreve veç i kam stopuar, dhe do të respektohet kodi i veshjes”.
Azizi ndërkaq thotë se do të ketë bashkëpunim profesional me Odën e Avokatëve, me Prokurorinë e Gjilanit, policinë.
Azizi thotë se tashmë është thyer blloku i të privilegjuarve dhe avashllëkut ndërsa shton se ende ka vende të pambuluara në stafin e Gjykatës. Thotë se prioritet do të kenë lëndët kundër korrupsionit, krimit të organizuar, e veprave tjera të rënda.
Kreu i Gjykatës është i lumtur që zëvendës të tij ka gjykatësin Aziz Shaqirin një profesionist i vërtet. /rajonipress/