Racizmi në Twiter e largon nga Londra 2012!
Londër – Katër vjet stërvitni si i trentë, shpenzoni me dhjetëra mijë kalori, derdhni me qindra litra djersë…arrini normën e paraparë për pjesëmarrje në Lojëra olimpike dhe, në prag të fillimit të tyre, e përjashtoni veten nga ato!
Kështu i ndodhi garueses greke në disiplinën e kërcimit trehapësh Paraskevi Papachristou, e cila të hënë në profilin e saj në Twiter publikoi një porosi të pavend dhe raciste, që mbase do të duhej të ishte shaka:
“Pasi në Greqi ka kaq shumë afrikanë, të paktën mushkonjat nga Nili perëndimor do të hanë ushqim vendor”.
Pas depërtimit të kësaj porosie në opinion, mediet reaguan ashpër, kurse atletja greke dy ditë nuk iu përgjigj kritikave e as tentoi të mbrohet. Mirëpo, reagoi Komiteti Olimpik i Greqisë i cili njoftoi se “Papachristou nuk do të jetë në listën e udhëtarëve për Lojërat olimpike për arsye të deklaratave që janë në kundërshtim me frymën e Lojërave”.
Paraskevi Papachristou pas kësaj kërkoi falje, por ishte tepër vonë.