UBT

“Qytetarët po sanksionohen jo vetëm nga BE-ja por edhe nga deputetët e Kuvendit” – marrëveshjet ndërkombëtare shkaktojnë debat mes pozitës e opozitës

/ 4 minuta lexim

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 61 vota për, 23 kundër dhe asnjë abstenim votuan për ndryshimin e rendit të ditës në seancën e sotme, ku si pikë të 12 futën çështjen e “shqyrtimit të Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së, Evropa digjitale për periudhën 2021-2027”.

Propozimin për futjen në rend dite të kësaj pike, fillimisht e bëri deputetja e LVV-së, Jeta Statovci.


Ajo tha se me miratimin e këtij Projektligji, synohet të hyjë në fuqi marrëveshja ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë program.

“Ky program ka për qëllim të rris qasjen digjitale të qytetarëve, të bizneseve dhe institucioneve përmes garantëve strategjike që avancojnë katër fusha kryesore, resurset kompjuterike, inteligjencën artificiale, shkathtësitë e avancuara digjitale dhe përshpejtimin dhe shfrytëzimin më të mirë të kapacitetet digjitale”, tha Statovci.

E për këtë propozim, pati kundërshtime nga ana e partive opozitare në Kuvend, PDK e LDK.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi fillimisht tha se ky propozim është i palogjikshëm pasi që në rend dite janë 50 pika të rendit të ditës.

“Është i paarsyeshëm sepse deputetët nuk e kanë parë materialin dhe nuk kanë pasur kohë ta shqyrtojnë, është e panevojshme sepse do të jetë joefektive pasi që Kosova vazhdon të jetë ende nën sanksione të BE-së”, tha Gashi, duke thënë se do të votojnë kundër.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri theksoi se ky projekt është i rëndësishëm dhe do të ishim shumë më fat nëse Kosova do të mund të merrte pjesë, por është i kot miratimi i tij sot kur jemi ende nën sanksione nga BE-ja, shkruan Telegrafi.

“Nuk e di pse duhet me dal në votim sot kjo marrëveshje, ku Kosova nuk mund të jetë pjesë e saj. Është mirë të fokusoheni që këto masa të vendosura nga BE-ja të largohen sa më parë”, tha Tahiri.

E ndaj kritikave të opozitës, reagoi shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Kusari-Lila tha se me argumentin që janë 50 pika në rend të ditës nuk është i logjikshëm.

“Secili deputet që ka postë zyrtare elektronike e ka materialin për këtë marrëveshje”, tha ajo.

Fundamenti

Ajo shtoi se argumenti se nuk e votojmë për shkak se Kosova është nën masa nga BE-ja, nuk qëndron.

Pas kësaj pati sërish reagime nga ana e opozitës.

Abelard Tahiri nga PDK tha se në korrik të vitit të kaluar, Komisioni Evropian e ka revokuar ftesën për këtë që po flasim.

“Ajo që e tha Kusari-Lila është e pavërtetë”, tha Tahiri.

Kundër-replikë pati sërish nga deputetja Mimoza Kusari-Lila.

“Këto masa që po i referoheni e të cilat po duket se po duan t’i mbështesin edhe deputetët e Kuvendit ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, janë thënë se ato nuk do të jenë subjekt i këtyre masave, e kjo ka të bëjë edhe me marrëveshjen në fjalë. Andaj me mos votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare qytetarët po sanksionohen jo vetëm nga BE-ja por edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha Kusari-Lila.

Pas kësaj pati replikë nga Arben Gashi i LDK-së. Ai u shpreh se gjuha që po përdorë shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila është pafytyrësi.

“Kjo gjuhë është pafytyrësi, të thuash që deputetët e Kuvendit po i mbështesin sanksionet ndaj Kosovës është poshtërsi. Që 227 ditë janë bërë që Kosova është në sanksione dhe nuk del shefi i Mimozës me tregu çfarë po bëhet, dhe del flet pa lidhje këtu. Është poshtërsi e zonjës Kusari-Lila në emër të LVV-së”, tha Gashi.

Sërish pati replikë nga Mimoza Kusari-Lila pas kësaj deklarate të deputetit Gashi.

“Nuk e di çfarë gjuhe përdora dhe sinqerisht në asnjë mënyrë apo formë nuk dua t’i jap rast askujt këtu e aq më pak me ofru mundësi e me dështua mbështetja për marrëveshjet ndërkombëtare.

Po argumentoj me atë që është faktike. Unë mënyrën më demokratike dhe të civilizume po kërkoj mbështetje për marrëveshjet me të cilat përfiton një prej sektorëve më të rëndësishëm aktualisht dhe ai është sektori i Teknologjisë Informative”, tha ajo. /Telegrafi/