Fundamenti

Qytetarët, të ndarë rreth punës së Kryetarit Surdulli

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Tubimi me Qytetarë ka shkaktuar debat me tone të ashpra mes kryetarit të Kamenicës dhe aktivistëve të lëvizjes “Vetëvendosje”. Qytetarët ndërkaq kanë mendime pro dhe contra punës së Surdullit.

Kreu i Kamenicës Shaip Surdulli së bashku me bashkëpunëtorët e tij janë përgjigjur në shumë interesime të qytetareve , por edhe të opozitës për shumë çështje që e preokupojnë këtë qytet. Surdulli ka folur për performancën e mirë që po bënë kjo komunë dhe për punën e përkushtuar që bëjnë zyrtarët e tij. “Po punojmë që të përkrahim projektet që janë në dobi të jetës së qytetarëve tanë” ka shtuar Surdulli.

Por në një moment gjatë tubimit siç njofton radiopremiera, Surdulli kërcënoi aktivistin e VV-së me largim nga salla “nëse nuk i matë llafet”, derisa kërkoi edhe nga drejtori i Buxhetit, Rabit Halili t’i ndërpres polemikat me këta aktivistë.
“Drejtor, leni polemikat. Pasi të kryhet tubimi, ndashi dilni jashtë e rrehnu. Me të vërtetë po na pengoni që sa kohë”, tha Surdulli.

Kritikat e Vetëvendosjes nisën me aktivistin Korab Berisha për mungesë të vendeve të reja të punës, mungesë investimesh në lagjen Malësia, shërbime jo të mira në QKMF dhe luks të tepruar.
“Në asnjë prej tabelave tuaja, unë nuk pashë që keni ndërtuar ndonjë fabrikë me hi ndonjë qytetar në punë. Asfalt, trotuare, por ato nuk hahen. Pse në QKMF nuk kryhen shumica e analizave për pacientët? Pse në lagjen Malësia nuk vendosen shportat për mbeturina. Një automjet për QKMF-në e keni ble 19 mijë euro. Nuk ka asnjë investim në lagjen Malësia, edhe pse nevojat janë shumë të mëdha. A mendoni që e keni politizuar gjimnazin me Nexhat Rexhën që e keni qu atje. Për xhipin që e ke ble 36 mijë euro po ki pare, a për problemet e qytetarëve jo”, u shpreh Korab Berisha.

Për ta ndërprerë polemikën me aktivistin e VV-së, kryetari Surdulli tha: “Ty djalosh, nuk po të përgjigjem hiq. Se po ma përmend partinë këtu, e unë kam dalë si kryetar i Komunës. T`i fol sa të dush, e nëse e tepron të qesim jashtë”. I ashpër poashtu në ‘pyetjet’ e tij, ishte edhe ish-kandidati i VV-së për deputet të Kuvendit të Kosovës, Arsim Thaçi.
“19 tenderë iu kanë anuluar Komunës, ku dihet se ka pas dallavere të mëdha. Dhe kjo po e vonon realizimin e projekteve. Ju përmendni sa të doni projekte të vitit të kalum, teprica të buxhetit, krejt i kuptojmë, por nuk ka zhvillim kjo Komunë. Nuk jeni të sinqertë si pushtet. Të kisha lut mos me prish parkun. Unë e di që jeton në vise rurale, sikurse unë, por duhet me ditë që qyteti ka nevojë për një park. Ndale bartjen e zhavorrit në Desivojcë, investo në shkollat që ke premtu. Nuk po t’i përmendi tri rastet gjyqësore”, theksoi Thaçi.

Në përgjigjen e tij, kryetari Surdulli foli për një nga proceset gjyqësore që lidhet me ndërtimin e varrezave të dëshmorëve shumë vite më parë. “Një proces është duke u zhvillu për varrezat e dëshmorëve, gjoja se ne kemi bërë keqpërdorime. Ajo lëndë ekziston në gjykatën e Prizrenit, të akuzuar jemi unë, Islam Thaçi e Hasan Keqmezi. Kjo gjykatë i ka angazhuar dy ekspertë, kanë qenë në vend të ngjarjes e ata do ta përpilojnë një raport për këtë çështje.

Mobi Casa

“Unë jam shumë i sigurt që kjo nuk lidhet asgjë me punën tim, si kryetar i Kuvendit Komunal në atë kohë”, deklaroi kryetari i Kamenicës..

Qytetarët mirë e keq për pushtetin

Ndërkaq qytetarët kanë dhënë vlerësime pro et contra punës së administratës së Surdullit.

Nazmi Bunjaku, banor i lagjes “Çamëria”, është ankuar se dora e pushtetit komunal nuk është ndier për vite me radhë në këtë lokalitet. Investimi i vetëm në këtë lagje, sipas tij, është mbulimi i një grope.
“Ne sikur me qenë pjesë e Mitrovicës Veriore, e jo Kamenicës Veriore. E kemi rrezikun e shembjes së 14 shtëpive, ngushtimin e rrugës, e shumë probleme të tjera dhe me këtë lagje nuk merret askush”, ishte ankesa e Bunjakut në tubimin me qytetarë të kryetarit Shaip Surdulli.

Muzikanti Heset Matoshi u ankua për mungesë investimesh në sferën e kulturës. “Asnjë fjalë nuk u fol për kulturën e komunës së Kamenicës. Nuk e di a ekziston këtu një drejtori e Kulturës, që merret me këtë lëmi, ku nuk u paraqit asnjë projekt për kulturën as për këtë vit e as për vitin e ardhshëm. Kjo drejtori asnjëherë nuk më fton me marrë pjesë në aktivitete. Unë vetëm çka jam nënçmuar nga zyrtarët e kulturës”, theksoi Matoshi.

Ndërsa, Ramadan Ajvazi, përgëzoi kryetarin e Komunës për të arriturat e deritashme dhe e inkurajoj atë që me të njëjtën dinamikë ta vazhdoj mandatin. “Unë, në emër të Bashkësisë Lokale, falënderoj organet komunale për gjelbërimin, pastërtinë , mirëmbajtjen e ambientit, asfaltimin e rrugëve. Sot, askund nuk të shkelë këmba në baltë unë çuditem qysh mundet me pas kritika për Komunën. Nuk e di pse mohohen punët e mira. Me 750 mijë euro të hyra vjetore, është punuar jashtëzakonisht mirë dhe është marre me kritiku që s’është bërë ajo, s’është bërë kjo. Është e pamundur me na u përmbush të gjitha kërkesat me këtë shumë parash, por mjafton dhe është shumë e rëndësishme që gjërat po shkojnë në mënyrë të rregullt”, tha Ajvazi./rajonipress/