UBT

Rama kërkon gol dhe 6 pikë

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Një bilanc prej 3 golash në 5 ndeshje me përfaqësuesen shqiptare ka bërë mesfushorin Valdet Rama “njeriun-gol” në përfaqësuesen kuqezi. Futbollisti që aktivizohet me Real Valadollidin në Spanjë, po kalon një formë të shkëlqyer dhe nuk e fsheh faktin se do të dëshironte shumë një gol në sfidën ndaj Zvicrës.

“Do të mundohem të shënoj edhe në këtë ndeshje, jam një lojtar ofensiv dhe është normale që kam dëshirë të shënoj një gol. Do të jap maksimumin që në stërvitje dhe do të mundohem që të premten të shënoj gol”, u shpreh mesfushori që nuk ndien asnjë lloj trysnie apo emocioni duke luajtur ndaj një ekipi me emra të njohur si Zvicra.

“Emocione? Jo, besoj që do të hyjmë në lojë dhe do të japim maksimumin tonë si skuadër. Do të mundohemi të fitojmë këtë ndeshje. E kemi treguar që nuk kemi frikë për të luajtur për rezultat edhe në Slloveni, ku kemi krijuar shumë raste dhe jemi munduar që të shënojmë gol. Unë e thashë edhe më parë se kam besim të kjo skuadër dhe do të mundohemi të japim maksimumin të premten, do të shkojmë për fitore në këtë sfidë”, u shpreh futbollisti i kombëtares shqiptare.

Pikërisht fitorja ndaj Zvicrës është objektivi që grupi kuqezi i ka vënë vetes, por Rama insiston se ky nuk është i vetmi objektiv, pasi kombëtarja shqiptare sheh që të marrë maksimumin edhe në Qipro.

Mobi Casa

Dy fitoret mund të ndihmojnë Shqipërinë për një pozicionim më të mirë në grup, e pse jo, në rast të një kombinimi rezultatesh, të arrijë edhe vendin e dytë në grup.

“Kemi ndeshjen në fushën tonë, në Qemal Stafa. Duhet të besojmë që mund të fitojmë me Zvicrën. Unë për vete kam besimin dhe do të jap maksimumin tim nëse luaj dhe ashtu besoj se do të veprojnë edhe lojtarët e tjerë të premten”, tha mitrovicasi.

“Do të përgatitemi dhe do të mundohemi të hyjmë në fushë për një fitore. Janë dy ndeshje të vështira për ne, por do të mundohemi që te të dyja të arrijmë një rezultat shumë të mirë. Kemi shanse të marrim 6 pikë dhe do të mundohemi ta bëjmë një gjë të tillë. Matematikisht kemi ende shanse për vendin e dytë. Puna jonë është të marrim 6 pikët dhe pastaj të shohim se çfarë do të bëjnë ekipet e tjera”, deklaroi Valdet Rama.