Qytetarët u vetëdijesuan

Politologu Behlul Beqaj ka thënë se suksesi më i madh i zgjedhjeve lokale ka qenë vetëdijesimi i qytetarëve karshi votës së tyre. Ai ka deklaruar se më në fund qytetarët e kanë kuptuar se pushtetarët varen nga vota e tyre.
“Konsideroj se suksesi më i madh i këtyre zgjedhjeve është fakti se qytetari ka kuptuar që pushtetarët më në fund varen nga vota e tyre”, është shprehur Beqaj në një intervistë për “Epokën e re”.
Sipas Beqajt, fituesja më e madhe në këto zgjedhje është Lista “Srpska”. “Partia politike që ka fituar më së shumti në këto zgjedhje është Lista ‘Srpska’, e cila me mbi 20 mijë votues ka dalë fituese në nëntë komuna të Kosovës. Nëse e kemi edhe SLS-në, fituesit absolutë të këtyre zgjedhjeve janë serbët, të cilët me rreth 21 mijë votues kanë fituar aq komuna sa ka fituar edhe PDK-ja me mbi 200 mijë vota të qytetarëve”, ka deklaruar Beqaj, duke shtuar se rënia e rreth 20 mijë votuesve dhe humbja e disa komunave të mëdha nga PDK-ja tregon se, nëse trendi i humbjes vazhdon kështu, ai nuk do të ndalet në këtë parti.
Beqaj ka thënë se LDK-së i mbetet ta analizojë suksesin ose mossuksesin e saj pas humbjes në kryeqytet.
“Humbësi dhe fituesi mund të vlerësohen vetëm pasi të shihet se sa elemente pozitive ka sjellë, në rastin konkret të LDK-së fitorja në gjashtë komuna të mëdha dhe humbja e kryeqytetit. Këtë punë duhet të bëjnë ata që janë në LDK”, ka thënë Beqaj, duke shtuar se humbja e AAK-së në katër komuna ka ndodhur për shkak të gafeve të liderit të saj. “Kur është në pyetje AAK-ja, ajo është viktimë e gafeve të shumta të cilat i ka bërë lideri i saj, Ramush Haradinaj, prej momentit kur është kthyer nga Haga e deri më sot”, është shprehur Beqaj. /Telegrafi/