KKVITI

Rahimaj takohet me fermerë, diskuton për projektet që do të zhvillohen në fushën e Bujqësisë për vitin 2022

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Kamenicë – Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shpend Morina, kanë mbajtur takim me fermerët e Kamenicës Në këtë takim është diskutuar për projektet të cilat do t’i zhvillojë Drejtoria e Bujqësisë për fermerët, si dhe ndarjen e subvencioneve.

I pari i komunës ka thënë se bashkërisht me fermerët do t’i zgjidhin problemet me të cilat përballen ata.
“Ju përballeni me probleme të ndryshme, dhe ju më mirë se ne e dini sfidën e veprimtarisë suaj, e po ashtu edhe zgjidhjen e duhur. Bashkëpunimi i Drejtorisë së Bujqësisë me juve është krucial dhe i domosdoshëm, për këtë ne e kemi administratën në këtë Drejtori që punon jashtëzakonisht shumë, dhe është e gatshme t’iu ndihmojë në çdo gjë. Andaj për këtë edhe zotimet tona do t’i orientojmë bashkë me ju, aty ku ju e shihni të nevojshme”, ka thënë Rahimaj.

Drejtori Shpend Morina ka shpalosur programin e subvencioneve duke treguar se në krahasim me vitin e kaluar këtë vit janë rritur subvencionet.

“Ju kemi ftuar që së bashku t’i orientojmë subvencionet dhe projektet e Drejtorisë aty ku ju e shihni më të nevojshme. Këtë vit është rritur shuma për subvencionë ku në krahasim me vitin e kaluar që ka qenë 27 mijë euro këtë vit është 80 mijë euro. Ne kemi paraparë që t’i shpërndajmë për fermerët tanë, por do të marrim edhe mendimin tuaj se ku janë më të nevojshme”, ka thënë ai.

Pas prezantimit të projekteve nga Drejtori Morina, fermerët kanë pasur mundësinë që të paraqesin pyetjet dhe idetë e tyre lidhur me subvencionet.

Fermeri Milaim Limoni ka kërkuar që të mbështeten fermerët që kanë mbjellë pemë apo pemishte.

Mobi Casa

Ndërsa sipas fermerit Jakup Shala edhe veprimtaria perimo-kultura është anashkaluar dhe duhet të mbështetet.

“Perimo – kultura qenka anashkaluar. Mendoj që është veprimtari mjaft profitabile. Ne kemi nevojë për plehra dhe fara të cilat kushtojnë mjaft shumë. Kemi nevojë për mbështetje për sigurim të saksive, për plasmas për sistem të ujitjes, pompa. Nëse komuna mua do të më siguronte një serë prej 20 ari unë iu garantoj që dy punëtorë do t’i mbajë për një vit, me një pagë të dinjitetshme”, është shprehur ai.

Kurse fermeri Nexhmedin Korqa ka kërkuar që të përkrahet edhe kultura e patates, pasi që sipas tij është mjaft e përhapur në Kamenicë.

Në anën tjetër sipas fermerit Rexhë Hasani për bletarinë duhen subvencione në shumë më të madhe.
“Për këtë shoqëri që ka kaq shumë bletë dhe që është veprimtari shumë e përhapur duhet të ndahen më shumë subvencione. Ne kemi nevojë edhe për një hapësirë për zhvillimin e aktiviteteve tona, pasi që shumë fermerë merren me këtë veprimtari por kanë shumë pak njohuri. Po ashtu ne kemi nevojë për dyllë dhe sheqer”, ka thënë ai.

Sipas fermerit Rifat Hajdari është hera e parë që ka kaq shumë pjesëmarrje të fermerëve në takim.
“Unë iu falënderoj që na keni ftuar dhe është mirë që për herë të parë kemi pjesëmarrje kaq të madhe të fermerëve. Ne si komunë dhe ti si kryetar duhet ta keni prioritet Bujqësinë, ku thuajse të gjithë jetojnë prej saj. Ne nuk jemi përkrahur që 20 vite edhe pse unë e falënderoj udhëheqësin e kaluar ku kam përfituar një mekanizëm bujqësor. Unë mendoj që ne të bashkuar mund të kryejmë punë, duke aplikuar 3-4 fermerë për një mekanizëm dhe mund të kryejmë së bashku shërbime. Mirëpo ajo për të cilën mund të përkrahet më së shumti Bujqësia është me sistem të ujitjes, sepse pa ujitje nuk ka Bujqësi. Mendoj që një pjesë e këtij buxheti duhet të ndahet për t’iu ndihmuar bujqve për sistem të ujitjes”, ka theksuar ai.

Ky takim është përmbyllur duke i evidentuar këto kërkesa të fermerëve në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për to./rajonipress/