Rahim Azemi, portreti i profesorit që ndërtoi breza dhe standarde arsimore
Gjilan – Ka profesorë që japin mësim dhe ka të tillë që krijojnë shkollë. Rahim Azemi i përket kësaj kategorie të rrallë arsimtarësh që, përmes dijes, etikës dhe përkushtimit, ndërtuan jo vetëm nxënës të mirë, por edhe qytetarë të ndërgjegjshëm. Ai është një personalitet unikat i arsimit kosovar, shembull i profesorit të kompletuar në aspektin profesional, etik dhe metodik.
Në historinë e arsimit, disa emra nuk lidhen vetëm me një profesion, por me një epokë vlerash. Ata nuk mbahen mend për orët mësimore të mbajtura, por për brezat që formuan, standardet që ngritën dhe kulturën arsimore që ndërtuan me përkushtim të palëkundur.
Profesor Rahim Azemi është njëri nga ata personalitete të rrallë që arsimin nuk e jetoi si detyrë, por si mision shoqëror dhe intelektual. Me dije të thelluara, etikë të lartë profesionale dhe një qasje pedagogjike shembullore, ai krijoi një model arsimuesi që tejkalon kohën dhe mbetet referencë për brezat që vijnë.
Hyrja e tij e parë në klasë mbetet e paharruar për shumë gjenerata, i qetë, pedant, me stilograf në dorë dhe me një kaligrafi të rrallë, Rahim Azemi nuk impononte autoritet, ai e fitonte atë natyrshëm. “Quhem Rahim Azemi”, (cituar nga Nexhat Buzuku), ishte fjalia e thjeshtë që hapi një rrugëtim të gjatë arsimor, i cili do të shndërrohej në mision jetësor.
I formuar në pedagogji, filozofi dhe sociologji, me njohuri të thelluara edhe në psikologjinë e nxënësit, profesor Azemi ndërtoi një model të avancuar të mësimdhënies, ku disiplina, dija dhe motivimi ecën paralelisht. Për vite me radhë ai u dallua si kujdestar klase i shkëlqyer, duke zënë vendin e parë në nivel shkolle, komune dhe Kosove, veçanërisht në kuadër të aksionit arsimor “Mësim, mësim dhe vetëm mësim”.
Kulmi i këtij angazhimi u kurorëzua në vitin 1989, kur Rahim Azemi u shpall Profesori më i mirë në Kosovë, një vlerësim që nuk ishte thjesht mirënjohje formale, por konfirmim i një pune të jashtëzakonshme dhe rezultateve kulmore në arsim.
Veprimtarinë e tij profesionale e zhvilloi në shkollat e mesme të Gjilanit, përfshirë Gjimnazin “Zenel Hajdini”, Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Boro e Ramizi” dhe ShMM “Dr. Asllan Elezi”. Njëkohësisht, ai u dëshmua edhe si drejtor shumë i suksesshëm i Shkollës së Mjekësisë, duke lënë gjurmë të thella edhe në menaxhimin arsimor.
Përtej klasës, Rahim Azemi është i njohur edhe si publicist dhe studiues. Ai ka botuar libra nga fusha studimore-hulumtuese dhe ka prezantuar punime shkencore në konferenca vendore e ndërkombëtare, duke kontribuar në shkencat shoqërore, filozofi dhe filozofi linguistike.
Për kolegët dhe nxënësit, ai mbetet figurë referente. Shumë prej tyre e quajnë me respekt “akademik Rahim Azemi”, jo për titull formal, por për kulturën e lartë profesionale, etikën personale, stilin jetësor, komunikimin korrekt dhe shkrimin akademik të spikatur.
Rahim Azemi është arsimues i brezave dhe pishtar i dijes, një figurë që dëshmon se arsimi i vërtetë ndërtohet me dije, përkushtim dhe shembull personal. I tillë ishte, i tillë mbetet dhe i tillë do të kujtohet, si ikonë e arsimit në Gjilan dhe në Kosovë./rajonipress/



