Rahimaj: Gjithandej rrugëve të Kemal Pashës së Bursas flitej gjuha shqipe

Gjilan – Biznese të suksesshme shqiptare gjithandej. Dashuria për atdheun e tyre ka bërë që ata të emërojnë bizneset e tyre me emër të Kosovës. Janë vëllezërit Yzeir, Kemajl dhe Salih Kosova që furnizojnë gjithë qarkun e Bursas përmes fabrikës së tyre të zdrukthëtarisë. Ndërsa, shqiptari tjetër Rabit Lojan është i njohur për plantacionin e tij prej 22 ha të mollës, pjeshkës dhe dardhës ka shkruar Kadri Rahimaj.
Postimi i plotë:
Në dy ditët e para të qëndrimit në qytetin e Kemal Pashës, në Turqi, bashkë me Drejtorin e Arsimit Afrim Dervishi, shefin e Kadastrit Fadil Hoti dhe Asambleistin Rabit Dërmaku, kemi vizituar institucione, biznese dhe ndërmarrje publike e private.
Jemi takuar me Drejtorin e Arsimit Kombëtar përgjegjës për gjithë qarkun z. Mustafa Efe, me të cilin biseduam për mundësinë e bashkëpunimit në fushën e arsimit sidomos në shkollat e mesme profesionale dhe shkëmbimin e përvojave përmes stafit akademik dhe nxënësve.
Më pas takuam edhe Guvernatorin e Qarkut z. Ahmet Altinaş. Binjakëzimi i dy qyteteve tona është parë si mundësi e mirë për zhvillim të ekonomisë, tregtisë dhe teknologjisë. Ne treguam se cilat janë potencialet e Komunës së Kamenicës për zhvillim ekonomik, bujqësor, turizëm dhe së fundi interesimin e madh të të rinjve për teknologjinë.
Më pas kemi vizituar ndërmarrjen publike për reciklim të mbeturinave duke parë nga afër edhe procesin e kompostimit dhe formën se si grumbullohen dhe ndahen në deponi të gjitha mbeturinat e qytetit.
Kemi vazhduar vizitën në qendrën e fëmijëve me nevoja të veçanta. Kjo qendër funksionon për qëndrim ditor dhe këtu realizoheshin aktivitetet të ndryshme. Përveç mbështetjes institucionale kjo qendër siguronte qëndrueshmërinë e saj edhe nga pikturat dhe punimet tjera që kanë krijuar fëmijët.
Një nga format se si ndihmohen rastet sociale është përmes kuzhinës popullore. Kjo qendër çdo muaj ndihmon nga 320 persona me ushqim të rregullt. Ata që kanë nevojë mund të regjistrohen dhe më pas të marrin veshmbathje ose ushqimin e nevojshëm për t’a përgatitur në shtëpi. Përveç njerëzve të vullnetit të mirë, këtë qendër, në baza të rregullta e ndihmojnë edhe bizneset.
Hapësirat sportive dhe ato të gjelbërta janë tejet të rëndësishme dhe të pashmangshme për një qytet. Këtu po ndërtohej një qendër sportive me pishinë gjysëm olimpike, fusha të hapura dhe të mbyllura sportive, amfiteatër dhe kinema. Hapësira do të ketë sipërfaqe prej 3,500 metër katror, 1,500 do të jenë objekte sportive.
Ndërsa pamë nga afër punimet e parkut 7,000 metër katror. Përveç parkut të gjelbër, shtegut për ecje dhe çiklizëm këtu janë të mbjella mbi 15,000 drunj të ndryshëm dekorativ. Brenda parkut do të ndërtohet një hapësirë për studime të fidanëve të ndryshëm që do të jetë atraktive edhe për qytetarët.
Strehimoret për qenë dhe mace janë funksionalizuar para dy viteve. Aktualisht strehoheshin mbi 200 qenë. Kujdesi i mirë shëndetësor ka bërë që shumë qytetarë të marrin qenë ose mace në shtëpi nga kjo strehimore. Ushqimi sigurohej nga shkollat, nga rrjeti i gastronomisë duke minimizuar kështu nevojën për financim të ushqimit nga institucionet.
Biznese të suksesshme shqiptare gjithandej. Dashuria për atdheun e tyre ka bërë që ata të emërojnë bizneset e tyre me emër të Kosovës. Janë vëllezërit Yzeir, Kemajl dhe Salih Kosova që furnizojnë gjithë qarkun e Bursas përmes fabrikës së tyre të zdrukthëtarisë.
Ndërsa, shqiptari tjetër Rabit Lojan është i njohur për plantacionin e tij prej 22 ha të mollës, pjeshkës dhe dardhës.
Pushimet ndërmjet vizitave dhe mbrëmjet po i kalojmë më Koordinatorin e Qendrës Kulturore z. Rexhep Gunduz (Krivaqa), Necip Sen dhe shumë shqiptarë zemërgjerë dhe mikpritës. /rajonipress/