Ramiqi: Jo sheriatit
Ne synojmë ta ndërrojmë Kushtetutën dhe ligjet aktuale të Kosovës. Por, nuk angazhohemi për futjen e Sheriatit. Pas zgjedhjeve, do të jemi faktor serioz në Parlamentin e Kosovës. Fuad Ramiqi, anëtar i Lëvizjes Islamike Bashkohu, flet për Express.
Rruga nuk i solli gjë prandaj vendosi që të garojë edhe në politikë.
Ish-oficeri i APJ’së për shumë vjet sërish do të provojë rrugën e politikës për të arritur synimet e tij.
Lëvizja Islame Bashkohu (LISBA) synon jo vetëm praninë në Parlament, por edhe njëri ndër faktorët e skenës së ardhshme politike.
Kjo parti e re në Kosovë pretendon se do ta mbrojë identitetin Islam të shqiptarëve të Kosovës.
Nuk do t’i lë anash as protestat në rrugë nëse Parlamenti nuk bën punë.
Express: Z. Ramiqi, tash edhe zyrtarisht në KQZ jeni pranuar si subjekt politik. Pse vendosët që nga një lëvizje nga rruga të bëheni parti politike?
Ramiqi: Pozita e Kosovës në ndërtimin e demokracisë së mirëfilltë është treguar i mangët sidomos kur është në pyetje roli i shoqërisë civile. Në veprimtarinë tonë mbi dy vjet e gjysmë në mbrojte të të drejtave dhe lirive fondamentale të njeriut duke përfshirë edhe të drejtën e besimit dhe ushtrimit të lirë ne nuk kemi arritur që t’i realizojmë ato të drejta sepse mekanizmat e pushtetit kanë qenë më të fortë dhe nuk e kanë respektuar rolin e shoqërisë civile. Pjesërisht kemi pas sukses dhe metodat dhe mekanizmat që ne i kemi përdorë qoftë me protesta, tribuna apo paraqitje mediale kanë ardhur në një fazë që janë konsumuar. Duke pasur parasysh rolin e pushtetit, atëherë edhe kërkesa e njerëzve, aktivistëve tanë dhe nga analizat tona na kanë çuar drejt asaj që ne të futemi në garë si subjekt politik në kontekstin e veprimtarisë institucionale për të arrit ato që ne i kemi bërë si shoqëri civile.
Express: A po mendoni se do t’i arrini ato me politikë?
Ramiqi: Ne e kemi sensibilizuar opinionin, e kemi qitë në pah që njeriu në shoqëri dhe në shtet është shumë më i rëndësishëm sesa krejt aparati i pushtetit. Ne jo që besojmë por jemi të bindur se e kemi një vizion që mund t’i realizojmë ato të drejta në interes të shtetit dhe të qytetarëve, jo të pushtetit ose grupeve të caktuara.
Express: Cila është ajo formë me të cilën mendoni se do të realizoni kërkesat e juaja?
Ramiqi: Ne nuk e kemi humbur karakterin e lëvizjes, edhe si subjekt politik. Ajo që ne synojmë është që në Kosovë të fillojë të zbatohet drejtësia dhe barazia në mes qytetarëve. Dhe kjo mund të arrihet fare lehtë. Me normat dhe kodet e jetës me të cilën jetojmë duke iu referuar parimeve morale të Krijuesit që neve na obligon të jemi të drejtë dhe të punojmë në interes të të gjithëve jo vetëm tonin. Sepse ne jetojmë në një mënyrë që është e përcaktuar nga Krijuesi si besimtarë të besimit islam.